Megjithëse Nënpresidentja Kamala Harris ka zëvendësuar Presidentin Joe Biden si kandidatja demokrate për presidente, motoja e fushatës së tij "të përfundojmë punën" i shkon për shtat edhe objektivave kryesore të saj. Ajo ka premtuar se nëse zgjidhet do të vazhdojë shumë nga politikat që Presidenti Biden ka ndjekur katër vitet e fundit.
Ish-presidenti Donald Trump, nga ana e tij, po shpreson të kthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe të realizojë ato që nuk bëri gjatë mandatit të tij të parë.
Që kur zoti Biden u tërhoq nga gara muajin e kaluar, Nënpresidentja nuk ka shpalosur shumë propozime për politika të reja, përveç një nisme për të parandaluar rritjen e çmimeve të mallrave ushqimore dhe planeve për të ulur taksat për familjet, përpjekjeve për të ulur çmimet e shtëpive dhe qirave, si edhe për të ulur borxhet për shërbimet mjekësore.
Po ashtu në një tubim të kohëve të fundit në Las Vegas, ku ekonomia mbështetet tek industria e hotelerisë, zonja Harris bëri thirrje për heqjen e taksave mbi bakshishet për punonjësit e restoranteve, hoteleve dhe shërbimeve të tjera.
Zoti Trump kishte bërë të njëjtin propozim në Las Vegas më shumë se një muaj më herët.
Megjithëse nuk ka dhënë detaje konkrete, Nënpresidentja ka shprehur qëndrimet e sasj për disa çështje të ndryshme, duke premtuar se do të nënshkruajë ligje për ndryshime të ndjeshme, që do të jetë e vështirë të miratohen nga Kongresi.
Mes tyre janë masat që garantojnë të drejtën federale për abortin, rritjen e pagës minimale federale, që forcojnë kontrollin për armëmbajtjen, si edhe avancimin e disa nismave të ngecura prej kohësh për të drejtën e votës.
Megjithëse ende nuk dihen shumë detaje, nuk ka dyshim se kushdo që të fitojë në nëntor do të përpiqet të ndikojë në jetën e amerikanëve në mënyra krejtësisht të ndryshme nga rivali i vet. Për pothuajse të gjitha çështjet madhore, kontrasti është i qartë.
Ja një vështrim ndaj qëndrimeve të secilit kandidat për 10 çështjet kryesore:
Aborti
Kamala Harris: Nënpresidentja i ka bërë thirrje Kongresit të miratojë legjislacionin që garanton me ligj federal qasjen tek aborti, një e drejtë që ishte në fuqi për gati 50 vjet përpara se të rrëzohej nga Gjykata e Lartë. Ashtu si zoti Biden, zonja Harris ka kritikuar ndalimet e abortit në shtetet e kontrolluara nga republikanët dhe ka premtuar se nëse zgjidhet do të bllokojë çdo ndalim të mundshëm mbarëkombëtar, nëse një masë e tillë miratohet në rast se Kongresi i ardhshëm kontrollohet nga republikanët. Nënpresidentja Harris ishte mbrojtësja më publike mes demokratëve për të drejtat e abortit, edhe para tërheqjes së Presidentit Biden nga gara. Ajo ka mbështetur hapat për të mbrojtur të drejtat e grave që shkojnë në shtete të tjera për të kryer abort dhe për të kufizuar mënyrën se si organet e zbatimit të ligjit mbledhin të dhëna për historinë mjekësore të pacientëve.
Donald Trump: Ish-Presidenti shpesh përmend me krenari faktin që ka emëruar anëtarë të Gjykatës së Lartë që rrëzuan vendimin Roe kundër Wade, duke i dhënë fund të drejtës kushtetuese për abort. Pasi iu shmang për një kohë të gjatë përgjigjes ndaj pyetjes se në çfarë faze të shtatzanisë besonte se duhej të kufizohej aborti, zoti Trump tha pranverën e kaluar se vendimet për qasjen ndaj tij duhet t'u lihen në dorë shteteve. Ai tha se nuk do të nënshkruante një ligj që do të ndalonte abortin në shkallë kombëtare. Por ai ka refuzuar të thotë nëse do të përpiqet të kufizojë qasjen tek pilula mifepristone për abortin. Ai tha për revistën Time se duhet t’u lihet po shteteve që të përcaktojnë nëse do të ndjekin penalisht gratë për aborte.
