‘Paketa e Maleve’ prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama, për kryedemokratin Sali Berisha fut vendin në vëllavrasje. Berisha nga dritarja e shtëpisë së tij, ku ndodhet në arrest që prej gati një viti, tha se Rama po kërkon të shpallë poseduesit e tokave në pronarë, prandaj i bën thirrje që të heq dorë nga ky propozim.
“Të dashur miq, përsëri kreu i krimit, në një aktet e para sapo erdhi në pushtet, anuloi ligjin në të cilin investimet në zona malore liheshin 8 vite pa taksa. Dhe ai duke i parë këta banorë si armiq, e hoqi menjëherë këtë.
Investimet e tij në zonat malore nuk bëhen jo sa tuneli i Llogarasë, kurrën e kurrës, por as sa ka vjedhur ai në tunelin e Llogarasë. Pas 11 vitesh, kryehajduti u kujtua paketën e maleve. Dhe përsëri po shkon si hajdut sepse për të ngjallur armiqësi, kërkon të shpallë poseduesit pronarë. Edi Rama, mos fut vëllavrasjen, larg duart.
Toka ka çmimin e tregut. Toka ka çmimin e tregut. Nuk je ti pronar i tokës së të tjerëve për pazaret e tua.
Hiq dorë! U them atyre që duan të investojnë se 8 vite do i kenë të garantuara, por pronën e tjetrit mos e prekni. Larg duart nga prona e tjetrit. Nuk jemi shteti i hajdutëve, nuk jemi shteti i bandave, por jemi shtet i ligjit, i të drejtës dhe do ecim gjer në fund si të tillë”, tha Berisha.
“Paketa e maleve” u prezantuar sot nga Rama, duke thënë se kryetarët e bashkive duhet ta përdorin si instrument për të zhvilluar zonën. Sipas kreut të qeverisë, ajo ka si qëllim për të mbështetur ata që janë jashtë dhe duan të ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t'i kthyer në sipërmarrje biznesi.








