AKTUALITET /

Ndahet nga jeta ish-anëtari i Byrosë Politike Muho Asllani, intervista që dha për komunizmin

Shkruar nga Versus

Ndahet nga jeta ish-anëtari i Byrosë Politike Muho Asllani, intervista

Ndahet nga jeta në moshën 88 vjeçare Muho Asllani, ish-anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës. Asllani ka ndërruar jetë ditën e sotme në banesën e tij në Durrës.

Ai lindi në tetor të vitit 1937 në Bërdicë të rrethit të Shkodrës. Në vitin 1953 mbaroi shkollën 7-vjeçare në fshatin e lindjes. Pas kësaj mori pjesë në shkollën e mesme bujqësore në Lushnje, por bëri vetëm një vit dhe ndërpreu shkollën për t’u kthyer sërish në shtëpi.

Mbaron teknikumin bujqësor të Shkodrës, në vitin 1958. Në vitin 1961 fillon Institutin Bujqësor dhe e mbaron në vitin 1964. 

Në Kongresin e Tretë të Partisë së Punës, tetor 1981, u pranua si anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror. Më pas, duke qenë anëtar i Byrosë politike u emërua sërish Sekretar i Parë në Durrës.

Në një intervistë televizive në mars të vitit 2021 tregoi se si i kishte mbijetuar regjimit komunist për vite me radhë. Muho Asllani tha: “Unë isha shumë i kujdesshëm që të mos ngrija probleme që më rrezikonin për të më dënuar apo futur në burg dhe unë jam gjallë sot, pasi nuk isha budalla që të kritikoja gabimet dhe fajet e Enver Hoxhës”.

Muho Asllani kishte qenë prezent në të gjitha plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së nga viti 1973 deri në 1982-in, ku ishin dënuar të gjitha “grupet armiqësore”, që nga Beqir Balluku, Fadil Paçrami, Abdyl Këllezi etj., e deri te Kadri Hazbiu, të cilin në rininë e tij e kishte pasur idhull dhe mbante vetëm portretin e tij nëpër festa e mitingje, por ishte i detyruar të diskutonte në Plenumin e vitit 1982 kur u godit dhe u dënua ai.

 

 

Poll