OPINION /

Zgjedhjet në Gjermani: gjithçka që duhet të dini…

Me reformën e re elektorale parlamenti gjerman do të ketë 630 vende. Partia apo koalicioni që do të sigurojë 316 vende, ka shumicën absolute dhe mund të krijojë qeverinë e re. Kandidat për kancelar i aleancës konservatore CDU dhe CSU është Friedrich Merz, një politikan veteran, i cili ka qenë i izoluar gjatë viteve sa ishte kancelare Angela Merkel.

Shkruar nga Versus

Zgjedhjet në Gjermani: gjithçka që duhet të dini…

Nga Enver Robelli 

Çfarë tregojnë sondazhet e fundit?

Në të gjitha sondazhet për zgjedhjet në Gjermani, të cilat mbahen këtë të diele, prijnë konservatorët e përbërë nga partitë CDU dhe CSU. Për kuptim më të lehtë: CDU është partia e kancelares shumëvjeçare Angela Merkel. CSU është parti simotër e CDU-së dhe vepron vetëm në landin e Bavarisë. Në nivel nacional CSU është pjesë e CDU-së (për shembull në kuadër të grupit parlamentar në Bundestag, siç quhet parlamenti gjerman).

E dyta në sondazhe renditet Alternative für Deutschland (AfD) apo Alternativa për Gjermaninë, një parti e shpallur nga drejtësia si pjesërisht e rrezikshme për rendin kushtetues të Gjermanisë. AfD është parti e ekstremit të djathtë. Ajo ka tri qëllime kryesore: zhbërjen e BE-së në formën e tanishme, krijimin e një alternative kundrejt NATO-s, me fjalë të tjera largimin e Gjermanisë nga kjo aleancë, rivendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike e tregtare të Gjermanisë me Rusinë dhe një kthesë 180-shkallëshe sa i përket ballafaqimit me të kaluarën (lexo: më shumë nacionalizëm gjerman dhe më pak ose fare debat për krimet e Adolf Hitlerit).

Socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz mund të zënë vendin e tretë. Ndonëse as kjo nuk është shumë e sigurt. Tani për tani anketat tregojnë se socialdemokratët mund ta mbrojë epërsinë e tyre ndaj të Gjelbërve.

Tri parti të vogla - liberalët, Die Linke (e Majta) dhe aleanca e politikanes proruse Sarah Wagenknecht - sillen pak mbi ose nën pragun prej 5 për qind.

Kush do të krijojë qeverinë e re?

Me reformën e re elektorale parlamenti gjerman do të ketë 630 vende. Partia apo koalicioni që do të sigurojë 316 vende, ka shumicën absolute dhe mund të krijojë qeverinë e re. Kandidat për kancelar i aleancës konservatore CDU dhe CSU është Friedrich Merz, një politikan veteran, i cili ka qenë i izoluar gjatë viteve sa ishte kancelare Angela Merkel. Raportet mes tyre kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë deri-diku të tensionuara. Merkel ka ndjekur një agjendë liberal-konservatore, ndërsa Merz më shumë anon nga konservatorizmi më rigjid dhe tradicional.

Meqë sipas të gjitha gjasave CDU dhe CSU do të dalin së bashku të parat, pritet që ato të nisin përpjekjet për krijimin e qeverisë së re. Merz ka thënë disa herë dhe shumë qartë se assesi nuk do të bëjë koalicion me partinë e djathtë populliste AfD. Mbetet si opsion një koalicion i CDU dhe CSU me socialdemokratët (nëse mjaftojnë mandatet), nëse jo, atëherë koalicioni mund të zgjerohet me të Gjelbrit. Në rast të tillë, negociatat do të ishin tepër të vështira për shkak të programeve të ndryshme mes këtyre tri partive. Nëse ndonjëra nga tri partitë e vogla futet në parlament (gjasat janë të mëdha), atëherë gjërat ndërlikohen. Tani për tani me siguri relative mund të thuhet se pas zgjedhjeve tri parti do të flasin fillimisht për krijimin e qeverisë: konservatorët (CDU dhe CSU), socialdemokratët dhe të Gjelbrit.

Pse Alternativa për Gjermaninë (AfD) nuk ka asnjë shans të jetë në pushtet?

Të gjitha partitë gjermane kanë përjashtuar çdo bashkëpunim me AfD-në. Për shkak të retorikës së ashpër kundër refugjatëve dhe shpesh të huajve në përgjithësi, AfD i tejkalon të gjitha vijat e diskursit të pranueshëm publik në Gjermani. Eksponentë të kësaj partie kanë premtuar se kur të vijnë në pushtet “do të heqin plehun” (kështu etiketohen partitë e tjera, sidomos ato liberale dhe të majta). Më 2016 një funksionar i AfD-së dhe tani deputet në Bundestag shkroi në Facebook: “Brezi ynë do të vuajë më së shumti nga fakti që (Angela) Merkel po e përmbyt këtë vend me proletariatin e varfër të Afrikës dhe Orientit. Prandaj, çështja e kthimit prapa të këtyre njerëzve do të bëhet një çështje ekzistenciale për atdheun tonë”. Njëri nga funksionarët më të njohur të AfD-së, Björn Höcke, është deklaruar hapur kundër përkujtimit të viktimave hebraike të nazizmit dhe ka kritikuar një përmendore në qendër të Berlinit: “Ne gjermanët, pra populli ynë, jemi i vetmi popull në botë që i kemi ngritur vetes një monument turpi në zemër të kryeqytetit të tij”.

