
Gjatë takimit të Ervin Salianjit me demokratët e Elbasanit mbajti fjalim edhe anëtari i FRPD-së (Forumi Rinor i PD-së), Arbër Kola i cili kërkoi që të dëgjohet më shumë zëri i të rinjve brenda partisë.
Gjithashtu shprehu mbështetjen për anëtarin e Kryesisë së PD, Salianjin, me bindjen se vetëm brezi i ri demokrat e largon këtë qeveri. Kola kritikoi Foltoren e PD-së e nisur më 2021, si dhe Kuvendit të atij viti që nuk i mbajtën premtimet e dhëna, deri tek Primaret para zgjedhjeve të 11 majit 2025, por edhe ato brenda FRPD-së, ku kryetar sipas tij u zgjodh “një person që nuk kishte as moshën”.
Fjala e Arbër Kolës:
“E kam nisur rrugëtimin tim me shumë kauza dhe protesta, në çdo organizim dhe protestë që kishte slogan largimin e Edi Ramës dhe kthimin e Partisë demokratike në pushtet. Në shtator 2021 unë mora pjesë të Foltorja e PD dhe nuk pendohem aspak se ishte gjëja e duhur dhe zgjidhja e duhur për PD. Por ndërkohë që premtimet Kuvendit të vitit 2021 filluan duke u zbehur, duke mos u mbajtur, duke mos u respektuar, as ato dhe as statuti i PD.
Rasti i fundit paprecedentë ishin zgjedhjet e Forumit Rinor që me raste të paprecedenta, me dhjetëra raste, për t’ia lënë një personi që nuk kishte as moshën e duhur për t’ia lënë FRPD-në. E kështu me radhë proceset e tjera pa fund, sikur ishim Primaret apo zhvillimet e brendshme në votime, por nuk ka bërë akoma një proces të saktë e të mirëfilltë brenda saj”.
E pastaj thonë është i keq Rama, vjedh Rama, manipulon Rama, dakord Rama i keq është, por ti çfarë ke bërë? A ke dhënë një impakt dhe metodë ndryshe, je përballur para qytetarëve me ndryshim. Rama mposhtet vetëm me një antitrup, me të kundërtën e tij. Është i paarritshëm në mënyrën se si manipulon zgjedhjet.
Arsyeja pse ndodhem këtu është i njëjtë si në shtator 2021 për ndryshimin real në PD, zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe mospërdorimi i të rinjve si fasadë por që të jenë vërtetë gur themelimi. Ne jemi partia e rinisë, e themeluar nga studentët dhe është fatkeqësi për ne që përfundojmë në disa figura të cilat nuk riciklohen dot.
Thonë ky është misioni i jetës, por po për misionin tonë a do të fillojmë të flasim? Kam edhe unë një mision, që të qëndrojmë në Shqipëri. Ky mision realizohet vetëm duke larguar Edi Ramën. Fatkeqësisht këta nuk e largojnë dot. Edi Ramën e largon ndryshimi, fytyrat e reja, idetë e reja, e largon rinia. Kjo sallë e mbushur me rini më jep entuziazmin që nga kjo sallë nis një lëvizje që do të përshkallëzohet dhe do të shkojë në të gjithë Shqipërinë”.


