
Drejtuesi politik i PD për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi dhe Jozefina Topalli kanë rrëzuar një deklaratë të bërë më herët nga Belind Këlliçi sa i takon pyetjes nëse Berisha do të jetë kryeministër në rast se demokratët fitojnë zgjedhjet e 11 majit.
Këlliçi u shpreh se ata nuk po përpiqen të bëjnë Berishën kryeministër dhe se ky i fundit e kishte pranuar vetë se nëse PD fiton zgjedhjet do ketë një proces brenda koalicionit për zgjedhjen e kryeministrit.
Ndërsa Bardhi dhe Topalli të ftuar në “Opinion” e hodhën poshtë këtë mundësi duke thënë se kandidati për kryeministër është kryetari i aleancës që në këtë rast është Sali Berisha.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Analistja, Ornela Çuçi: Belindi tha se zoti Berisha nuk do të jetë kryeministri i ardhshëm? A po kandidon zoti Berisha për kryeministër?
Bardhi: Së pari, këtë nuk e caktoj as unë, as askush prej kolegëve të mi. Kandidati ynë për kryeministër është kryetari i partisë, kryetari i aleancës dhe s’ka asnjë diskutim.
Çuçi: A komunikoni ju me njëri-tjetrin para se të dilni?
Bardhi: S’ka asnjë diskutim. Ai që fiton zgjedhjet është kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë.
Topalli: Dhe zoti Berisha do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë pas 11 Majit, sepse në fakt ai po shkruan një histori të re. Po tregon ashtu siç e quante një ish-ambasador amerikan që është një fuqi e natyrës që po mobilizon energjinë, po jep vrull takimeve të jashtëzakonshme që po bëhen në Shqipëri. Versus.al








