
“BE ndodhet në një periudhë tjetër sa i takon zgjerimit”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama para gazetarëve të cilët e pyetën nëse kishte ende të njëjtin mendim për Bashkimin Europian të cilin e krahasoi me “Godonë”, veprën e shkruar nga Samuel Beckett.
“Nuk e krahasova me Godonë por thashë se dukej si Samuel Beckett që po shkruan skenarin. Ky është moment tjetër, BE ka lëvizur nga të qenit Samuel Becketti dhe tashmë ndodhet në një periudhë të letërsisë romantike franceze. Por në këtë fazë ndihemi më mirë sesa ndiheshim në fazën e Samuel Beketit”- tha Rama.
Ai e cilësoi si sfidë kryesore që Shqipëria të dijë me çfarë të përballet në të ardhmen në prag të anëtarësimit në BE si dhe të analizojë ngjarjet e paparashikueshme që mund të ndodhin në këtë proces.
“Ka dy sfida, njëra është ajo që duhet të bëjmë ne për çfarë pritet prej nesh dhe sfida tjetër është me çfarë duhet të përballemi me të ardhmen, çfarë është e paparashikueshme. Sfida është të dimë sesi këto dy gjëra do bëhen bashkë në një moment të caktuar dhe në momentin kur ne do jemi gati të përfundojmë detyrat. Ndonjëherë ti i ke bërë detyrat por kati tjetër nuk është gati as të të presë. Të shpresojmë që yjet të jenë të linjëzuar në atë mënyrë që fati të jetë me ne”- shtoi kryeministri.
Më tej ai tha se që prej agresionit rus në Ukrainë, BE është bërë më e vëmendshme ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Ka një ndryshim dramatik sa i përket kapaciteteve të BE-së për të dëgjuar. Që nga momenti që Putin i zgjoi fuqimisht me atë që ndodhi. Më vjen keq që u desh ai që BE të zgjohej por shpresoj që të mos i zërë gjumi në të ardhmen”- nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë ndodhet në Bruksel për një takim të thirrur nga presidentja e KE, Ursula Von der Leyen, ndërsa firmosi edhe krijimin e komitetit të Përbashkët Konsultativ që do të shërbejë për të këshilluar vendet e rajonit në rrugën drejt integrimit në BE. Versus.al








