OPINION /

Analiza e REL/ Rruga politike e Serbisë pas një viti protestash antiqeveritare

Pas një viti protestash, skena politike mbetet e paqartë. Përveç datës së zgjedhjeve, nuk dihet as kush do të marrë pjesë në to, e as rezultati nuk është i parashikueshëm – ndryshe nga disa cikle të mëparshme zgjedhore.

Shkruar nga Versus

Analiza e REL/ Rruga politike e Serbisë pas një viti protestash

Zgjedhje të parakohshme, kjo është kërkesa e mijëra protestuesve antiqeveritarë që demonstrojnë në rrugët e Serbisë. Pushteti lë hapësirë për zgjedhje para afatit, por refuzon t’i shpallë ato.

Kjo është pamja politike e Serbisë, një vit pas fillimit të protestave më masive në historinë e saj të re.

Historiani Dragan Popoviq e përshkruan atmosferën si “referendum”.

Në njërën anë është pushteti, i mishëruar në liderin populist Aleksandar Vuçiç, ndërsa përballë tij janë forcat antiqeveritare, të udhëhequra nga lëvizja protestuese studentore.

Tensionet janë shtuar, dhe pushteti, siç thekson Popoviç, i është përgjigjur protestave me represion ndaj protesutesve.

“Pamja e Serbisë sot është pamja e një shoqërie të shkatërruar, e institucioneve të shkatërruara dhe e një sistemi politik të rrënuar”, vlerëson ai për Radion Evropa e Lirë (REL).

Serinë si “shoqëri të polarizuar” e përshkruan edhe Parlamenti Evropian.

Në një rezolutë të PE-së, udhëheqja shtetërore e Serbisë konsiderohet përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike.

Qytetarët, të udhëhequr nga studentët, nuk heqin dorë nga protestat.

“Veprimi politik nuk është më çështje e elitës politike, por e të gjithë njerëzve. Kam përshtypjen se protestat janë bërë popullore, se njerëzit duan të identifikohen me lëvizjen”, thekson për Radion Evropa e Lirë, studentja Isidora Majkiq nga Fakulteti i Matematikës në Beograd.

“Goditje e rëndë për regjimin”

Pas një viti protestash, skena politike mbetet e paqartë.

Përveç datës së zgjedhjeve, nuk dihet as kush do të marrë pjesë në to, e as rezultati nuk është i parashikueshëm – ndryshe nga disa cikle të mëparshme zgjedhore.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, Partia Progresive Serbe (SNS) dhe aleatët e tij kanë udhëhequr me shtetin për 13 vjet.

Ndërsa Vuçiç dhe SNS-ja kanë forcuar pushtetin, Serbia, sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, ka rënë në renditjet që matin situatën e të drejtave të njeriut, të lirive dhe nivelin e korrupsionit.

Pikërisht akuzat për korrupsion sistematik janë në qendër të protestave, të cilat shpërthyen pas rrëzimit të një strehe prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona dhe një u plagos rëndë.

“Kjo ka qenë një goditje për regjimin nga e cila vështirë se mund të rikuperohet – vetëm mbetet të shihet sa do të zgjasë rënia”, thotë Popoviq.

Vuçiçin ai e përshkruan si “një lider autoritar që mbyt proceset demokratike”.

Organizata ndërkombëtare Freedom House jep vlerësime disi më të buta, por e rendit Serbinë në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Sipas indeksit të kësaj organizate, Serbia në vitin 2025 ka shënuar rënie më të madhe nga të gjitha vendet evropiane, sa i përket lirive.

Nga Presidenca, Qeveria e Serbisë dhe SNS-ja nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me zgjedhjet e parakohshme dhe akuzat për represion e rrënim të demokracisë.

“Kërkesat e protestave përmbushen me pikatore”

Këto nuk janë protestat e para që kanë tronditur regjimin e Vuçiçit.

Por, janë më të mëdhatë dhe më jetëgjatat deri më tani.

“Nuk do të thosha që rrëzimi i çatisë ishte pika që e mbushi kupën, por ne u përfshimë në momentin kur ndjemë se ishim të aftë të vepronim drejtpërdrejt”, thotë studentja Anja Despotoviq, që studion në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Beograd.

Valët e bllokadave studentore nisën në Fakultetin e Arteve Dramatike, ku studentët dhe profesorët u sulmuan teksa po nderonin viktimat e tragjedisë së Novi Sadit.

Protesta u përhap si një ortek në pothuajse të gjitha universitetet publike në Serbi.

Nga fakultetet e bllokuara, studentët dolën në rrugë, ku u bashkuan me qytetarë të pakënaqur.

Ata paraqitën kërkesa për publikimin e dokumenteve që do të ndriçonin shkaqet e aksidentit dhe mundësinë që ngjarja të kishte të bënte me korrupsion.

Rikonstruksioni i stacionit hekurudhor ishte pjesë e një projekti kyç shtetëror – hekurudha e shpejtë nga Beogradi deri në kufirin me Hungarinë, ku kompanitë kineze kishin rolin kryesor.

Studentët refuzuan t’i drejtoheshin presidentit serb Vuçiç, duke i thënë se “nuk është kompetent”.

“Ne u përpoqëm të mos biem në narrativat e politikanëve të tjerë, sepse ne nuk jemi politikanë”, thekson Anja Despotoviq.

Vuçiç, megjithatë, u përgjigj.

Në fillim të vitit ai pretendoi se kërkesat ishin plotësuar, duke i ftuar studentët të ktheheshin në mësim.

Studentët i përgjigjën se kërkesat e tyre nuk ishin përmbushur.

“I kanë përmbushur me pikatore, aq sa u ka leverdisur dhe sa nuk i rrezikonte. Ishte një shfaqje për publikun”, thotë Anja Despotoviq..

“Ne si lëvizje në një moment u pjekëm politikisht për të thënë nuk do t’i përmbushin kërkesat. Sepse nuk mund t’i përmbushin dhe të qëndrojnë në pushtet njëkohësisht,” shton Isidora Majkiq.

Që nga maji, përveç kërkesës për përgjegjësi penale për aksidentin që nxiti protestat, demonstruesit kërkojnë edhe përgjegjësi politike: dorëheqje dhe shpallje zgjedhjesh.

“Vuçiç, largohu” është bërë një nga parullat më të zakonshme në rrugë.

Ndërkohë, Vuçiç i quan demonstruesit “bllokues”, duke theksuar se “rruga nuk do ta qeverisë Serbinë”.

Në rrugë janë shfaqur mbledhje spontane qytetarësh, pa simbole partiake, që bëjnë thirrje për protesta në komunitetet lokale.

Vetëm nga shkurti deri në fund të shtatorit 2025, në Serbi janë mbajtur më shumë se 10.700 tubime në mbi 630 vendbanime.

Poll