Alexander Gauland, njëri nga krerët e AfD-së në fillimet e saj, ka deklaruar për periudhën e nazizmit: “Ne kemi një histori të lavdishme, e cila zgjati më shumë se 12 vjet. Dhe vetëm nëse e pranojmë këtë histori, do të kemi forcën për të formësuar të ardhmen. Po, ne e pranojmë përgjegjësinë tonë për ato 12 vjet. Por, miq të dashur, Hitleri dhe nazistët janë vetëm një glasë zogu (Vogelschiss) në historinë tonë mbi 1000-vjeçare”. Kjo deklaratë e tij pati nxitur reagime të ashpra, sepse ta quash shfarosjen e hebrenjve vetëm një njollë gati të parëndësishme në historinë gjermane është - thënë më së buti - skandaloze.

AfD gëzon mbështetje të madhe sidomos në Gjermaninë Lindore, paradoksalisht në atë pjesë ku numri i të huajve (përfshirë refugjatët) është më i vogël.

Partitë tradicionale dhe të etabluara i kanë injoruar viteve të fundit problemet që sollën në Gjermani një pjesë e refugjatëve nga vendet arabe, aziatike dhe afrikane. Vetëm në javët e fundit refugjatë nga Siria apo vende të tjera arabe kanë goditur me thikë dhe plagosur rëndë dhjetëra njerëz në qytete gjermane. Gjatë qëndrimit të München, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë, nënpresidenti amerikan JD Vance takoi në një hotel kryetaren e AfD-së, Alice Weidel. Më parë pronari i platformës X (ish-Twitter), Elon Musk, iu drejtua funksionarëve të AfD-së përmes një videomesazhi nga Amerika. Musk pak a shumë u ankua që gjermanët si tepër flasin për të kaluarën e tyre. Sipas tij vetëm AfD e shpëton Gjermaninë.

Çfarë partie është AfD? Ky është shpjegimi i gazetës amerikane “Washington Post”: “AfD (Alternativa për Gjermaninë) u themelua në vitin 2013 për të kundërshtuar mbështetjen e Gjermanisë për shpëtimin e vendeve gjatë krizës së borxhit europian. Partia u rrit shpejt, duke u përqëndruar fuqishëm në një qëndrim kundër emigrantëve dhe kundër myslimanëve pas pritjes nga Gjermania të më shumë se 1 milion refugjatëve në vitin 2015 dhe duke u mobilizuar kundër kufizimeve dhe detyrimeve për vaksinim gjatë pandemisë së koronavirisut. AfD ka kritikuar mbështetje ushtarake për Ukrainën, sanksionet ndaj Rusisë dhe politikat e BE-së për të luftuar ndryshimet klimatike (të cilat manifesti i saj i përshkruan si ‘të udhëhequra nga ideologjia’). Gjithashtu, ajo mbështet daljen e Gjermanisë nga unioni i monedhës euro”.

Cilat janë qëndrimet e partive politike gjermane ndaj Kosovës?

CDU dhe CSU, socialdemokratët, të Gjelbrit dhe liberalët (FDP) janë përkrahës të pavarësisë së Kosovës, angazhohen për zgjerimin e BE-së në Ballkan (përkundër rezervave) dhe prej dekadash kanë punuar për forcimin e institucioneve të Kosovës. Më 2010 ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Kuvendin e Republikës së Kosovës tha: “Pavarësia e Kosovës e ka përmbyllur kapitullin e vendosjes së kufijve dhe copëtimeve në territorin e ish-Jugosllavisë. Harta e Ballkanit Perëndimor është përcaktuar përfundimisht. Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial janë fakte”. Këtij qëndrimi i është përmbajtur edhe kancelarja Angela Merkel, e cila ka theksuar se kufijtë në Ballkan janë të paprekshëm.

Më 15 shkurt 2018 Mitrovicën e Veriut e vizitoi ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel (i partisë socialdemokrate). Vizita u realizua një muaj pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, i cili ishte oponent politik i “Listës Serbe” të kontrolluar direkt nga lideri serb Aleksandar Vuçiq. Gjatë qëndrimit në këtë pjesë të Kosovës, Sigmar Gabriel tha se dominimi i krimit të organizuar në veriun e Kosovës të kontrolluar nga serbët duhet të luftohet. Problemi i krimit të organizuar duhet të trajtohet para se të shqyrtohen çështjet e tjera të hapura mes dy vendeve, tha ai. Këtu kemi një situatë në të cilën nuk funksionon administrata publike dhe krimi i organizuar i mban në dorë levat e pushtetit, shtoi Gabriel. Ata (bartësit e krimit të organizuar) nuk ngurrojnë të vrasin njerëz dhe bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta tolerojë këtë edhe më tutje, nënvizoi Gabriel.

Alternativa për Gjermaninë, ndërkaq, ka qëndrime shumë të ashpra kundër Kosovës. Një deputet i saj e ka quajtur Kosovën “shtet të dështuar” derisa ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it. Shefi i AfD-së, Tino Chrupalla, ka vizituar disa herë Beogradin dhe është takuar me politikanë të regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Lidhur me vizitën e Chrupalla, eksperti gjerman i sigurisë Peter R. Neumann, i cili është i afërt me CDU-në, pati shkruar: “Nuk ka asnjë ide për politikën e jashtme. Por qëndron gjithmonë në anën e agresorit”. Një zëdhënës i AfD-së para disa viteve ka deklaruar: “Kurrë nuk e kam kuptuar se përse kriminelët e UÇK-së, të drejtuar nga CIA, paskan qenë burra më të ndershëm sesa kriminelët serbë luftës serbë”. Ky është vokabulari i AfD-së ndaj Kosovës.

Poll