Roli i grave në shoqërinë shqiptare ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë tre dekadave të fundit.
Brenda familjes tradicionale shqiptare, e cila është ndërtuar mbi baza patriarkale, gruaja ka qenë gjithmonë shtylla kryesore e shtëpisë: ajo që kujdesej për fëmijët, shëndetin, edukimin dhe mirëmbajtjen e familjes. Për këtë arsye, gratë shqiptare prej kohësh njihen si amvise të përkushtuara, tipar shumë i rëndësishëm i familjeve tradicionale.
Megjithatë, ky rol i rëndësishëm nuk është shoqëruar për një kohë të gjatë me pjesëmarrje në vendimmarrje politike. Në një shoqëri ku fjala e burrit, shpesh e më të moshuarit të familjes kishte peshë absolute, gratë nuk shiheshin si të afta për të marrë poste në qeverisje.
Hapat e parë drejt politikës
Pas viteve ’90, me tranzicionin politik, situata filloi të ndryshonte. Përmes angazhimit në shoqërinë civile dhe më pas në partitë politike, gratë nisën të fitojnë terren në jetën publike. Përfaqësimi i tyre në Kuvend ka kaluar në disa etapa:
Në Kuvendin e vitit 1991-1992 kishte 9 gra deputete, kuvendi 1992-1996 kishte 9 gra deputete, kuvendi 1996-1997, 21 deputete gra.
Kuvendi 1997-2001 kishte 11 deputete gra, kuvendi 2001-2005 , 9 deputete.
Kuvendi 2005-2009 kishte 9 deputete gra, kuvendi 2009-2013 kishte 22 deputete gra.
2017: 24 deputete
2021: 32 deputete
2025: 47 deputete
Ky zhvillim dëshmon një proces të ngadaltë, por të qëndrueshëm, ku gratë kanë kaluar nga një prezencë simbolike drejt një roli gjithnjë e më të rëndësishëm në politikën shqiptare.
Pozitat drejtuese dhe sfidat aktuale
Sot, Shqipëria ka një grua në krye të Parlamentit, një zëvendëskryeministre, disa ministre dhe disa kryebashkiake.
Kjo është një arritje që deri para pak vitesh dukej e pamundur për një shoqëri me rrënjë të thella patriarkale. Megjithatë, sfidat mbeten të pranishme. Në zgjedhjet e fundit,të 11 majit 2025 u vu re se edhe pse gratë ishin pjesë e listave të hapura, ato shpesh nuk arritën të siguronin mandate përmes votave direkte.
Kandidatët meshkuj u mbështetën më shumë nga elektorati, duke nxjerrë në pah: ndikimin e stereotipeve gjinore te votuesit; pabarazi sa i takon mbështetjes nga partitë politike dhe fushata "të zbehta" në favor të kandidateve femra.
Nga përfaqësimi numerik te vendimmarrja reale
Rruga drejt barazisë politike nuk ka përfunduar ende. Përfaqësimi numerik i grave është një hap i madh, por sfida e vërtetë mbetet pranimi i tyre si aktore të plota në procesin e vendimmarrjes. Ky objektiv kërkon ndryshime kulturore, mbështetje institucionale dhe angazhim të vazhdueshëm të shoqërisë civile.
Sot, gratë shqiptare janë të pranishme në çdo fushë: si profesioniste, sipërmarrëse, politikane, gjyqtare, prokurore apo biznesmene. Ajo që përcakton suksesin nuk është gjinia, por përkushtimi, aftësia dhe vendosmëria për të dhënë më të mirën për shoqërinë shqiptare e cila aktualisht ka nevojë më shumë se kurrë për zhvillim të qëndrueshëm social. /Nga Bledi Velia- Shkenca Politike Juridike