Klima/Energjia
Kamala Harris: Si Senatore nga Kalifornia, Nënpresidentja ishte ndër mbështetëset e para të Marrëveshjes së Re të Gjelbër, një plan gjithëpërfshirës që synonte marrjen me shpejtësi të hapave drejt energjisë plotësisht të gjelbër, që përkrahet nga krahu më progresiv i Partisë Demokrate. Zonja Harris tha gjithashtu gjatë fushatës së saj presidenciale në vitin 2020 se ishte kundër shpimeve në det të hapur për naftë. Por gjatë tre viteve e gjysmë si Nënpresidente, zonja Harris ka mbajtur qëndrime më të moderuara, duke u fokusuar tek zbatimi i dispozitave për klimën në Ligjin për Uljen e Inflacionit të administratës Biden. Ai përfshin gati 375 miliardë dollarë për stimujt financiarë për makinat elektrike dhe projektet e energjisë së pastër. Por nuk ka gjasa që Shtetet e Bashkuara të përmbushin objektivin e zotit Biden për të përgjysmuar çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë deri në vitin 2030 – një afat të cilin zonja Harris nuk e ka përmendur që kur u bë kandidate për presidente.
Donald Trump: Zoti Trump është shprehur me forcë në favor të shpimeve për naftë dhe gaz. Në të kaluarën ai e ka quajtur ndryshimin klimatik një "sajesë" dhe ka përçmuar idenë e energjisë nga erës. Ai thotë se synimi i tij është që SHBA të ketë çmimet më të lira për energjinë në botë. Nëse zgjidhet ai thotë se do të zgjerojë shpimet për naftë në tokat publike, do të ofrojë ulje taksash për prodhuesit e naftës, gazit dhe qymyrit, do të përshpejtojë procesin e miratimit për tubacionet e gazit natyror dhe do të kthejë mbrapsht përpjekjet e administratës së zotit Biden për një kalim tek makinat elektrike, të cilat ai argumenton se janë diçka e mirë, por se nuk duhet t’u imponohen konsumatorëve. Ai është zotuar gjithashtu se do të tërhiqej nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, do t'u jepte fund subvencioneve për energjinë nga era dhe do të eliminonte rregulloret e vendosura dhe të propozuara nga administrata e zotit Biden për të nxjerrë nga përdorimi të paisjeve shtëpiake joefiçente nga ana e energjisë.
Demokracia/Sundimi i Ligjit
Kamala Harris: Ashtu si zoti Biden, edhe zonja Harris e ka cilësuar zotin Trump një kërcënim për demokracinë e vendit. Por në sulmet politike ndaj rivalit të saj, Nënpresidentja e ka vënë më shumë theksin tek kontrasti mes së kaluarës së saj si prokurore dhe çështjeve penale me të cilat përballet ish-Presidenti. Po ashtu zonja Harris i ka përmendur më rrallë se zoti Biden pretendimet e zotit Trump se ishte ai fitues i zgjedhjeve të vitit 2020 dhe rolin e tij në nxitjen e sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol. Në tubime ku mbështetësit e saj kanë hedhur parrulla për burgosjen e zotit Trump, ajo është përgjigjur se janë gjykatat që merren me një gjë të tillë dhe se "puna jonë është ta mundim atë në nëntor".
Donald Trump: Pasi refuzoi të pranojë humbjen ndaj zotit Biden në vitin 2020, zoti Trump nuk ka premtuar të deklarojë se do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve të këtij viti. Ai ka thënë vazhdimisht se do t'i falë të pandehurit e 6 janarit që po vuajnë dënime për sulmet ndaj oficerëve të policisë dhe krime të tjera gjatë sulmit në Kapitol. Ai është zotuar se do ta ndreqë Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në "nga themelet", i indinjuar nga akuzat penale që departamenti ka ngritur kundër tij. Ai gjithashtu premton të vendosë Gardën Kombëtare në qytete si Çikago, për të luftuar krimin e dhunshëm dhe në përgjigje të protestave, si edhe se do të emërojë një prokuror të posaçëm për të ndjeku penalisht zotin Biden.
Qeveria federale
Kamala Harris: Ashtu si Presidenti Biden, Nënpresidentja Harris ka denoncuar "Projektin 2025", një plan i hartuar nga konservatorë me peshë që parashikon një transformim dramatik të qeverisë federale dhe një zhvendosje të saj nga e djathta nëse zoti Trump fiton përsëri Shtëpinë e Bardhë. Ajo gjithashtu është pjesë e një administrate që po merr hapa për të vështirësuar çdo shkarkim masiv të nëpunësve civilë.
