
Partia Demokratike deklaroi sot në Kuvend se do të votonte për marrëveshjen e aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes. por në amendamentet e dorëzuara nga PD kërkohet që nga marrëveshja të hiqet emri i kryeministrit Edi Rama me argumentin se Shqipëria përfaqësohet në organizata ndërkombëtare nga institucione dhe jo nga individë. Demokratët nënvizojnë se është e paprecedentë në historinë e vendit që të përfaqësohet nga emra konkretë.
Amendamentet e PD
Me qëllim garantimin e kushtetutshmërisë në projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, vlerësojmë se është e domosdoshme disa ndryshime në përmbajtjen e tij, në përputhje me nenin 121 të Kushtetutës dhe ligjin nr. 43/2016.
Republika e Shqipërisë në organizata ndërkombëtare përfaqësohet nga institucione, dhe jo nga individë. Për këtë qëllim, referimi duhet të bëhet tek institucioni dhe jo tek individët. Është e paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe të së drejtës ndërkombëtare, aderimi apo pranimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare nuk ndodh kurrë që të bëhet me emra konkretë.
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE – KUVENDI I SHQIPËRISË
Për të gjitha argumentet si më sipër, në mbështetje të nenit 71 dhe 75 të Rregullores, propozoj amendamentet si më poshtë:
Amendament 1:
Titulli të riformulohet:
“Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, në Kartën e Bordit të Paqes”.
Amendament 2:
Neni 1 ndryshohet si vijon:
“Ratifikimi i marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, në Kartën e Bordit të Paqes, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij”.
Amendament 3:
Pas nenit 1, shtohet neni 2, me këtë përmbajtje:
“Në përputhje me nenin 2.2, shkronja ‘a’ e Kartës së Bordit të Paqes, Republika e Shqipërisë do të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga Presidenti i Republikës ose me autorizim të tij nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë.”
Sa më sipër, në përputhje me nenin 71 dhe 75 të Rregullores së Kuvendit, propozoj shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve sa më sipër. Versus.al


