
Në kërkim të mandatit të katërt qeverisës, Partia Socialiste mban sot mitingun e hapjes së fushatës elektorale në sheshin “Skënderbej” në orën 12:00. Ashtu siç vazhdimisht e ka përdorur në retorikën politike, edhe simbolikën e datës 12 prill, kryeministri Edi Rama e lidhi me 12 yjet e flamurit të BE.
Këto zgjedhje, PS synon t’i fitojë me shumicë mandatesh. Gjatë komunikimeve me ndjekësit në rrjetet sociale, Rama e ka përsëritur vazhdimisht se është i bindur që do marrë një shumicë të fortë qeverisëse më 11 maj. Votën e qytetarëve, këtë herë e kërkon për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, gjë që sipas tij, e realizon vetëm PS.
Mitingu i sotëm do të shpalosë objektivin e socialistëve për këto zgjedhje të cilët kërkojnë që të sigurojnë 1 milionë vota. Vazhdimisht Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që pavarësisht problemeve që ka vendi, të votojnë PS duke u premtuar se në vitin 2030 Shqipëria do jetë anëtarësuar në BE.
Dje, kreu i qeverisë zhvilloi një takim me gratë në Teatrin e Operas dhe Baletit ku nënvizoi rolin e tyre në këto zgjedhje duke u dhënë sërish pozicion kryesor sa i takon arritjes së një fitoreje të madhe. Madje ai u shpreh se 60% e mbështetësve të PS janë gra, në raport me 40% burra.
PS garon në këto zgjedhje me zyrtarë të dënuar dhe të burgosur, së fundmi u shtua mes tyre edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Megjithatë Rama e ka përdorur këtë fakt për t’ju thënë qytetarëve se ndëshkimi i “të paprekshmëve” garantohet vetëm me anëtarësimin në BE. Versus.al








