OPINION /

Përballja e gazetareve mes ngacmimeve dhe stereotipeve në rritje

Nëse je grua në media dhe ke menduar të bësh një karrierë në këtë profesion, duhet të dish që për dikë je thjesht një objekt i këndshëm për syrin, një person lehtësisht i shantazhueshëm pikërisht sepse je një grua.  

Shkruar nga Versus
Përballja e gazetareve mes ngacmimeve dhe stereotipeve në rritje
Foto ilustruese

Nga Bitila Shira

‘Je simpatike’, ‘Je e shëndoshë/papapa sa e dobët’, ‘S’e bën dot se je grua & të tremb lehtë se je grua’… 

Nëse je grua në media dhe ke menduar të bësh një karrierë në këtë profesion, duhet të dish që për dikë je thjesht një objekt i këndshëm për syrin, një person lehtësisht i shantazhueshëm pikërisht sepse je një grua.  

Sipas vlerësimeve të fundit, 52 për qind e punonjësve në sektorin e medias janë gra. Ato përballen shumë shpesh me sfida të shumta profesionale dhe sociale që ndikojnë jo vetëm në punën e tyre, por edhe në jetën personale dhe familjare. Ngacmimet digjitale, presionet institucionale, pabarazitë në pozicionet drejtuese dhe komentet seksiste janë realitete që i shoqërojnë çdo ditë, siç ndodh në pak profesione të tjera.

Sipas një raporti  të  Rrjetit Safe Journalists “Siguria e gazetareve në Shqipëri 2024”, me autore Blerjana Bino, gazetaret përballen më shpesh me kërcënime, frikësime dhe ngacmime online sesa me dhunë fizike. 

Edhe pse incidentet fizike janë të rralla, ato përfshijnë si persona privatë, ashtu edhe autoritete shtetërore, duke theksuar rreziqet e vazhdueshme për gratë që mbulojnë çështje të ndjeshme si korrupsioni, abuzimi me pushtetin apo dhuna ndaj grave.

Po ashtu ngacmimi online është shndërruar në një shqetësim veçanërisht të përhapur duke kërkuar trajtim urgjent nga autoritetet. 

Gazetaret përballen shpesh me fushata të organizuara shpifjeje, të krijuara për të minuar besueshmërinë e tyre profesionale.

Rrjeti për Sigurinë e Gazetarëve (SJN) ka dokumentuar një rritje të ndjeshme të kërcënimeve online, të cilat dëmtojnë rëndë reputacionin e gazetareve dhe aftësinë e tyre për të raportuar lirisht, shpesh duke çuar në vetëcensurë.

Një anketë e fundit evidenton format më të përhapura të ngacmimeve ndaj gazetareve:

Ngacmimi verbal – 71.4%

Ngacmimi online – 35.7%

Kërcënimet fizike – 21.4%

Ngacmimi seksual – 14.3%

Rreziku dhe presioni shtohen veçanërisht gjatë raportimeve për çështje të ndjeshme si përballja me palë në konflikt, me pushtetin, krimin e organizuar etj, ku gazetaret janë më të ekspozuara ndaj dhunës verbale dhe fizike.

Gaxhja: jam gazetare per të bërë pyetje, jo për t’u komentuar për pamjen

Një nga rastet më të fundit që ilustron këto sfida është ai i gazetares së emisionit ‘Piranja’ Luela Gaxhja. Gjatë një interviste me ministrin e Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ajo e pyeti në lidhje me një projekt të dyshuar abuziv të Bashkisë Berat, në kohën kur ky i fundit ishte në krye të saj. 

Në vend të një përgjigje zyrtare dhe profesionale, ministri i sapozgjedhur, Ervin Demo, iu drejtua live me fjalët: ‘Je shumë simpatike, ciao zemër’. 

Ky lloj fjalori nuk është i panjohur, sidomos në terrenin politik shqiptar. Të mbrojtur nga koraca e përkohshme e pushtetit, shumë zyrtarë shqiptarë janë përpjekur të intimidojnë gazetaret shqiptare me komente seksiste, hera herës dhe denigruese. Kujtojmë këtu  dhe shprehje skandaloze si psh ‘je një prostitutë mediatike’, çka na bën të besojmë se kaq vite  pluralizëm dhe një rrugë çalë- çalë drejt vlerave evropiane, nuk kanë mjaftuar që ngacmime dhe intimidime të tilla të ishin zhdukur nga fjalori i ligjvënësve dhe ligjzbatuesve, së paku. 

E pyetur se si e përjetoi një reagim të tillë nga ministri, Gaxhja thotë për Albania Woman in Audiovisual (AWA) se ishte aty si gazetare, për të bërë detyrën e saj në kërkimin e llogarisë dhe përgjegjësive ndaj të zgjedhurve vendor. “A duhet të ishte në vëmendje të opinionit tregu ‘Green Market’ i paguar nga taksat e qytetarëve të Beratit, por i papërfunduar? Absolutisht po!” 

