Marrja në pyetje e audituesit të KLSH-së Bexhet Beqirit ka shkaktuar debate të ashpra ka pasur në komisionin hetimor të Shëndetësisë.
Shkak u bënë pyetjet për kualifikimet e audituesit nga anëtarët, të cilat Beqiri i cilësoi si jo me vend.
Nga ana tjetër, deputetët Ndreca dhe Vokshi akuzuan Beqirin se kishte probleme personale me ta.
Ndreca: Nuk mund të vlerësosh pyetjet e një anëtari komisioni, nuk je këtu për të audituar se më duket e ke ngatërruar çështjen, je këtu për t’ju përgjigjur pyetjeve. Të sugjeroj as mos të bëhesh palë as mos të marrësh krah. Je nën përgjegjësi ligjore për këtë çështje. S’mund të më thoni është pyetja brenda apo jo objektit të komisionit. Pyetja ishte a i keni marrë ato kualifikime që thatë brenda KLSH, si pasojë e një procesi kualifikimi në institucion apo jashtë tij.
Beqiri: Po, këto pyetje që po më bëni nuk m’i keni bërë kur ju kam audituar, më keni pranuar si auditues, apo jo.
Vokshi: Prandaj e keni si duket personale.
Ndreca: Meqë më paskeni audituar, raporti ka qenë aq i shkëlqyeshëm sa unë s’të mbaj mend as fytyrën dhe as emrin.
Vokshi: Je në konflikt interesi, nuk mund ti bësh pyetje.
Ndreca: Po bëheni qesharakë.
Vokshi: Nuk shfrytëzon dot postin e nënkryetarit për të intimiduar auditorët e KLSH. Është hakmarrje për raportet e KLSH kur Ndreca ka qenë në Ministri të Arsimit.
Ndreca: Nuk kam asgjë personale me askënd, zotëria ka bërë detyrën e tij.








