OPINION /

Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit

Magnituda e këtij ‘tërmeti’ në selinë blu e ‘detyroi’ të rikthehej në krye të PD-së edhe njëherë Sali Berishën. Tashmë 80 vjeç, me një tjetër bast të vështirë në tavolinë.

Shkruar nga Versus

Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit

Ishte viti 1990 kur Sali Berisha, një personazh i panjohur për publikun u shfaq mes disa studentëve e profesorëve të cilët guxuan të kundërshtonin regjimin komunist, fillimisht me disa kërkesa ekonomike e më pas me ato politike, që atyre kohërave artikuloheshin nën zë, kryesisht në kryeqytet. Rrethinat e Shqipërisë së vogël, ishin aq të izoluara saqë ndiqnin lajmet që vinin nga Tirana me zemër të mekur e sy të shqyer.

Studentët e pedagogët të cilët u ngujuan në grevë urie në ambientet e Kinoklubit të Qytetit Studenti ishin të parët që nisën negociatat me sekretarin e parë të Partisë së Punës, Ramiz Alia, por pak javë më vonë të gjithë u panë të silleshin si satelitë rreth figurës së Sali Berishës.

Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
Sali Berisha në takim me Ramiz Alinë

“Në protestat e ’90-ës u kuptua që Berisha do të ishte kryetari i partisë. Ai merrte vendime, të cilat ne si merrnim dot’, kujtonte më vonë Besnik Mustafaraj, një prej bashkëudhëtarëve më të ngushtë të tij në politikë, derisa dhe kjo marrëdhënie e kreu ciklin e saj. Por në fakt Mustafaraj ndoshta ishte dhe nga të vetmit që kuptoi ambiciet e një njeriu që nuk u shfaq në një pikë kthese historike të Shqipërisë, thjesht prej një thirrjeje të brendshme të kohës.

“Pas një takimi me Alinë i cili kishte çelur dritën jeshile për pranimin e pluralizmit në vend, i thashë gjithçka mbaroi. Jo,- më tha, tani fillon. Aty kuptova kafshën politike te Sali Berisha”, kujtonte Mustafaraj gjatë një interviste televizive. 

Më 22 mars 1992 Partia Demokratike e Shqipërisë fiton zgjedhjet e para duke i dhënë Berishës, deri më atëherë një mjek kardiolog postin e presidentit, që deri në atë kohë e mbante Ramiz Alia, për të udhëhequr në atë që mund të konsiderohet si “epoka Berisha I”.

Shqipëria, e dalë pa përplasje civile nga regjimi komunist, në përpjekje për t’u ‘bërë si e gjithë Evropa’ e për të kapërcyer shumë shpejt tranzicionin nga një ekonomi e centralizuar në atë të tregut, ishte terreni perfekt për politikanët postkomunizëm. Pothuajse të gjithë u mbështetën si aktorë të rëndësishëm, veçanërisht Berisha i cili thuhej se atë kohë kishte ‘carta bianca’ nga Evropa e sidomos SHBA.

Vizita e James Baker një vit më parë, në qershor të vitit 1991 ishte si një prelud i pushtetit të mëpasshëm të Sali Berishës, i cili u shfaq krah zyrtarit të lartë amerikan në një miting madhështor ku morën pjesë 300 mijë shqiptarë.

Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
James Baker dhe Sali Berisha
Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
Mitingu i James Baker në Tiranë

Por shumë shpejt Shqipëria me president Sali Berishën kolapsoi në dhunë, prag konflikti civil duke kulmuar në zgjedhjet e majit 1996, ku situata precipitoi në përplasje të dhunshme politike.

Akuzat për manipulim në shkallë të gjerë të zgjedhjeve, nxorën në shesh deputetët dhe mbështetësit e të majtës në vend, ndërsa pamjet me fytyrat e përgjakura të figurave të rëndësishme të 3 partive opozitare ishin mëse shqetësuese. Shenjat kishin nisur më shpejt për socialistët, të cilët vuanin ende stigmën e prejardhjes së tyre politike; me arrestimin e liderit të tyre, Fatos Nano.

Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
Fatos Nano në burg
 
Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
Deputetët e dhunuar gjate protestave maj 1996

Ndërkombëtarët artikulojnë qartë shkeljet. Raporti i vëzhguesve të ODIHR-it, i publikuar më 2 korrik 1996, theksonte se: “Kodi Zgjedhor është shkelur në mënyrë flagrante. Zgjedhjet janë kompromentuar, janë shkelur 32 nga 79 nene të Kodit Zgjedhor”.

Këshilli i Europës përmes një rezolute u shpreh: “Zgjedhjet janë njollosur nga dhuna dhe parregullsitë”. Më 21 qershor, Departamenti i Shtetit i dha një tjetër shuplakë të fortë qeverisë: “Një hap prapa në krahasim me zgjedhjet e mëparshme”.

