
“Këshilli Kombëtar nuk thirret, u bë nëntë muaj që nuk thirret. Nuk jemi thirrur në rrugë institucionale. Rruga institucionale nis nga lart poshtë, ne kishim sisa kërkesa e propozime që do të çohen në kryesinë e PD në mbledhjen e parë që ajo do të bëjë.”
Këto ishin kritikat që anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti i bëri ndaj Sali Berishës gjatë një intervistë televizive, duke ngritur shqetësimin se Këshilli Kombëtar ka nëntë muaj që nuk thirret. Alimehmeti kërkoi riorganizimin e plotë të Partisë Demokratike, pasi në verë kjo forcë politike do ti nënshtrohet zgjedhjeve të brendshme.
“Nevojitet riorganizim i plotë, dhe për këtë ju e dini që gjatë muajve në vijim ne kemi mbarimin e të gjithë mandateve tona, në pranverë. Do të ketë zgjedhje brenda në parti, këtu kërkojmë një garë të hapur e të drejtë, që të garohet për çdo pozicion të mundshëm nga fillimi deri në fund, nga i pari tek i fundit, në çdo lloj niveli të hierarkisë partiake”, theksoi Alimehmeti.
Ai kërkoi që PD të bëjë një analizë të thellë për humbjen në zgjedhjet e 11 majit gjë e cila deri më sot nuk është realizuar.
“Dua që PD të garojë e fortë përballë PS dhe të kthehet në garë fitues dhe jo të diskutojmë vetëm analizë humbje. Mund të bëjmë dhe analizë fitoreje, ka zona që janë fituar në zgjedhjet e 11 majit. Do kjo edhe një analizë, do të kuptohet se çfarë u arrit këtu. Po nuk i ftove këta njerëz në grup pune, për të kuptuar se si kjo u arrit, atëherë nuk e bën dot”, deklaroi Alimehmeti në Report Tv.
