MAGAZINË /

'Vdekja e tij ishte e lumtur': rrëfimi i ndjerë i vajzës së Artan Lames

Shkruar nga Versus
'Vdekja e tij ishte e lumtur': rrëfimi i ndjerë i
Lisia Lame dhe babai i saj Artan Lame

Nga Lisia Lame (Vajza e të ndjerit Artan Lame)

Kërkoj të shkruaj fjalë, dhe fjalë nuk gjej, pikërisht aty ku ai do gjente. Ai për mua nuk ishte vetëm baba, ai ishte një pikë referimi, dhe mendoj që edhe unë - deri diku - isha pikë referimi për të.

Ai nuk fliste me absolute, dhe unë e kundërshtoja, mendoja që disa rregulla ishin gjithmonë të shkruajtura në gur. Ai thoshte që vdekja lë gjithmonë pishmane. Jam e nderuar të them që do e kundërshtoj edhe një herë të fundit.

Mendoj që kjo ishte e vetmja vdekje që mund të ketë ndodhur pa pishmane. Unë pata nderin të kaloja një fundjavë perfekte. Me të dy prindërit dorë për dore, nëpër muzeume, kisha, dhe në mesin e një qyteti të ri. Nuk mendoj që në jetën time do ketë një fund më të lumtur sesa fakti që për një herë të fundit arrita ti mbaja dorën Tanit, teksa më shpjegonte për stilet dhe arkitekturën, me mendje të kthjellet dhe sarkazmën që na ndiqte kudo. Nuk e di sesi e bëri, por ja doli të më bënte një dhuratë të fundit, pikërisht siç e doja.

Atë e trembte vdekja, edhe pse me shumë nihilizem thoshte që është thjeshtë pjesë e ciklit si të gjitha të tjerat. Thoshte që jetët tona janë të vogla, në figurën e madhe, dhe në fund do të bëheshim dhé dhe do na hanin mizat. Ato miza që jetojne brenda nesh dhe një ditë presin të na hanë mbrapsht. Ky ishte një nga subjektet që ne stërhollohonim së bashku.

Ai mendonte shumë për fundin e gjyshit te tij. Kur unë i thoja "vdekja është gjithmonë një fund i lumtur" ai më thoshte që Fahredini kishte akoma kohë për të jetuar, dhe thjesht fati i tij ishte i zi. Vdekjen e Adilit neve nuk e diskutuam asnjëherë. Kur krahasoj fundin e trishtë të Fahredinit pas një dite emocionale, dhe fundin e Adilit vetëm në spital, fundi i tij, pas një fundjave perfekte me mua dhe mamin, i rrethuar nga shokët e ngushtë dhe plane për të ardhmen, unë e kundërshtoj dhe them vdekja e tij ishte e lumtur./Marrë nga Newbomb

Poll