Mjedisi politik dhe ekonomik në Shqipëri erdhi vetëm duke u përkeqësuar. Berisha u paraqitej ndërkombëtarëve si një “lider tepër joshës”, si një model anti-komunist, ndërsa përgjatë një viti marrëdhëniet e tij me median, (madje dhe me përfaqësi ndërkombëtarësh) arriti pikën e vlimit.  Në 3 mars 1997 digjet redaksia e gazetës ‘Koha Jonë’, një nga mediat që kundërshtonte fort qeverisjen e djathtë e konsiderohej si ‘zëri jo zyrtar’ i ambasadës amerikane në Tiranë. Gazetarët dhe kundërshtarët rriheshin rrugëve, ndërsa Shqipëria ndodhej në gjendje të jashtëzakonshme pas krizës që la pas falimentimi i firmave piramidale. Vendi ishte në duart e Komiteteve të Shpëtimit Publik dhe bandave të armatosura, e sidomos në Jug të vendit. Thirrjet nga ndërkombëtarët për dorëheqje të Sali Berishës, pas protestave masive në vend po shtoheshin. Ky i fundit largohet nga detyra në 24 korrik të vitit 1997, por duke mos hequr dorë nga drejtimi i PD-së.

Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
Rebelimi i vitit 1997

Në pushtet rikthehen të majtët, tashmë me liderin e liruar nga burgu, Fatos Nano, por vrasja e Azem Hajdarit, një nga figurat kryesore të lëvizjes studentore, rikthen kaosin në rrugët e kryeqytetit.

E organizuar apo jo si një grusht shteti, 14 shtatori 1998 do të mbahet mend si data kur tanket pushtuan rrugët e kryeqytetit. Dy ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, kortezhi mortor ishte nisur për në varreza, por kalimi përmes Bulevardit Dëshmorët e Kombit e devijoi arkëmortin drejt dyerve të Kryeministrisë. Një valë e re dhune pushtoi kryeqytetin, ndërsa një sërë institucionesh ranë në duart e njerëzve të armatosur. Sërish një skërmitje dhëmbësh nga ndërkombëtarët, duket se e bindën Berishën të kuptonte se do t’i duhej të vinte në pushtet nga kutitë e votimit.

Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
Tanket “pushtojnë” Tiranën 2 ditë pas vdekjes së Azem Hajdarit
Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
Tanket “pushtojnë” Tiranën 2 ditë pas vdekjes së Azem Hajdarit

 Fillimvitet 2000 ‘sollën’ një Berishe opozitar këmbëngulës, por të qetë. Mazhoranca socialiste po shkonte drejt vetëkonsumit dhe gërryerjes nga korrupsioni, ndërsa në sfond dukeshin zgjedhjet e vitit 2005. Me pakënaqësinë popullore ndaj qeverisë së majtë dhe moton ‘Me duar të pastra’, Sali Berisha fiton zgjedhjet e përgjithshme duke u rikthyer kësaj here si kryeministër. Vitet 2005-2009 dhe një pjesë e mandatit të dytë shënuan vitet më të suksesshme të qeverisjes së tij. Ndërhyrja në infrastrukturë, veçanërisht ndërtimi i Rrugës së Kombit, hyrja e Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave janë ende arritjet më të mëdha që ka bërë Shipëria në 34 vite post komunizëm.

Por cikli politik do të bënte të veten; një aleancë me LSI-në dhe Ilir Metën, ‘blloku i zi’ i të cilit nxori në shesh mijëra qytetarë dhe përfundoi fatalisht me 4 të vdekur nga armët e Gardës, si dhe aksidenti në fabrikën e demontimi në Gërdec me 26 të vdekur shpërfaqën korrupsionin e madh qeveritar, ia bënë pis 'duart e pastra' me të cilat ai erdhi në pushtet.

Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
Foto nga "21 janari"
Berisha dhe 'kafsha politike', si bast i fundit
4 protestuesit e vrarë në 21 janar

Përpos të gjithave, marrja e një mandati të tretë për Berishën dukej një mision i pamundur, tashmë në prag të 70-vjetorit.  Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, ai i dorëzon stafetën e kryeministrit Edi Ramës dhe atë të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Bashës. Sigurisht, jo atë të deputetit. E sigurisht jo ndikimin e tij në PD.

Rreth 1 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, ku Berisha ishte zgjedhur sërish deputet me listat e mbyllura, Departamenti Amerikan i Shtetit e nominon ‘non grata’ së bashku me familjen e tij për ‘korrupsion madhor dhe minim të demokracisë’. Magnituda e këtij ‘tërmeti’ në selinë blu e ‘detyroi’ të rikthehej në krye të PD-së edhe njëherë Sali Berishën. Tashmë 80 vjeç, me një proces gjyqësor mbi shpinë dhe me një tjetër bast të vështirë në tavolinë. 

Vetëm se kësaj here nuk ka ‘carta bianca’ nga të plotfuqishmit, është vetëm kafsha politike!/Versus.al

Poll