
Ervin Salianji ka reaguar lidhur me aludimet për një pjesëmarrje të tij në garën e 23 majit për drejtimin e Partisë Demokratike. Në një lidhje telefonike për A2CNN, ai theksoi se mungesa e rregullave dhe e listave të përcaktuara po favorizon uzurpimin e partisë nga ana e udhëheqjes aktuale.
“Dhe pavarësisht se nuk ka rregulla loje, nuk ka lista të përcaktuara, nuk ka fushatë për kandidatët që t'u lihet kohë për fushatën, nuk ka alternativa që propozohen, vazhdojnë me këtë logjikën e uzurpimit të partisë”, deklaroi Salianji, duke aluduar qartë tek përpjekjet e Sali Berishës për të rikthyer udhëheqjen.
Sa i përket mundësisë që ai vetë të kandidojë, Salianji tha se nuk ka ende një vendim përfundimtar. “Nuk është e përcaktuar se si dhe sa kohë do kenë kandidatët e kështu me radhë. Pra nuk kam një përgjigje në këtë moment”, theksoi ai, duke lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në garë.
Fjala e Salianjit: Kushdo që është në politikë dhe thotë që nuk kam ambicie nuk është i vërtetë, por kjo nuk është një fazë ku unë po diskutoj për ambicien time personale. Unë po diskutoj për rregullat që duhet të jenë në Partinë Demokratike dhe shqetësimi është ky: ndërkohë që ne flasim për rregulla loje, degët e Partisë Demokratike janë masakruar duke përjashtuar demokratë nga gara, duke përjashtuar demokratët nga e drejta e votimit dhe duke përzgjedhur vetëm anëtarësinë e cila i shkon sipas logjikës që mendon lidershipi i partisë, që ka në favor.
Dhe pavarësisht se nuk ka rregulla loje, nuk ka lista të përcaktuara, nuk ka fushatë për kandidatët që t'u lihet kohë për fushatën, nuk ka alternativa që propozohen, vazhdojnë me këtë logjikën e uzurpimit të partisë.
Do të kem shumë shpejt një përgjigje, pasi të shoh një rregullore që përcakton garën, sepse për momentin nuk ka. Nuk ka lista dhe nuk ka një numër anëtarësh të saktë se sa votojnë. Nuk është e përcaktuar se si dhe sa kohë do kenë kandidatët e kështu me radhë. Pra nuk kam një përgjigje në këtë moment.

