Një ngjarje e pazakontë është raportuar mbrëmjen e sotme në Fier, ku sipas burimeve për Versus.al, ka pasur një përplasje fizike dhe verbale mes personave të lidhur me ish-kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj dhe kandidatin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 Majit, dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit , të cilët shoqëroheshin nga forcat operacionale.
Burime zyrtare konfirmojnë incidentin, pranë biznesit të një të afërmi të Kapllanajt. Bkh dhe operacionalja kanë qenë prezentë në zonë, në zbatim të urdhërave përkatëse, kur janë përballur gjatë bëzhgimeve edhe me pajisje të veçanta, me disa shtetas që ju kanë kërkuar llogari. Debati ka nisur fillimisht me argument banal (parkimi) dhe më pas “me kush je ti kush jam unë”, thonë burime të besueshme.
Ende nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi shkaqet e përplasjes, ndërsa mësohet se disa persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje. Policia veç personave prezent ka shoqëruar edhe dëshmitarë që kanë parë ngjarjen. Identiteti i tyre nuk është bërë publik deri tani.
Nga ana e saj, BKH nuk ka dhënë ende një deklaratë të plotë për incidentin, duke theksuar se për momentin nuk mund të japë informacione të detajuara për shkak të ecurisë së hetimeve.
Ngjarja ka nxitur reagime të menjëhershme në rrjetet sociale dhe pritet që ditët në vijim të hedhë më shumë dritë mbi motivet dhe lidhjen e saj me hetime të mundshme që mund të përfshijnë figura të njohura në zonë. Agron Kapllanaj, i përfolur më herët për afera tenderash dhe lidhje me projekte të mëdha publike, duket se është sërish në qendër të vëmendjes së strukturave ligjzbatuese. /Versus.al/