Luela thotë se kjo nuk ështe hera e parë që përballet me komente seksiste që reduktojnë rolin e saj si gazetare në vend që të fokusohen tek përmbajtja e pyetjeve.”Fatkeqësisht, ndodh shumë shpesh. Gazetaret e reja shpesh gjykohen për mënyrën si duken apo si flasin, në vend që të vlerësohen për përgatitjen dhe profesionalizmin e tyre. Kjo është një barrë e panevojshme. Ne jemi aty për të bërë pyetje e për të marrë përgjigje, jo për të qenë objekt komentesh personale që lidhen me pamjen apo veshjen.”

Ndërsa përsa i përket stereotipeve gjinore, Luela shprehet se këto stereotipe tentojnë të zvogëlojnë autoritetin e vajzave dhe grave në media, por beson se profesionalizmi, këmbëngulja dhe puna e ndershme mund t’i rrëzojë ato: 

“Këto stereotipe tentojnë të zvogëlojnë autoritetin e vajzave dhe grave në media, duke i vendosur në një pozitë ku duhet të “provojnë” më shumë se kolegët burra që janë po aq të afta. Por unë besoj se profesionalizmi, këmbëngulja dhe puna e ndershme janë mënyra më e mirë për t’i thyer këto barriera. Çdo grua gazetare që kërkon të vërtetën dhe hedh poshtë komentet dhe baltën, fiton respektin e publikut pavarësisht paragjykimeve.’’

Lala: Ja cili është sekreti i mbrojtjes nga sulmet  

Një tjetër stereotip i përhapër për vajzat e reja në media është edhe ky: Je aty ku je, për hir të një burri. Patjetër! Nuk mund të ndodhë ndryshe…’

“Shumica mendojnë se një grua është e suksesshme në karrierë për shkak të katapultimit nga një burrë, në një kohë që gruaja në profesionin e vet shfaq aftësi të jashtëzakonshme”, shprehet gazetarja e kronikës me një përvojë të gjatë në gazetari, Klodiana Lala, e cila ka provuar dhe plumbat drejt banesës së saj.  

Lala tregon se vështirësitë më të mëdha që ka hasur si gazetare në vijën e parë të lajmit janë sulmet seksiste, paragjykimet se një grua apo vajzë nuk mund të jetë një gazetare e mirë kronike. 

“Kur një grua bën një investigim, askush nuk merret me thelbin e lajmit, apo të gjetjeve të saj, por me vetë atë”, shprehet ajo. 

Gjithashtu, sipas Lalës gjinia ndikon jo për mirë dhe tek burimet e informacionit si dhe audienca.

“Patjetër që edhe burimet ndikohen për shkak të të qënit grua, por me kalimin e kohës burimet besojnë në integritetin dhe profesionalizmin tënd, qëndrushmërinë  apo forcën me të cilën i trajton ngjarjet. Por ndryshe nga kolegët burra, grave iu duhet më shumë kohë që të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme dhe besimi me burimin.”

Përsa i përket ngacmimeve, kërcënime apo presione të veçanta në profesionin e saj dhe si i ka përballuar, Klodjana tregon sekretin e saj në të bërit gazetari. 

“Ka patur plot raste, por asnjëherë nuk jam trembur, sepse ka një sekret në të bërit gazetari: nëse je i vërtetë, je i mbrojtur.” 

Përsa i përket rreziqeve gjatë raportimit në terren Klodiana shprehet se ka pasur plot raste të cilat sipas saj i ka përballur me kokën lart duke besuar fort në shprehjen: e vërteta zhytet, por nuk mbytet. 

Lista e vështirësive të profesionit, nuk është vetëm jashtë derës së shtëpisë. Orët e zgjatura të punës, mungesat në momentet e bukura e të vështira të familjarëve,  të gërryen gjithashtu. 

“Familja ime ka qenë mbështetëse, në çdo hap. Por unë ndihem disi fajtore, sepse kam munguar shpesh. Pavarësisht përpjekjeve që kam bërë, ndjej se iu kam munguar fëmijëve. E ky është pengu im më i madh”, shprehet Klodjana.

Klodjana thekson se për të mbrojtur dhe përkrahur gratë në profesion, ka gjithmonë si zgjidhje jo paragjykimin: 

“Çdo grua apo vajzë të ndjekë ëndrrat dhe pasionet e saj. Të mos ndalet së përmirësuari veten. Sepse një vajzë apo grua e shkolluar mirë, e kultivuar, me pasione, do të jetë e pavarur. E një grua e pavarur ka mundësinë të ndërtojë një shoqëri e familje të shëndetshme.”

Në vijën e parë të lajmit apo dhe pas kompjuterave në zyrë, sot shumë gra dhe vajza që punojnë në media ndjehen të cënuara fizikisht dhe emocionalisht. Shifrat flasin për rritje të rasteve, ndërsa shoqëria, media e politika duhet t’u japë vendin e tyre profesionisteve , pa stigmatizimin e ‘të qenurit e bukur/e shëmtuar/ apo thjesht grua’. 

Në një mjedis thuajse acid ku respekti profesional shpesh vihet në provë, gratë dhe vajzat gazetare mbeten garanci për raportim të pavarur dhe investigativ, duke treguar se guximi dhe përkushtimi profesional mund të thyejnë barrierat gjinore dhe të ruajnë thelbin e gazetarisë.

 

 

 

 

Poll