Donald Trump: Ish-presidenti është përpjekur të distancohet nga "Projekti 2025", pavarësisht lidhjeve të tij të ngushta me shumë nga arkitektët kryesorë të tij. Megjithatë, ai ka thënë se do ta reformojë burokracinë federale, të cilën e ka fajësuar prej kohësh se ka bllokuar agjendë e mandatit të tij të parë. Ish-presidenti planifikon të rikthejë në fuqi heqjen e mbrojtjeve për shërbimin civil. Ai thotë gjithashtu se do të shkarkojë "burokratët mashtrues", përfshirë ata që e "kanë përdorur si instrument sistemin tonë të drejtësisë". Zoti Trump gjithashtu është zotuar të mbyllë Departamentin e Arsimit dhe do që të kufizojë pavarësinë e agjencive rregullatore si Komisioni Federal i Komunikimeve.
Emigracioni
Kamala Harris: Në përpjekje për të zmbrapsur sulmet politike të republikanëve, Nënpresidentja ka folur për përvojën e saj si Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë, duke thënë se ajo ka ndjekur penalisht me sukses trafikantët e drogës dhe të qenieve njerëzore. Në fillim të mandatit të tij, zoti Biden e bëri zonjën Harris personin kryesor të administratës së tij për të mbikqyrur politikën dhe shkaqet e migrimit. Zoti Trump dhe republikanët tani fajësojnë zonjën Harris për situatën në kufirin SHBA-Meksikë që ata thonë se është jashtë kontrollit për shkak të politikave tepër të buta. Nënpresidentja Harris është përpjekur ta kundërshtojë një gjë të tillë duke argumentuar se një kompromis dypartiak i Senatit që do të kishte përfshirë standarde më të ashpra për azilin dhe punësimin e më shumë agjentëve kufitarë, gjykatësve të imigracionit dhe oficerëve të azilit ishte gati të miratohej nga Kongresi, përpara se zoti Trump të dilte kundër tij. Nënpresidentja mbështet një reformë gjithëpërfshirëse të imigracionit, që të përfshijë një rrugë drejt shtetësisë për emigrantët pa status ligjor në SHBA dhe një proces më të përshpejtuar për një gjë të tillë për të rinjtë pa dokumenta, që kanë ardhur në vend kur ishin fëmijë.
Donald Trump: Ish-presidenti premton të kryejë dëbimin më të madh në historinë e SHBA-së – një operacion që mund të përfshijë edhe kampe paraburgimi dhe përdorimin e Gardës Kombëtare. Ai do të sillte politikat që vendosi gjatë mandatit të tij të parë, që vendosën kufizime për migrantët për të mbrojtur shëndetit publik. Dhe ai do të ringjallëronte dhe zgjeronte ndalimin e udhëtimit që fillimisht ishte vendosur për qytetarë nga shtatë vende me shumicë myslimane. Pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit, ai premtoi se do të vinte në fuqi "kontrolle për bindjet ideologjike" për emigrantët për të ndaluar "të çmendurit e rrezikshëm, njerëzit e mbushur me urrejtje, fanatikët dhe maniakët". Ai gjithashtu ka thënë se do të punonte për të dëbuar njerëzit që ndodhen në SHBA ligjërisht, por që kanë “simpati xhihadiste". Ai do të kërkonte t'i jepte fund të drejtës së shtetësisë nga lindja për fëmijët, prindërit e të cilëve janë në vend ilegalisht.
Izrael/Gaza
Kamala Harris: Zonja Harris thotë se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet dhe e ka dënuar vazhdimisht Hamasin si organizatë terroriste. Por Nënpresidentja ka ngritur gjithashtu zërin për nevojën e mbrojtjes së civilëve gjatë luftimeve në Gaza, ku numri i të vdekurve civilë tani ka arritur në mbi 40,000. Ashtu si Presidenti Biden, zonja Harris mbështet një marrëveshje për armëpushim që do të siguronte lirimin e pengjeve. Zoti Biden dhe zonja Harris thonë se marrëveshja mund të çojë në një fund të përhershëm të luftës. Ata mbështesin një zgjidhje me dy shtete.
Donald Trump: Ish-presidenti ka shprehur mbështetjen për përpjekjet e Izraelit për të "shkatërruar" Hamasin, por ai ka qenë gjithashtu kritik ndaj disa prej taktikave të Izraelit. Ai thotë se vendi duhet ta përfundojë misionin shpejt dhe t’i kthehet paqes. Ai ka bërë thirrje për përgjigje më agresive ndaj protestave pro-palestineze në kampuset e universiteteve dhe ka përshëndetur përpjekjet e policisë për të spastruar kampet me tenda. Zoti Trump propozon gjithashtu heqjen e vizave studentore të atyre që përkrahin pikëpamjet antisemite ose anti-amerikane.
