Një histori rozë brenda korridoreve të Gjykatës Kushtetuese mes një gjykatësi dhe një ‘vartëseje’ duket se do të jetë tema e thashethemeve apo dhe lajmeve në redaksitë e lajmeve duke lënë pezull opinionin ‘e uritur’ shqiptar për kësi ngjarjesh.
Një pjesë e bisedave intime mes 2 protagonistëve, (mesazhe të cilat Versus i disponon), por që ende nuk dihen nëse janë të manipuluara ose jo, duket se janë një pragskandali jo vetëm për shkak të ekstrakteve erotike si ‘kafshim krahësh’, ‘puçjesh’ apo ‘tundjesh’ të pahijshme organesh gjenitale.
Historia duket se nis pak më shpejt.
Dorëheqja e njërës për anëtareve të kësaj Gjykate, Elsa Toska, kapi shumëkënd në befasi, duke pasur parasysh dhe luftën që u bë mes ‘elefantëve të politikës’ për emërimet e reja në gjykatën më të lartë në vend.
Largimi për ‘shkaqe personale’ i Toskës riktheu në diskutim aftësinë e kësaj gjykate në dhënien e vendimeve, ndërsa në horizont paralajmërohet një tjetër dorëheqje, ndoshta dhe e detyruar pas një sexskandali.
Ose në mos qoftë dorëheqje, duhet të jetë tërheqje.
Por le ta themi troç: Edhe këtë kishim mangët nga Kushtetuesja!
Dosje të rëndësishme që do ndryshojnë rrjedhën për shumë ngjarje e çështje ‘presin’ në këtë institucion; duke nisur nga masa e sigurisë së Sali Berishës, çështja e Portit të Durrësit deri tek kërkesa e investitorit Pëllumb Gjoka për shpalljen të paadministrueshme të përgjimeve të Sky Ecc.
Shumë interesa lëvrijnë së fundmi në këtë gjykatë, sidomos me nisjen e një sërë hetimesh e arrestimesh pas zbardhjeve nga encrochati apo Sky ecc të dhjetëra ngjarjeve kriminale në vend. Një vendim kundër i Kushtetueses do rikthente në pikën zero SPAK duke ia lidhur përfundimisht duart. Deri më tani vendimi i Kushtetueses në lidhje me këtë çështje dukej i padiskutueshëm, duke marrë parasysh që Strasburgu u çeli dritën jeshile organeve hetuese në Evropë për ti përdorur këto materiale, çka çoi në dhjetëra arrestime eksponentësh kriminalë. A do jemi dhe ne në të njëjtën valë?!
Duket e vështirë për të bërë një parashikim këtyre kohërave, kur gjërat lëvizin skëterrshëm në zyra të kollarisurish, ndërsa ‘screenshote’ mesazhesh qarkullojnë dorë më dorë duke e bërë të duket herë si sajesë e lajthitur, e herë si shfrenim i një individi me pushtet.
E në (mos) qoftë lajthitje, por një aferë seksuale e shkuar keq, a e kemi tani luksin të bëjmë diskutime mbi integritetin moral të gjykatësve?!
E në (mos) qoftë një nga ato paralajmërimet ‘pa emër hë për hë’, historia bëhet dhe më serioze: A e kemi ‘luksin’ të kemi gjyqtarë që vulosin çështje kaq të rëndësishme, por që janë lehtësisht të kompromentueshëm?!
Nëse kjo është një lojë me palë e interesa, pyetja e vetme është: Po pala jonë, interesi publik?!
Duket se ky i fundit është ngatërruar keq mes ‘kafshime krahësh’ dhe qindra fletë dosjesh, e me frikë, do të jetë i vetmi që do të dalë me shenja dhëmbësh në fund./ Versus.al