Para se të mbaheshin, Irani i përshkroi si të parëndësishme zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Por, fitorja e ish-presidentit Donald Trump më 5 nëntor mund të ketë pasoja të mëdha për të, thonë ekspertët.
Gjatë mandatit të parë presidencial, Trump e rriti presionin ndaj Iranit, për shkak të programeve të tij bërthamore dhe raketore, dhe vendosi sanksione gjithëpërfshirëse kundër tij.
Iranit “do t’i duhet të mendojë për ndryshime radikale në politikën e tij të jashtme dhe sigurinë kombëtare... në mënyrë që t’i shmangë krizat më të mëdha që mund të vijnë si pasojë e presidencës [së dytë] të Trumpit”, thotë Farzan Sabet, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Institutin e Gjenevës IHEID.
Nga viti 2017 deri më 2021, administrata e Trumpit ndoqi një fushatë të “presionit maksimal” kundër Iranit.
Trump e tërhoqi SHBA-në nga një marrëveshje bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore, rivendosi sanksionet ekonomike ndaj Iranit dhe urdhëroi vrasjen e gjeneralit të lartë iranian, Qassem Soleimani.
Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë një politikë të “presionit maksimal 2.0”, thotë Sabet, duke shtuar se qëllimi mund të jetë “frenimi dhe dobësimi i regjimit”.
Sipas tij, Trump mund të përpiqet të krijojë një lloj politike afatgjate ndaj Iranit, që do të ishte vështirë të zhbëhej edhe nga administratat e ardhshme amerikane.
Brian Hook, i cili mbikëqyri fushatën e “presionit maksimal” të administratës së Trumpit ndaj Iranit, pritet ta drejtojë ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur në Departamentin e Shtetit.
Mediat amerikane raportuan se Hook mund të konsiderohet edhe për rolin e sekretarit të Shtetit.
Gjatë fushatës, Trump dërgoi mesazhe të përziera për Iranin. Ai kërcënoi se do ta shkatërronte atë, por gjithashtu tha se ishte i hapur për bisedime me të.
Trump, gjithashtu, tha se dëshiron që Irani të jetë “i suksesshëm”, megjithëse shtoi se Teherani “nuk mund të ketë armë bërthamore”.
Sabet thotë se Irani është bërë më i zoti në shmangien e sanksioneve të SHBA-së, që nga mandati i parë i Trumpit, dhe se programi i tij bërthamor ka avancuar më shumë pas shfuqizimit të marrëveshjes bërthamore.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se Irani do të vazhdojë t’i ndiejë pasojat e politikave më të ashpra të SHBA-së.
Ekonomia iraniane është në rënie të lirë, ndërkohë që struktura klerikale e vendit përballet me trazira në rritje të brendshme dhe me kërcënime nga armiku kryesor - Izraeli.
Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të drejtpërdrejta ajrore në muajt e fundit - gjë që rriti frikën për një luftë gjithëpërfshirëse rajonale.
Sulmet ndodhën derisa Izraeli vazhdon luftën kundër grupeve të mbështetura nga Irani në Liban dhe në Rripin e Gazës.
Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, thotë se Trump ka të ngjarë t’i lejojë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, “një dorë të lirë” për t’u përballur me Iranin.
Trump ka një marrëdhënie të ngushtë me Netanyahun, i cili ishte një prej liderëve të parë botërorë që e uroi presidentin e zgjedhur.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, duke përmbysur politikën prej dekadash të SHBA-së.
Ai, gjithashtu, e zhvendosi Ambasadën e SHBA-së në qytetin e kontestuar.
Sabet thotë se “situata e sigurisë në Iran është duke u përkeqësuar me shpejtësi përballë Izraelit, për shkak të përfshirjes potencialisht të mëtejshme të SHBA-së”.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha më 7 nëntor se fitorja e Trumpit në zgjedhje “nuk përbën ndonjë dallim” për Teheranin, i cili “e ka prioritet zhvillimin e marrëdhënieve me vendet islamike dhe ato fqinje”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baqaei, tha se Irani ka pasur “përvoja të hidhura me politikat dhe qasjet e kaluara të qeverive të SHBA-së”. Por, shtoi se kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, është një shans “për t’i rishikuar politikat e mëparshme të gabuara”.
Disa ligjvënës konservatorë iranianë dhe media nuk e fshehën fare përbuzjen e tyre për Trumpin.
Ligjvënësi i linjës së ashpër, Malek Shariati, shkroi në X “vdekje Trumpit” dhe më pas e fshiu.
Gazeta konservatore, Hamshahri, e dënoi “kthimin e vrasësit”, duke aluduar kështu në rolin e Trumpit në vrasjen e Soleimanit.
Të tjerë u kërkuan vendimmarrësve iranianë që t’i marrin në konsideratë negociatat me Trumpin, sidomos pasi Pezeshkian, reformist, u zotua se do të angazhohet me Perëndimin kur e mori detyrën në korrik.
Analisti politik me bazë në Teheran, Hamid Asefi, thotë për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë se disa kritikë të institucionit klerik, shpresojnë se Trumpi do të ndihmojë në rrëzimin e republikës islamike. Por, kjo është vetëm dëshirë, sepse politika e tij ndaj Iranit nuk ka qenë kurrë për ndryshimin e regjimit.
“Shumë politikanë dhe analistë në Iran tani besojnë se Teherani mund të arrijë lehtësisht një marrëveshje me Trumpin, pasi ai është tregtar”, përfundon Asefi.