
Sali Berisha ka organizuar pasditen e sotme Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë dhe u vodhën nga Edi Rama i mbështetur sipas tij nga bandat kriminale. Kreu i PD-së, deklaroi se kush mendon se Rama ka fituar zgjedhjet mashtron veten ose është i mashtruar.
“Ata që duan të fajësojnë opozitën për farsën bëjnë një gabim të madh, në substancë , me dashje ose pa dashje justifikojnë farsën. Sepse për çdo qytetar, politikan që ka të qartë procesin zgjedhor ai e di se nëse gara zhvillohet mes shtetit elektoral dhe partive politike, ajo nuk është garë po është farsë. Në rast se qeveria në një provës zgjedhor dhuron 65% të zgjedhësve, 100 euro për votë, ajo nuk është zgjedhje, por është farsë.
Në rast se qeveria fal dy ditë para zgjedhjeve dy miliardë euro gjoba dhe kamata, nuk është zgjedhje por farsë. Në rast se qeveria licencon në mes të fushatës elektorale mbjelljen e 28 mijë hektarë kanabis, ajo është farsë dhe njëra prej tyre mjafton për të shkatërruar një proces zgjedhor”, u shpreh Berisha.
Berisha akuzoi Ramën se përfshiu në fushatën elektorale punonjësit e administratës për të mbledhur vota për Partinë Socialiste.
“Nëse qeveria mobilizon rrogëtarët e paguar si agjent elektoral, me paratë e taksapaguesve, administratën shtetërore, përdor të gjithë logjistikën e saj, përdor të gjitha mjetet e saj, fuqinë ekzekutive, ato nuk janë zgjedhje, por farsë.
Në rast se ndonjë njeri mendon se Rama fitoi zgjedhjet, mashtron veten dhe është i mashtruar. Në rast se përdor bandat më të rrezikshme të Europës, si Troplinët, Suel Çelën, Bajrat e Shkodrës, xhabaftët e Vorës dhe u jep atyre listën për 28 deputetë, ata nuk janë zgjedhje por farsë”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë u vu re, mungesa e Ervin Salianjit, pasi ditën e sotme Berisha hodhi akuza kundër tij, se mbledhjen me mbështetësit e PD-së, në Elbasan ia kishte organizuar Suel Çela./Versus.al

