Partia Demokratike ka refuzuar të ulet në konsultime me presidentin Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare 2025.
Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, e cilësoi procesin si ‘farsë’ dhe tha se data e zgjedhjeve është paracaktuar nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Taulant Balla dhe se presidenti vetëm do të nënshkruajë.
“Tashmë Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.”- shprehet Bardhi.
Dje partitë e vogla u konsultuan me presidentin Begaj për datën e zgjedhjeve. Para mediave, krerët e partive opozitare u shprehën se i shprehën presidentit kërkesën që data e zgjedhjeve të caktohet para 9 majit e cila është data kur mbahet samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. Sipas tyre duhet që zgjedhjet të mbahen më parë kësaj date pasi eventi mund të përdoret për qëllime elektorale. Ata propozuan datën 4 maj si më të përshtatshmen.
Sot në presidencë mbërritën përfaqësuesit e PL të cilët e cilësuan Begajn si “noter” të vendimeve që merr qeveria. Ndërsa thanë se çdo datë për ta është e pranueshme përveç asaj të cilën e kërkon Balla.
Ndërkohë, pritej që më 25 nëntor në presidencë të shkonin përfaqësuesit e PS dhe PD për konsultimet mbi datën e zgjedhjeve, por tashmë demokratët e kanë refuzuar një gjë të tillë. Versus.al