Problemet e komunitetit LGBTQ+
Kamala Harris: Gjatë tubimeve të saj, zonja Harris ka akuzuar zotin Trump dhe partinë e tij se po përpiqen të shfuqizojnë një numër lirish civile, përfshirë ato për komunitetin LGBTQ. Ajo thotë shpesh se "ne nuk do të bëjmë hapa pas".
Administrata aktuale ku ajo bën pjesë, denoncon rregullisht diskriminimin dhe sulmet kundër komunitetit LGBTQ+. Administrata e Presidentit Biden ka anuluar një urdhër ekzekutiv të ish-Presidentit Trump që kishte ndaluar kryesisht personat transgjinorë nga shërbimi ushtarak dhe Departamenti i Arsimit nxori një rregull që se një ligj i vitit 1972 që ishte miratuar për të mbrojtur të drejtat e grave, shërben gjithashtu edhe për të ndaluar diskriminimin e bazuar tek orientimi seksual ose identiteti gjinor.
Donald Trump: Ish-presidenti është zotuar t'i mbajë gratë transgjinore jashtë sportit të grave dhe thotë se do t'i kërkojë Kongresit të miratojë një projekt-ligj që përcakton se "vetëm dy gjini, siç përcaktohet në lindje, njihen nga Shtetet e Bashkuara. Si pjesë e masave kundër kujdesit për mjekësor për ndryshimin e gjinisë, ai do të deklaronte se çdo institucion i kujdesit shëndetësor që merr pjesë në "gjymtimin kimik ose fizik të të rinjve të mitur" nuk i përmbush më standardet federale të shëndetit dhe sigurisë dhe nuk do të marrë fonde federale. Trump do të mbështeste një ndalim në shkallë vendi të ndërhyrjes hormonale ose kirurgjike për të miturit transgjinorë dhe ndalimin e personave transgjinorë nga shërbimi ushtarak.
NATO/Ukrainë
Kamala Harris: Nënpresidentja Kamala Harris ende nuk ka dhënë detaje mbi qëndrimin e saj për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe çfarë dallimesh ka me zotin Biden. Ajo ka vlerësuar përpjekjet e presidentit për të rindërtuar aleancat e zhbëra nga zoti Trump, veçanërisht në lidhje me NATO-n, një mburojë kritike kundër agresionit rus. Administrata e Presidentit Biden ka premtuar mbështetje të pandërprerë për Ukrainën kundër agresionit rus. Uashingtoni i ka dhënë
Ukrainës dhjetëra miliarda dollarë ndihma ushtarake dhe ndihma të tjera, përfshirë një ndihmë me vlerë 61 miliardë dollarë në armë, municione dhe ndihma të tjera që pritet të zgjasin deri në fund të këtij viti. Administrata e Presidentit Biden e ka cilësuar si kritike vazhdimin e ndihmës amerikane, sepse udhëheqësi rus Vladimir Putin nuk do të ndalet vetëm me pushtimin e Ukrainës. Zonja Harris e ka quajtur marrëzi rrezikimin e aleancave globale që ka krijuar Uashingtoni ndërsa e ka dënar "brutalitetin" e Putinit.
Donald Trump: Ish Presidenti Trump e ka kritikuar në mënyrë të përsëritur ndihmën amerikane për Ukrainën. Ai ka thënë se do të vazhdojë ta "rishqyrtojë në thelb" misionin dhe qëllimin e NATO-s nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka premtuar, pa dhënë shpjegime, se do të jetë në gjendje t'i japë fund luftës para inaugurimit, nëse i fiton zgjedhjet, duke i sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve. (Qasja e tij duket se parashikon që Ukraina që të heqë dorë të paktën nga një pjesë e territorit të saj të pushtuar nga Rusia në këmbim të një armëpushimi.) Për sa i përket NATO-s, zoti Trump i ka kritikuar për vite me radhë vendet anëtare për dështimin e arritjes së objektivave të caktuara për
shpenzimet ushtarake. Zoti Trump shkaktoi panik më herët gjatë këtij viti kur tha se, si president, i kishte paralajmëruar udhëheqësit e aleancës se ai jo vetëm që do të refuzonte të mbronte vendet që nuk kanë zbatuar objektivat e caktuara, por “do të inkurajonte” Rusinë të bënte çfarë të donte ndaj vendeve që kanë shkelur objektivat.
