
Pas mbylljes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar Sali Berisha foli për gazetarët në oborrin e Selisë VBlu.
“Është një zhvillim, një ndërgjegjësim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pozitiv. Pavarësisht se po shkërrmoqet, pavarësisht se në agoni, përsëri duhet që populli ta kërrejë Edi Ramën”, deklaroi Berisha.
Një prej gazetarëve e pyeti nëse do të përjashtojë Ervin Salianjin nga PD, ai tha se “nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime, duke nënkuptuar se ish-deputeti po vetëpërjashtohet nga PD.
“Edhe njëherë, me ç’qëndrim kam patur unë për këtë çështje, e kam shprehur si kryetar i PD dhe nuk e lëviz atë… Shih statutin. Nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime”, sqaroi Berisha.
Ndërkohë sot Berisha dhe Salianji kanë vijuar me akuzat në distancë për njëri tjetrin.
Berisha akuzoi Salianjin se është takuar me Suel Çelën, një eksponent të njohur të botës së krimit, duke shtuar se organizimin me mbështetësit në Elbasan ia kishte mundësuar Suel Çela.
Nga ana tjetër Salianji iu përgjigj kreut të PD-së duke thënë se akuzat ishin të pabaza pasi takimin me Suel Çelën as që e kishte imagjinuar ndonjëherë ta bënte, por ishte vetëm takim me anëtarët e PD-së.





