OPINION /

Thethin e djeshëm nuk kam për ta harru kurrë!

Shkruar nga Versus

Thethin e djeshëm nuk kam për ta harru kurrë!

Nga Klod Zhivani

Thethin e djeshëm nuk kam për ta harru kurrë!

Jo prej ushtimës së tritolit që i dridhi bjeshkët, as prej pluhurit që u ngjit mbi Alpe, e as prej forcave të policisë, apo pamjes së atij vendi që vetë Zoti ia ka dhuruar bukurinë.

Por… prej një cope buke!

Prej një tavoline malesoresh, të shtruar me lot, me dhimbje, por me shpirt të fortë sa vetë malet.
Të familjes Çarku, të Micanëve.

Godina që u shemb ishte e tyre — ishte ëndrra e tyre, puna e tyre, shpresa që kishte mbajtur familjen aty, në Theth, pa u larguar në Itali, Angli, Amerikë, si gjithë të tjerët.

Por për shtetin, ajo ishte thjesht një ndërtim pa leje. Ashtu si shpiza e drurit që u shemb një natë më parë.

Kur ende mbi qiellin e Thethit valëviteshin retë e pluhurit prej 8 kilogramëve tritol, e kur lotët nuk ishin tharë ende nga faqet, Pellumbi na kapi për krahu:

— Djema, hajdeni te shpija… pushoni, se jeni lodhë edhe ju. Tash Zoti e baftë mirë. Rëndësi ka që jena shnosh e mirë me robt.

Shkuam.

Te shpija e Micanëve, te ai kroni i vjetër që e njeh gjithë Thethi e Dukagjini.

U ulëm në tavolinë pa thënë asnjë fjalë. Se kur ke përballë një dhimbje të tillë, edhe fjalët të ndalen.

Sapo zumë të pimë ujin e freskët të kronit, papritmas, ato gra që vetëm 10 minuta më parë panë si iu shemb jeta përpara syve, shtruan tavolinën.

Bukë, djathë, gjithçka që kishin në shtëpi…

Prapë heshtje.

Si të flasësh, kur njerëz që panë jetën t’u shembë, të ofrojnë gjithçka që u ka mbetur — vetëm mos të të lënë pa bukë e pa respekt?

Ku e gjetën atë forcë, nuk e kam kuptuar as sot.

Por aty mësova një gjë, që shumë herë e kam dëgjuar, e lexuar, por pak e kam përjetuar:

Ka diçka që nuk shembet.

Sado tritol të përdorësh, sado të forta të jenë ligjet, sado fadroma t’u bien mureve.

Zemra e malsorit!

Nderi, bujaria, mikpritja që nuk njeh mposhtje.

Aty, në atë tavolinë të thjeshtë, ku përballë kishim germadhat, pashë monumentin më të fuqishëm që ka Thethi e mbarë malsia:

Jo prej betoni, por prej shpirtit.

Jo prej tullash, por prej zemërgjerësisë.

Jo me urdhra, por me një copë bukë nderi — që flet më shumë se çdo fjalë.

Shpija e Çarkut —Zoti ua shtoftë nderin e bereqetin!

Poll