Nga Fation Gjinaj
Derisa emri i tij u nda masivisht në media, po të kërkoje ‘Martin Cani’ në Google, natyrisht dilte emri i përngjashëm ‘Martin Camaj’, akademik, shkrimtar, albanolog i shquar.
Fill pas raportimeve masive, emri ‘Fan Noli’, dhe ai ‘Fani’ i vërtetë e kam fjalën, kleriku, dramaturgu,, politikani, diplomati, i arti i letrave, muzikanti, e revolucionari për disa, rezultonte i kacafiu në listën e lajmeve online, pasi ‘Fan Noli’, shkolla dhe ngjarja, uzurpuan edhe ‘Googlin’ e mençur, që jo pak ka zhvlerësuar librin dhe shkollën.
Martin Cani, theu miliona zemra, dhe në analizën e asaj ngjarje, as nuk do merrem fare me dinamikën e saj, sepse nuk mbeti kush pa u marrë, nga më i shquari tek më i marri; nga heronjtë që u bënë lolo nëpër ekrane, tek lolot e vërtetë të rendit, sigurisë dhe arsimit; as me sëmundjen e klikimeve duke prekur zemra me pamje ati që mbahej për krahësh (se çfarë i duheshin publikut të gjërë, vetëm gjella e pjella e gazetarisë së sotme mund ti jap dum); as historitë personale që nxjerrin prej dheut trungun familjarë, llogarinë e bankës, biletat e udhëtimit, vaktin e drekës….; as shkrimet e opinionet boshe për të lënë shenjën e marrë protagonizmin me çdo kusht e çmim, duke e këmbyer këtë sëmundje me sedrën, me dinjitetin, me dhimbjen, me të moralshmen.
Vetëm diku të dukemi edhe ne.
Martin!
Sa prej nesh të kemi promovuar, jo si ai që të ngjitem në yllin e yjeve, por siç ti ke qenë prej vërteti?
Sa prej klubeve të futbollit (që sipas një përllogaritje të thjesht me ç’thonin se kishe qenë pranë tyre, do duhej të ishe nja 20 vjeç të paktën), të promovuan, të dhanë atë që meritove, të shpërblyen, të mbajtën larg të ligës?
Sa prej ‘heronjve’ që u përpoqën të të shpëtojnë, janë heronj të fëmijëve të tyre, dhe që ta kenë dhënë këtë shembull?
Martin!
Sa prej këtyre që kanë hapur debatin e madh për rrjetet sociale në duart e fëmijëve, nuk janë nga ata që iu thonë fëmijëve të tyre ‘djali i babit’, ‘cubi babit’, ‘bjeri babi’, ‘luani i babit’, ‘shaje’, ‘rrëzoje’, ‘mbaje ti bim’? Që nuk e vënë fëmijën përballë për ti treguar urdhën e Zotit, por para një pajisjeje vrasëse ku lundron me engjëj e djaj të jetës e të vdekjes, duke i dhënë qetësinë e përkohshme familjes e dramën e jashtëzakonshme shoqërisë?
Martin!
Sa prej mësueseve e mësuesve që të kanë dhënë dije, nuk ndajnë në profilet e tyre sociale, poste të ministrisë së linjës, depitetit zonës apo qeverisë?
Martin!
Tragjikisht shkove, ama do duhej të ishe një rast për të zënë mend, ulur e hapur diskutime mendjesh e jo zemrash e surretërish që gërvishen e qurravitën 2 ditë.
Zoti i krijon Martinët e martirët për ne të gjallët, me na mësu se ata nuk janë mjete për ti dhënë zë sëmundjes tonë për vëmendje, por për ti dhënë zë jetës.
Nëse me vdekjen nuk mësojmë dot, e pasi nuk mësojmë, as nuk qajmë dot, të paktën të mos tallemi!
Ti lëmë të vdekurit të qetë, dhe të presim tonën si të mjerë! Dikush vdes prej shpirtit, dikush prej mendjes e dikush prej trupit!
Sikur të kishte edhe një mundësi tjetër, do ishim shumë-fish më mirë, të vdisnim edhe prej turpit!