Vota është sovrani i vetëm. Dhe sovrani nuk gjykohet me akuza, por respektohet me përulësi.
“Fajësimi i votuesve është streha e fundit e një politikani të dështuar.”
— Anonim
Pas çdo procesi zgjedhor, politika ka një detyrë themelore: të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të reflektojë mbi të. Kjo është rruga e vetme për të ndërtuar besim dhe për të rritur pjekurinë demokratike. Është një moment që kërkon vetëdije, jo alibi. Përulësi, jo armiqësim.
Fatkeqësisht, një pjesë e opozitës shqiptare duket se refuzon këtë fazë të domosdoshme të demokracisë. Jo vetëm që nuk e pranon verdiktin e votës, por mundohet ta zëvendësojë atë me akuza, të denigrojë qytetarët që nuk e votuan dhe të sulmojë institucionet që nuk i shërbejnë interesit të saj politik.
Kjo sjellje nuk është pa precedent në politikën shqiptare. Edhe mazhorancat e dikurshme kanë rënë në tundimin për të fajësuar të tjerët pas një humbjeje. Por demokracia është mësim, nganjëherë me kosto, sepse vota është gjyqi më i drejtë dhe më i paanshëm për të gjithë. Ajo nuk manipulon. Ajo flet.
Ndaj, sot më shumë se kurrë, është e rëndësishme të mbrojmë kuptimin e saj. Jo vetëm si një numër, por si një akt besimi qytetar ndaj së ardhmes. Dhe ky besim nuk fitohet me britma. Fitohet me punë.
Në politikën shqiptare ka një zakon të keq që përsëritet pas çdo humbjeje opozitare: shpallet luftë ndaj institucioneve, fyhen qytetarët që nuk votuan për ta dhe lëshohet një lumë akuzash për “vjedhje”, “shitje votash” apo “kapje të shtetit”. Është një skenar që tashmë nuk habit askënd.
Por këtë herë, zëri i kësaj retorike është bërë më i fortë, më i dhunshëm dhe më i pamëshirshëm mediatikisht, jo ndaj qeverisë, por ndaj vetë qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve që mbrojnë rendin kushtetues.
Në krye të kësaj fushate nuk qëndron një lider i ri, por një figurë që vjen nga e shkuara: Sali Berisha. I shpallur “non grata”, i konsumuar fizikisht, moralisht dhe politikisht, por ende i pranishëm në ekranet tona, jo për të folur për ide apo për përvojë politike, por për të ushqyer një klimë mosbesimi dhe përçarjeje. Atë që ka bërë përherë xhanëm, këtu e 35 vjet, duke u përdredhur në këmbët e Shqipërisë që nuk e ka dashur kurrë.
Retorika e tij është kthyer në motor të një dhune verbale që ushqehet çdo ditë nga një rrjet zërash të njëanshëm mediatikë, që në vend të analizës politike përhapin insinuata, etiketime dhe fyerje ndaj çdo zëri ndryshe, sidomos ndaj kandidatëve fitues të PS-së.
A mund të quhet normale kjo sjellje politike dhe morale për një demokraci? Jo. Në asnjë mënyrë.
Ky është një lloj i ri presioni publik, një terror verbal që synon të ndëshkojë me fyerje ata që guxojnë të fitojnë.
Është e papranueshme që gra të reja, profesionistë të respektuar, përfaqësues të diasporës apo figura të ndershme në komunitete të ndryshme, të bëhen objekt i një gjuhe të ulët, përçmuese dhe të egër vetëm sepse fituan me votë. Vetëm sepse nuk i përkasin rreshtimit politik që humbi zgjedhjet.
Kur e vetmja përgjigje që ka opozita ndaj humbjes është fyerja, atëherë jemi përballë një krize të thellë morali politik.
Dhe kur kjo krizë morale nuk mjafton, në skenë futet SPAK-u dhe prokuroria.
Prej muajsh, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, dëgjojmë një kërkesë të përsëritur të opozitës dhe analistëve të saj: “Ku është SPAK-u, ku është prokuroria?”
Nuk e kërkojnë për të ndëshkuar një krim zgjedhor, sepse e dinë mirë që nuk ka patur, por për ta përdorur si mjet presioni politik. E kërkojnë jo si garant të drejtësisë, por si zëvendësues të votës që nuk arrijnë dot ta fitojnë nga qytetarët.
Dhe kur SPAK-u dhe prokuroria nuk përmbushën këtë pritshmëri absurde, dhe s’ka si ta përmbushin pa fakte dhe prova, nisi sulmi i radhës: “SPAK i kapur”, “Drejtësia e ndikuar”, “Institucionet e manipuluara”.
Me fjalë të tjera: nëse nuk më jep pushtetin që dua, je armik i demokracisë.
Ky logjikim është thellësisht antidemokratik dhe thellësisht antishtet.
SPAK dhe prokuroria nuk janë komisar elektoral i askujt. Drejtësia nuk është mjet për të kompensuar dështimet politike të askujt. SPAK dhe prokuroria nuk janë karta e fundit për të ndryshuar një verdikt që populli e ka dhënë qartë me votë.
E gjithë kjo zhurmë, kjo fushatë akuzash dhe ky përçmim i organizuar ndaj qytetarëve dhe institucioneve ka një synim:
Të fshehë faktin politik më të rëndësishëm të këtyre zgjedhjeve: fitoren e Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës me 856,177 vota.
Jo sepse u ble vota. Jo sepse ndihmoi drejtësia.
Por sepse shumica e qytetarëve zgjodhën stabilitetin, punën dhe të ardhmen në vend të klithmave për hakmarje politike mbi këdo që mendon ndryshe.
Zgjedhjet nuk i fitoi Edi Rama me truke, por sepse opozita nuk kishte as vizion, as alternativë, as besueshmëri. Kishte vetëm një fytyrë të rikthyer nga e shkuara, një figurë e konsumuar si Sali Berisha, që nuk frymëzon më askënd për ndryshim.
Sigurisht, nuk ka qeveri pa sfida. Nuk ka pushtet që nuk ka nevojë për reflektim, për përmirësim dhe për më shumë përfshirje. Por kur alternativa është e zbrazët, kur opozita ofron vetëm urrejtje, atëherë qytetari zgjedh atë që i garanton qetësi dhe progres.
Në vend të reflektimit, opozita zgjodhi viktimizimin.
Në vend të një platforme, zgjodhi akuzën.
Në vend të vetëkritikës, zgjodhi përçarjen.
Dhe më e rënda: zgjodhi të fajësojë popullin për humbjen, duke e quajtur të paditur, të shitur, të manipuluar.
Por qytetarët shqiptarë nuk janë budallenj.
Ata kuptojnë më shumë sesa besojnë disa koka të nxehta dhe zëra të politizuar në opozitë.
Ata dinë të dallojnë punën nga demagogjia. Dhe për këtë votuan më 11 maj 2025.
Populli ka folur qartë.
Ka votuar për qetësi, për stabilitet, për drejtësi të pavarur dhe për një të ardhme evropiane.
Dhe në vitin 2029, mund të jenë edhe 1 milion që do të votojnë për këtë rrugë, nëse Sali Berisha do jetë ende në anën tjetër të gardhit në krye të opozitës.
Sepse në demokraci vota nuk fitohet me britma dhe me akuza.
Fitohet me punë. Dhe populli këtë e di më mirë se kushdo tjetër.