POLITIKË /

'Beteja' për mandatin e 11 majit/ Lapaj në Kolegjin Zgjedhor, sot vendimi që përcakton fatin e koalicionit

Lapaj, i cili ka depozituar ankimimin më 4 gusht pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, kërkon që të njihet si fitues i mandatit, duke u mbështetur te votat preferenciale të qytetarëve.

Shkruar nga Versus
'Beteja' për mandatin e 11 majit/ Lapaj në Kolegjin
Endri Shabani/ Adriatik Lapaj/ Kleana Xhuveli

Sot, në orën 10:00, Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë padinë e Adriatik Lapajt ndaj KAS-it dhe KQZ-së, lidhur me mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Lapaj, i cili ka depozituar ankimimin më 4 gusht pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, kërkon që të njihet si fitues i mandatit, duke u mbështetur te votat preferenciale të qytetarëve.

Ai gjithashtu kundërshton vlefshmërinë e tërheqjes së dorëheqjeve nga dy kandidatë të listës: Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, dhe Kleana Xhuveli, kushërira e tij, të cilët KQZ i kishte shpallur fitues.

Sipas marrëveshjes paraprake të koalicionit, emrat e listës së mbyllur duhej të dorëzonin mandatin, në mënyrë që në Kuvend të hynte kandidati më i votuar i listës së hapur.

Por tërheqja e Kordonit nga dorëheqja pengoi hyrjen e Lapajt në parlament. Në këtë situatë, Kleana Xhuveli, e renditur e katërta në listë, shpalli gjithashtu ambicien për të marrë mandatin. KQZ ia dha mandatin Xhuvelit, por më pas KAS vendosi që ai t’i kalojë Ana Dajkos, kandidate e para në listë.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor që pritet sot do të jetë përcaktues përfundimisht për certifikimin zyrtar të rezultatit të 11 majit./Versus.al

Poll