POLITIKË /

Celibashi: Rinumërimi i votave nis javën që vjen, realizohet nga KQZ-ja! Votimi nga jashtë, ishte model

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka njoftuar sot në një konferencë për mediat se rinumërimi i plotë i votave në qarqet Tiranë dhe Fier pritet të nisë javën e ardhshme, konkretisht të hënën ose të martën.

Shkruar nga Versus
Celibashi: Rinumërimi i votave nis javën që vjen, realizohet nga
Ilirjan Celibashi

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka njoftuar sot në një konferencë për mediat se rinumërimi i plotë i votave në qarqet Tiranë dhe Fier pritet të nisë javën e ardhshme, konkretisht të hënën ose të martën.

"KAS do të vendosë dhe disponojë mbi cdo element të këtij procesi të rinumërimit. Bëhet fjalë për rinumërimin e rreth 610301 vota për të dy qarqet, Tiranën dhe Fierin. Parashikojmë që të fillojë të hënën ose të martën e javës që vjen.”- njoftoi Celibashi.

Celibashi theksoi se ky proces do të zhvillohet ekskluzivisht nga stafi i KQZ-së, ndryshe nga procesi fillestar i numërimit që u krye nga komisionerë dhe numërues të caktuar nga partitë politike.

“Ky proces do të realizohet nga stafi i KQZ-së. Partitë politike nuk do të kenë asnjë angazhim në të. Kjo është një qasje krejtësisht e ndryshme nga procesi i mëparshëm, i cili u zhvillua nga përfaqësues politikë”, deklaroi Celibashi.

Sipas tij, rinumërimi është vendosur nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), pas kërkesave të dy anëtarëve të këtij organi dhe mbi bazën e pretendimeve të ngritura nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë.

“Pretendimet janë ngritur duke u bazuar në dokumentacionin dhe pamjet filmike të ofruara nga KQZ. Kjo tregon se sistemi i administrimit dhe mbikëqyrjes së numërimit ka funksionuar siç duhet, sepse u ka mundësuar kandidatëve të artikulojnë shqetësimet e tyre”, shtoi Celibashi.

Kreu i KQZ-së ka rrëzuar pretendimet e opozitës lidhur me cenimin e votës nga Diaspora. Duke e cilësuar si proces model, Celibashi thotë se ndonëse ka patur disa episode duke përmendur këtu Greqinë, kjo nuk e zhbën suksesin e votës nga Diaspora.

“Procesi i votimit nga jashtë pa droje dhe hezitim është zhvilluar në mënyrë model. Episodet si në Greqi, me bindje asesi nuk e cenojnë këtë proces. Jam i ndërgjegjëshëm që për opozitën nuk qëndron kjo, por unë jam i bindur për këtë. Kursimi i parave nuk e ka cenuar standardin e procesit.”- tha Celibashi.

Ai zbuloi se shifra e kursyer nga kontrata me DHL është rreth 1.5 deri në 2 milionë euro.

Për të garantuar përmbylljen e rinumërimit brenda afateve, Celibashi njoftoi se gjithë administrata e KQZ-së do të jetë në punë pa ndërprerje, përfshirë edhe muajt korrik dhe gusht, ndërsa lejet vjetore të stafit janë anuluar.

Procesi pritet të zgjasë 18 deri në 20 ditë, pa llogaritur kohën për trajtimin e ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor.

“Të paktën edhe gjysma e parë e gushtit do na gjejë ende të angazhuar me zgjedhjet e 11 majit,” përfundoi Celibashi.

Në total, do të rinumërohen rreth 610,301 vota për të dy qarqet, ndërsa çdo element i procesit do të shqyrtohet dhe miratohet nga KAS, që ka të drejtën për të marrë vendime përfundimtare mbi të. Versus.al

Poll