
Pas deklaratës së bërë dje nga kreu i PD, Sali Berisha i cili tha se do të heqë vizat me SHBA nëse vjen në pushtet, ka ardhur edhe reagimi i ambasadës amerikane.
Në reagimin e bërë nga e ngarkuara me punë e SHBA, Nancy VanHorn mbyllet çdo derë bashkëpunimi me Sali Berishën i cili që prej vitit 2021 është shpallur non-grata nga SHBA për përfshirje në korrupsion.
“Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë. I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t'u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë. Nxis të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë. Ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor.”- thekson Nancy VanHorn, e Ngarkuara me Punë e SHBA.
Që pas fitores së Donald Trump në SHBA, në kampin demokrat ka pasur një lloj shprese se Berishës mund t’i hiqet non-grata, por mesa duket ambasada e SHBA e ka bërë të qartë se një gjë e tillë nuk do ndryshojë dhe se nuk do të angazhohet në bashkëpunim me persona të shpallur non-grata.
Ky sqarim vjen në një periudhë kur të gjitha palët politike kanë nisur aksionin për të maksimizuar votat në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj të 2025-ës. Versus.al








