
Pasi Shoqata e Prokurorëve reagoi në mbështetje të deklaratës së bërë nga Shoqata e Gjyqtarëve duke kërkuar që rroga e këtyre të fundit të mos ulej, ka reaguar sërish kryeministri Edi Rama.
Ai tha se magjistratët konsiderojnë “ulje page” një pagë e cila nuk është në nivelin e pritshmërive të tyre. Ndërsa tha se qeveria nuk ka patur asnjë tentativë për t’u ulur pagat gjyqtarëve.
Në mbyllje të reagimit të tij, Rama ngriti pyetje ndaj shoqatës së Prokurorëve për numrin e lartë të të paraburgosurve në vend, duke thënë se Shqipëria renditet si ‘dele e zezë’ në Evropë.
Postimi i plotë i Ramës në rrjetin “X”:
Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re - ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim - e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!!
Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!
A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi?
Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!
Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!
Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë!
Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!
Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re:
Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?! Versus.al



