Nga foltorja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, djali i ish-deputetit të ndjerë Azem Hajdari, mbajti një fjalim ku vuri theksin te roli historik i PD-së në tranzicionin demokratik të vendit dhe sfidat që, sipas tij, kjo forcë politike ka përballuar ndër vite.
Kandidati për Këshillin Kombëtar u shpreh se Partia Demokratike ka qenë protagoniste në disa prej zhvillimeve më të rëndësishme të Shqipërisë pas viteve ’90, duke përmendur anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe investimet në infrastrukturë.
Hajdari tha se shumë prej arritjeve që sot konsiderohen normale nga qytetarët nuk duhet të merren si të mirëqena, pasi janë rezultat i proceseve dhe reformave të ndërmarra ndër vite.
Në fjalën e tij ai vlerësoi gjithashtu organizimin e Kuvendit Kombëtar, duke e cilësuar atë si një model modern dhe me përfshirje të brezit të ri, ndërsa nënvizoi nevojën për energji të reja dhe angazhim politik.
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të tij u fokusua te identiteti i Partisë Demokratike, të cilën e përshkroi si një forcë politike që ka mbijetuar përmes idealeve dhe jo interesave.
“Partitë e tjera mund të funksionojnë si kompani, por Partia Demokratike ka mbijetuar sepse është mbajtur gjallë nga ideali dhe përkushtimi i njerëzve të saj”, u shpreh ai.
Në përfundim, Hajdari u bëri thirrje qytetarëve që t’i japin Partisë Demokratike një mundësi të re për të qeverisur vendin, duke argumentuar se kjo forcë politike mund të sjellë një fazë të re zhvillimi për Shqipërinë.
Ai falënderoi anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për angazhimin e tyre, ndërsa e cilësoi kandidimin e tij për Këshillin Kombëtar si një përgjegjësi dhe kontribut personal në jetën politike të vendit.

