Nga Lutfi Dervishi
Çfarë nuk shkon me Shqipërinë?
Kjo është pyetja që gazetarët e huaj bëjnë më shpesh këto ditë, teksa shohin një protestë që ka mbërritur në ditën e saj të 47-të. Përgjigjet janë të gatshme: rënia e demokracisë, mjedisi, korrupsioni, kriza e besimit. Të gjitha janë pjesë e së vërtetës.
Por ndonjëherë, e vërteta shfaqet më qartë jo në analizat e sterholluara, por në rrëfimet e dy njerëzve që nuk kanë asgjë të përbashkët. Të dy folën dje, më 15 korrik 2026.
E para është një intelektuale që jeton prej 35 vitesh në Francë.
“Kur vij këtu, jeta më kushton më shtrenjtë se në Paris. E lashë këtë vend me byrek dhe po e gjej me byrek. Kur shoh si jetojnë njerëzit, më rrëqethet mishi. Ka një klikë të vogël nëpër zyra e institucione që paguhet mirë, por nuk e kuptoj dot si ushqehet shqiptari i thjeshtë. Si ia del të mbyllë muajin? Për pensionistët, as që dua të filloj të flas.”
I dyti është një i burgosur që sapo ka kaluar pragun e qelisë. Në duar mban disa enë dhe ndalet para mikrofonit të gazetarëve.
“Çfarë do të bësh tani që dole?”“Nuk e di.”
“Si do ta mbash familjen?”
“Nuk e di. Nuk e di. Nuk e di.”
“Pse i ke marrë këto enë me vete?”
“Se bën vaki kthehem prapë. Pse, do t’i blej prapë unë?”
“Nuk t'u bë mësim burgu?”
“Si burgu mësim? Çfarë do të thotë fjala mësim? A bën vaki që njeriu të mësohet të mos mbijetojë? Këtë e llogarit dot ti? Pikë së pari jemi rob të Zotit që duam të jetojmë, pastaj jemi rob të ligjit.”
Gazetarja e pyet nëse ka pasur probleme ekonomike. Ai buzëqesh me hidhërim.
“Po të gjithë me probleme ekonomike janë. Edhe ti me probleme je. Edhe ti skllave je si unë, por ti je skllave shtëpie. Skllevërit e shtëpisë janë pak më të përkëdhelur, kanë mundësi mbijetese, ndërsa populli i thjeshtë nuk e ka zgjidhur ende këtë pjesë.”
Këtu ndalet biseda dhe ndoshta këtu fillon të kuptohet edhe një pjesë e protestës këmbëngulëse.
Po, njerëzit kanë dalë për mjedisin, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për mënyrën se si merren vendimet. Të gjitha këto kanë peshën e tyre.
Por nën të gjitha këto fshihet edhe një pyetje e thjeshtë: a mund të jetojë njeriu me dinjitet?
Kur një zonje që vjen nga Parisi i rrëqethet mishi nga mënyra si mbijeton shqiptari i zakonshëm dhe një burri që sapo ka dalë nga burgu qelia i duket më e parashikueshme se jeta jashtë saj, problemi nuk është më vetëm ekonomik. Është një krizë shprese.
Ndoshta prandaj protesta vazhdon edhe në ditën e saj të 47-të. Jo sepse të gjithë protestuesit mendojnë njësoj, por sepse shumë prej tyre ndajnë të njëjtin ankth: se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të jetosh normalisht në vendin tënd.
Në fund mbetet pezull vetëm pyetja e të burgosurit:
“A bën vaki që njeriu të mësohet të mos mbijetojë?” Dhe ndoshta kjo është edhe përgjigjja më e sinqertë për pyetjen: çfarë nuk shkon këtu?
Deti nuk është “thelë mbi bisht”
Flit, por edhe dëgjo!
Shqipëria që shihte Tan Lamja

