
Prokuroria e Posaçme ka zgjedhur datëlindjen e ish-kryeministrit Sali Berisha për të dorëzuar në Gjykatën e Posaçme dosjen me 333 fashikuj ku kryedemokrati është marrë i pandehur nën akuzën e korrupsionit pasiv sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ditën e nesërme pritet hedhja e shortit për përzgjedhjen e gjyqtarëve të cilët do të jenë pjesë e trupit gjykues gjatë seancave që do të mbahen për këtë çështje, ndërsa është përjashtuar emri i gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën Berisha ka patur pretendime se vendimet e marra prej saj janë të ndikuara politikisht.
Në këtë ditë, Berisha feston 80 vjetorin, në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.
SPAK e pati njoftuar mbylljen e hetimeve që më 23 shtator, ndërsa 2 ditë më pas avokatja e Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për të firmosur dhe për të marrë në dorëzim dosjen.
Në total të pandehur për aferën, janë marrë 5 persona nën akuza të ndryshme, konkretisht:
Ish-kryeministri Sali Berisha në arrest shtëpie prej muajit dhjetor, akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij
Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës dhe një prej trashëgimtarëve të pronave në ish-kompleksin sportiv të Partizanit, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash
Fatmir Bektashi, ndërtuesi i kullave në kompleks, akuzohet për korrupsion aktiv të zyrtarëve të lartë, në këtë rast të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe për pastrim parash
Andia Pustina, juristja që ka kryer veprimet proceduriale në kalimin e pronësisë, akuzohet për pastrim parash
Xhimi Begeja, kushëri dhe ortak i Jamarbër Malltezit, akuzohet për pastrim parash.
Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë paraqitjes së tij në SPAK ku iu njoftua marrja si i pandehur ndërsa jashtë e prisnin qindra militantë, akuzoi kryeprokurorin e posaçëm Altin Dumanin se kishte marrë urdhra nga kryeministri Edi Rama për çështjen ndaj tij dhe se e gjithë kjo po bëhej për të dëmtuar opozitën në prag të zgjedhjeve parlamentare 2025. Versus.al








