Nga: Boris Johnson, Daily Mail
Kjo ishte, ndoshta, skena më neveritëse në gjithë historinë e shëmtuar të diplomacisë ndërkombëtare. Të shihje Putinin të mirëpritur në tokën amerikane, të bënte të ngritej vreri.
Ishte për të vjellë kur e duartrokitën mbi tapetin e kuq.
Ishte përzierje e vërtetë të shihje buzëqeshjen e tij si e Gollumit, teksa bëhej një nga të paktët liderë botërorë që kanë hipur ndonjëherë në limuzinën presidenciale amerikane.
Ishte edhe më e padurueshme ta dëgjoje tek merrte një platformë amerikane për të shpërndarë gënjeshtrat e tij mbi shkaqet e luftës në Ukrainë – një vend që në vitin 2014, kur ai e sulmoi për herë të parë, nuk përbënte absolutisht asnjë kërcënim për Rusinë.
Ndërsa e dëgjoja tek përpiqej, me atë servilizmin e lodhshëm e të parashikueshëm, të lëpinte e njëkohësisht të poshtëronte në mënyrë të fshehtë Donald Trump-in, m’u ngrit stomaku. Jam i bindur se edhe ju ndjetë po njësoj – dhe shumica prej nesh nuk jemi as ukrainas.
Imagjinoni çfarë ndjenje duhet të kishin ushtarët ukrainas nëpër llogore pranë Pokrovskut, duke luftuar për lirinë e vendit të tyre, kur dëgjuan presidentin e Shteteve të Bashkuara – kapitenin de facto të ekipit të “Botës së Lirë” – ta quante Vladimir Putinin “shefi”.
Për të vjellë.
Mendoni për dhjetëra mijëra vejushat dhe jetimët ukrainas. Mendoni për të gjymtuarit, për të plagosurit; mendoni për civilët që jetojnë çdo ditë e natë nën tmerrin e bombave dhe raketave të Putinit – që vazhdojnë të bien, edhe pse të ashtuquajturat negociata po zhvilloheshin në Alaska.
Pyeteni veten si ndihen ata njerëz kur dëgjojnë presidentin amerikan – njeriun që, në njëfarë mënyre, është garantuesi suprem i lirisë dhe demokracisë në botë – të flasë për “marrëdhënien fantastike” që ka me Putinin, një diktator që po torturon vendin e tyre prej tre vitesh e gjysmë.
Ishte një moment i ndyrë, sepse Putini është një kriminel lufte, gënjeshtrat dhe agresioni i të cilit janë plotësisht të ngjashme me ato të Hitlerit.
Dëgjon shpesh qëllimin e Shtëpisë së Bardhë: “të ndalim vdekjet”, ose “të ndalim vrasjet” në Ukrainë, sikur të kishte faj nga të dyja palët. Çfarë marrëzie.
Gjaku i çdo rusi të vrarë në këtë luftë është mbi duart e Putinit. Gjaku i çdo ukrainasi të vrarë është mbi duart e Putinit.
E gjithë masakra dhe tragjedia në Ukrainë është faji i një njeriu të vetëm – sepse sot nuk do të kishte luftë, nuk do të kishte gjakderdhje, nuk do të kishte katastrofë, po të mos ishte për arrogancën e pandalshme, marrëzinë dhe llogaritjet e gabuara të Vladimir Vladimiroviç Putinit.
Prandaj ishte aq e vështirë të duroje pamjen e Putinit që shfaqej si gjel në samitin e Alaskës. Prandaj ngjarja ishte kaq e papranueshme.
Dhe megjithatë, si shumë nga pjesët më të neveritshme të diplomacisë historike, edhe kjo ishte, në njëfarë mënyre, e justifikueshme dhe madje e domosdoshme.
Sado për të vjellë që dukej, Trump kishte të drejtë të provonte. Kishte të drejtë të takohej me Putinin, sepse, nëse miliona ukrainas po e ndiqnin me tmerr reabilitimin me tapet të kuq të tiranit rus, ata po e ndiqnin gjithashtu edhe me shpresë.
Po shpresonin se, ndoshta, ndoshta, ky negociatori i famshëm nga Nju Jorku do të arrinte një zgjidhje që do ta ndalte luftën – por duke ruajtur atë që ata duan dhe kanë nevojë: lirinë, sovranitetin dhe pavarësinë e vendit të tyre.
Donald Trump kishte dhe ka të drejtë të marrë riskun, sepse ai e di se një ditë Putini do të detyrohet të bëjë një marrëveshje. Pozicioni i tij në Moskë është shumë më i dobët nga sa duket.
Ekonomia ruse po kërcet nën barrën e luftës. Papunësia po ngrihet, njësoj si inflacioni dhe normat e interesit.
