
Deputetët e mazhorancës, anëtarë të komisionit hetimor për “Sterilizimn’ dhe “Check Up”, kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj audituesit të KLSH, Bexhet Zeqiri me pretendimin se ky i fundit kishte refuzuar të dëshmonte gjatë thirrjes së tij në komision.
“Gjatë seancës së pyetjeve dhe konkretisht gjatë pyetjeve të realizuara nga ana e Zv/Kryetari i Komisionit, në shkelje të parashikimeve të Kodit të Proçedures Penale, .z Zeqiri refuzoi në mënyrë të perseritur që të dëshmojë, pavarësisht vënies në dijeni për detyrimin e tij ligjor për të dëshmuar dhe dhënë shpjegime për punën e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar.
Nisur nga tërësia e fakteve dhe rethanave të cituara më sipër, vlerësojmë se ka të dhëna për fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit të kallëzuar z. Bexhet Zeqiri, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimit për të dëshmuar” parashikuar nga neni 307 i Kodit Penal. Kjo është hera e parë që një deshmitar i thirrur në Komisionin Hetimor, refuzon hapur t’i përgjigjet pyetjeve të bëra nga ana e Komisionit, duke shënuar një rast të rrezikshëm për autoritetin e veprimtarisë së një komisioni parlamentar dhe produktit të tij. Ky rast hap rrugën e refuzimit për të deklaruar nga deshmitari i thirrur nga ana e komisioneve hetimore, duke dëmtuar në thelb jo vetëm reputacionin e këtij instrumenti parlamentar, por duke krijuar premisa për të dështuar punën e komisionit në marrjen e një prove kaq të rendësishme, siç është dëshmia”- thuhet në kallëzim.
Shkak për padinë duket se është bërë një përplasje mes deputetit socialist, Plarent Ndreca dhe audituesit të KLSH, një javë më parë Bexhet Zeqiri pasi ky i fundit nuk ka pranuar të përgjigjet mbi kualifikimet e tij teksa ndodhej në komisionin hetimor për koncesionin e “Sterilizimit” dhe “Check Up” në Shëndetësi.
Zeqiri i cilësoi pyetjet si paqëndrueshme në rrethanat kur pretendoi se ishte pranuar si audites. Ndreca pretendoi se Zeqiri po mbante krah politik me qëndrimin e tij. Versus.al








