
Komediani i njohur Florian Binaj, i famshëm kryesisht për imitimin e Kryeministrit Edi Rama por edhe për shumë role të tjera në skenë, do të garojë si kandidat i opozitës për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit. Kandidatura e tij u shpall të shtunën dhe deri tani është mbështetur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Shqipëria Bëhet.
Gjatë një konference për media të hënën, kreu i PD-së vlerësoi figurën e Binajt, ndërsa duket se një mendim i ngjashëm e kishte ndarë edhe Edi Rama, i cili në një postim në Facebook pesë vite më parë i kishte uruar aktorit për ditëlindjen.
“Florjan Binaj është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të ekranit të vogël ka spikatur me sozinë time në shfaqjen më popullore e më kreative televizive sipas meje, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive!
Duke i uruar sozisë time gazmore ditëlindjen dhe shëndetin, forcën krijuese e çdo mirësi e mbarësi për veten e për të dashurit e vet, uroj njëkohësisht që energjitë pozitive të Florit e të kolegëve të tij të talentuar të çdo ekrani, ta ushqejnë sa më mirë publikun në këtë kohë posaçërisht sfiduese për të gjithë”, thoshte Rama.
Postimi i Ramës, 12 tetor 2020
Florjan Binaj është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të ekranit të vogël ka spikatur me sozinë time në shfaqjen më popullore e më kreative televizive sipas meje, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive!
Nuk i kam kuptuar kurrë politikanët e udhëheqësit kur mërziten, e nganjëherë tërbohen nga vënia e tyre në lojë prej komedianëve e karikaturistëve, të cilët kur janë të zotë si Flori e si djemtë e vajzat e Portokallisë, si Sajmiri i Fiksit e i Stopit apo babai i të gjithë brezit të tyre, Agron Llakaj ose Bujar Kapexhiu i vizatimeve satirike, janë një lezet i madh për jetën publike dhe një burim energjish pozitive për konsumatorët e artit të tyre. Arti i tyre ka pasur e ka një fuqi të butë emancipuese e lehtësuese tek ata që i ndjekin dhe Flori është mes atyre që e meritojnë t’u heqësh kapelen, për faktin domethënës se nuk bie në vulgaritetet tipike çedukative të disave brenda atij lloji.
Duke i uruar sozisë time gazmore ditëlindjen dhe shëndetin, forcën krijuese e çdo mirësi e mbarësi për veten e për të dashurit e vet, uroj njëkohësisht që energjitë pozitive të Florit e të kolegëve të tij të talentuar të çdo ekrani, ta ushqejnë sa më mirë publikun në këtë kohë posaçërisht sfiduese për të gjithë.