Tarifat dhe Tregtia
Kamala Harris: Megjithëse ishte kritike ndaj marrëveshjeve të tregtisë së lirë përpara se të bëhej nënpresidente, kohët e fundit demokratja Harris nuk ka ofruar asnjë shenjë se do të kundërshtojë politikat e Presidentit Biden. Kjo mund të nënkuptojë respektimin e disa praktikave proteksioniste që kanë ngjashmëri me ato të zotit Trump. Presidenti Biden, për shembull, mbështeti trefishimin e tarifave për importin e çelikut kinez, një veprim që do të mbronte prodhuesit
amerikanë nga importet më të lira. Në maj, administrata Biden-Harris tha se do të rriste normën e tarifave për çelikun dhe aluminin nga 7.5% në 25%. Presidenti Biden ka thënë gjithashtu se e kundërshton propozimin për blerjen e firmës “US Steel” nga firma japoneze “Nippon Steel” sepse, siç ka thënë ai, është "jetike që ajo të mbetet një kompani që prodhon çelik në vend dhe të jetë në pronësi amerikane”.
Donald Trump: Kandidati republikan për president dëshiron një zgjerim dramatik të tarifave për pothuajse të gjitha mallrat e huaja të importuara. Ai është shprehur se, "do të kemi tarifa 10% deri në 20% për vendet e huaja që na kanë zhvatur prej vitesh". Sipas tij, do të shtoheshin tarifat ndaj partnerëve tregtarë që manipulojnë me vlerën e monedhës së tyre ose përfshihen në praktika të tjera të padrejta tregtare. Ai gjithashtu do t'i kërkonte Kongresit që të miratojë ligje që i japin presidentit autoritet për të vendosur një tarifë reciproke ndaj çdo vendi që u vendos tarifë Shteteve të Bashkuara. Pjesa më e madhe e agjendës së tij tregtare është përqendruar tek Kina. Republikani Trump ka propozuar heqjen graduale të importit të mallrave thelbësore kineze, përfshirë pajisjet elektronike, çelikun dhe produktet farmaceutike, dhe dëshiron t’i ndalojë kompanitë kineze që të kenë në pronësi mbi infrastrukturën amerikane në sektorë të tillë si energjia, teknologjia dhe tokat bujqësore. Pavarësisht se kush i vëndos tarifat e larta, demokrati Biden apo republikani Trump, kjo politikë ka të ngjarë të rrisë çmimet për konsumatorët që tashmë përballen me kosto më të larta të shkaktuara nga inflacioni.
Taksat
Kamala Harris: Nënpresidentja ka premtuar të punojë me autoritetet e shteteve për të anuluar 7 miliardë dollarë borxhe për arsye mjekësore për deri në 3 milionë amerikanë të kualifikuar dhe planifikon të nxisë Kongresin të bëjë të përhershme një ulje taksash për çdo fëmijë të një familjeje, që është në fuqi deri në vitin 2025 për familjet e kualifikuara. Ajo gjithashtu synon të ofrojë një ulje të re taksash për prindërit me fëmijë të porsalindur dhe për punonjësit e shërbimeve të domosdoshme, si edhe për planet e kujdesit shëndetësor. Zonja Harris thotë se administrata e saj do të zgjerojë lehtësimet në taksa për ata që blejnë shtëpi për herë të parë si edhe se do të punojë për heqjen e taksave mbi bakshishet dhe se do të miratojë taksa më të larta për korporatat.
Donald Trump: Ish-presidenti ka premtuar se do të zgjasë afatin e shkurtimeve të taksave të vitit 2017 që miratoi gjatë mandatit të tij. Ky afat skadon në fund të vitit 2025. Kjo paketë uli normën e taksave të korporatave nga 35% në 21% dhe pothuajse dyfishoi lehtësimin e taksave të familjeve për fëmijët. Këto elemente do të mbeten në fuqi nëse një ligj i ri nuk i ndryshon ato, por shumë shkurtime të tjera taksash në paketën e zotit Trump do të skadojnë nëse nuk vepron Kongresi. Zoti Trump thotë se dëshiron të ulë më tej normën e taksave për korporatat - deri në 15% - dhe të shfuqizojë çdo rritje taksash që është bërë nga administrata Biden. Trump premton gjithashtu të eliminojë taksat mbi të ardhurat nga bakshishet – megjithëse për ta bërë një gjë të tillë ndoshta do t’i duhej miratimi i Kongresit. AP