
Mjeku Genc Byrazeri ka dëshmuar sot për orë të tëra para anëtarëve të komisionit hetimor të koncesioneve të Sterilizimit dhe Check Up në Shëndetësi lidhur me rolin e tij si anëtar i komisionit për dhënien e koncesionit.
Gjatë dëshmisë së tij, u zbulua se ai dhe ish-ministri Ilir Beqaj janë kushërinj të parë dhe për këtë u pyet nga Vokshi nëse kishte konflikt interesi për emërimin e tij si anëtar komisioni.
Ai u përgjigj duke thënë se për rastin është konsultuar me kabinetin përkatës dhe i kanë thënë se nuk ka një gjë të tillë. Byrazeri më tej solli ndërmend faktin se asokohe ai njihej në Shëndetësi para Ilir Beqajt.
“Unë kam pasur ftesa paraprake. Jam konsultuar me kabinetin, i cili më ka bërë të qartë që nuk ka konflikt interesi dhe më ka bindur pasi bazuar në ligjin përkatës, nuk e gjej veten as në konflikt faktit, as të mundshëm dhe as në dukje të interesit. Në Shëndetësi mua më njihnin, Ilir Beqajn nuk e ka njohur njeri deri në 2013, ministrat në këtë vend i paçim sa malet, janë ardhacakë dhe ikatarë, është mirë që jemi ne, ata vijnë dhe ik”, tha Byrazeri.
Gjatë dëshmisë së tij, ai i cilësoi si të domosdoshëm koncesionet e dhëna në Shëndetësi me arsyetimin se situata spitalore në vend sa i takon sallave të dezinfektimit ishte në gjendje katastrofale duke e krahasuar me atë të Afrikës Subsahariane. Versus.al