Putini ka parë një nga klientët e tij më të mëdhenj të naftës – Indinë – të ndëshkuar papritur nga sanksionet sekondare të Trump-it, dhe tashmë raportet e Bloomberg tregojnë shenja se blerësit indianë po largohen nga hidrokarburet ruse.
Më e rëndësishmja: Putini ende nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë kurrë ta shkelë shpirtin e rezistencës ukrainase. Po, situata është shumë e vështirë për luftëtarët ukrainas, dhe po, me përpjekje titanike dhe me kosto marramendëse, Putini ka arritur disa përfitime të vogla në lindje – të sajuara me kujdes për të përkuar me samitin e Alaskës.
Por këto fitore janë frenuar sërish nga ukrainasit dhe, deri më tani – në mesin e gushtit – ofensiva e shumëtrumbetuar ruse për verën e vitit 2025 ende nuk është materializuar, e aq më pak të ketë sukses.
Trump kishte 100% të drejtë të ndiente një shans për paqe, dhe të dëshironte ta arrinte. Ai mendon, ashtu si Benjamin Franklin, se “s’ka asnjë luftë të mirë, dhe asnjë paqe të keqe” – dhe ka të drejtë edhe këtu.
Por u bë e qartë për vëzhguesit e këtij samiti – dhe, besoj, edhe për negociatorët amerikanë në sallë – se Putini nuk dëshiron paqe, të paktën jo me kushte që SHBA apo Ukraina mund të pranojnë.
Kushdo që ka punuar me Trump-in dhe njeh humorin e tij, e kuptoi se ky takim nuk ishte i suksesshëm. Dreka e reklamuar nuk u mbajt.
Nuk pati asnjë diskutim për ndonjë partneritet të ri tërheqës tregtar SHBA-Rusi apo bashkëpunim arktik. Përkundrazi, samiti përfundoi papritur, disa orë më herët se parashikohej, me një konferencë shtypi krejtësisht bosh, ku Trump-i – në mënyrë të jashtëzakonshme – nuk mori asnjë pyetje nga gazetarët.
Takimi pati vetëm një vlerë: që në Alaska Trump u përball ballë për ballë me realitetin.
Putini në thelb kërkon të kontrollojë Ukrainën dhe ta kthejë atë sërish në një shtet vasal të Moskës.
Ukrainasit, në thelb, duan të jenë të lirë – dhe në këtë aspiratë ata kanë mbështetjen afatgjatë të demokracive perëndimore, dhe, thelbësisht, edhe të vetë Trump-it, dhe madje edhe të Melania Trump-it, Zonjës së Parë, e cila po luan një rol gjithnjë e më të madh në formësimin e mendimit të bashkëshortit të saj.
Trump ka kuptuar se kjo nuk ka të bëjë me pasuritë e paluajtshme. Nuk ka të bëjë me gjeografinë apo territorin. Kjo ka të bëjë me fatin.
Ka të bëjë me të drejtën e ukrainasve për të zgjedhur fatin e tyre si një komb i lirë dhe i pavarur evropian.
Dhe kjo luftë nuk do të marrë fund derisa Putini të pranojë të vërtetën: se e ka humbur betejën për fatin e Ukrainës.
Vetëm kur të ndodhë kjo – kur Putini të pranojë një të vërtetë shpirtërore që është e dukshme për këdo që viziton Ukrainën – atëherë do të kemi paqe.
Sinqerisht, dyshoj se Donald Trump do të shijojë titujt globalë të sotëm. Nuk besoj se do t’i pëlqejë ideja se Putini e ka mposhtur, se Trump i shtriu tapetin e kuq një të përbuzuri – dhe shpenzoi shumë kapital politik dhe nuk mori asgjë në këmbim.
Dështimi në Alaska do të forcojë bindjen e tij gjithnjë e më të fortë se e vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë tani është duke shtuar presionin mbi Putinin.
Askush nuk priste vërtet që presidenti amerikan të vendoste sanksione sekondare mbi vendet që vazhdojnë të blejnë naftë e gaz rus – dhe megjithatë ai e bëri.
Po Britania? Po Evropa? Kur do ta kemi guximin të bëjmë të njëjtën gjë? Ky është kontinenti ynë. Ne vazhdimisht kërkojmë lidership nga Amerika – dhe megjithatë, kur ajo na e jep, ne nuk kemi as kurajën të ndjekim.
Një ditë kjo luftë do të mbyllet me një paqe që mbron lirinë e Ukrainës; por, siç tha Trump në Alaska, evropianët – të udhëhequr nga Britania – do të duhet të marrin më në fund përgjegjësinë./Përshtati në shqip Versus.al