
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha organizoi pasditen e sotme “Foltoren” në zonën e Kombinatit në Tiranë. Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se është fajtor që demokratët po qëndrojnë në opozitë prej 13 vitesh.
“Unë, jam i vetëdijshëm se ju me të drejtë jeni të dëshpëruar, jeni të lodhur, të mërzitur, një opozitë e pamerituar 13 vjeçare është stërmunduese.
Jam i vetdijshëm se armiku që ne kemi përballë nuk respekton asnjë rregull, por nga ana tjetër jam i vetëdijshëm dhe i sigurtë se ne së bashku sot, jemi në prag të përmbushjes së misionit tonë historik të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura, apo diktatura autokratike, e cila në shumë aspekte ka shkatërruar dhe dëmtuar qënien shqiptare më shumë se çdo regjim tjetër në tërë historinë e këtij vendi”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së, akuzoi Ramën se është sjellë me armiqëi me demokratët, duke e krahasuar me regjimet autoritare.
“Edi Rama është sjellë me opozitën me të njëjtën moral, me të njëjtën urrejtje, me të njëjtën armiqësi të paraardhësve të tij.
Natyrisht, nuk është më koha e diktaturave totalitare ku pluralizmi ndalohej me Kushtetutë, por sot ky përdor çdo mjet për të shtypur pluralizmin, për të shtypur opozitën.
Përveç gjahut të shtrigave që bën ndaj opozitarëve, punës së tyre, bizneseve të tyre e me radhë, nuk ngurron të arrestojë, persekutojë, njëlloj si etërit e tij, drejtuesit e opozitës. Edi Rama në këto 13 vite shkatërroi institucionin më themelor të demkracisë, por edhe të dinjitetit, votën e lirë. Ai qendron në pushtet duke plaçkitur votën”, deklaroi Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se Rama “plaçkiti” edhe votat e opozitës duke e dobësuar këtë të fundit për shumë vite./Versus.al

