
Lulzim Basha ka reaguar pas akuzave që kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, bëri kundrejt tij, duke e cilësuar si përgjegjës për vrasjet e 21-janarit.
Ish-Ministri i Brendshëm i asaj kohe shkruan se ka shumë për tu zbardhur nga drejtësia për vrasjet e 21-janarit, duke përmendur si mbështetës të njëri-tjetrit edhe Ilir Metën e Edi Ramën bazuar në marrëdhëniet politike të atëhershme, të këtyre të fundit.
Basha e ka cilësuar Metën si simbol të pandëshkueshmërisë dhe pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve.
Në reagimin e Lulzim Bashës shkruhet:
“Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin. Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund.
Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t'i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast.
Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj”.
Bashkangjitur kësaj Basha ka paraqitur edhe një video ku paralelizon qëndrimin e Metës ndaj Sali Berishës dikur, kur ngrinte akuza për të dhe sot një mbështetës i tij./ Versus.al








