POLITIKË /

Dje dorëzoi mandatin për ‘arsye shëndetësore’, deputeti Jurgis Çyrbja merret i pandehur nga SPAK (AKUZA)

Dyshohet se Çyrbja është pyetur në SPAK mbi një kallëzim të bërë nga Edi Paloka në 2021-in për shpërdorim detyre dhe për përmendjen e emrit të tij në një prej dosjeve më të nxehta të momentit.

Shkruar nga Versus

Dje dorëzoi mandatin për ‘arsye shëndetësore’,

Deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili ditën e djeshme dorëzoi mandatin me arsyetimin se do të kryente një ndërhyrje shëndetësore që do t’i pamundësonte angazhimin në politikë për 3 muaj, është thirrur sërish në SPAK.

Prokuroria e Posaçme i ka caktuar orën 10:00 Çyrbjas për t’u paraqitur për të dytën herë brenda pak ditësh. Herën e parë, deputeti u pyet në SPAK për pesë orë rresht dhe kur doli u shfaq i buzëqeshur dhe tha për mediat se nuk ishte marrë i pandehur.

Dy ditë pasi u mor në pyetje, dorëzoi mandatin e deputetit. Në përgjigjie të interesimit të mediave, Jurgi Çyrbja pretendoi se ky akt i tij nuk lidhet me paraqitjen në SPAK duke theksuar se nuk ka probleme ligjore. Por menjëherë pasi dorëzoi mandatin, Çyrbja u thirr sërish në SPAK duke ngritur dyshimet se dorëheqja e tij nuk ka qenë vetëm për shkaqe shëndetësore.

Për çfarë u mor në pyetje Çyrbja?

Raportohet se marrja në pyetje e deputetit është bërë për një denoncim të dorëzuar në SPAK nga deputeti demokrat Edi Paloka në 2021-in kur Çyrbja mbante postin e drejtorit të hipotekës së Durrësit. Paloka e akuzonte për shpërodim detyre për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone.  Njësoj në kallëzim pretendohej nga Paloka se javët e fundit të fushatës zgjedhore të 2021-it, Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë legalizime edhe kur nuk ishte më drejtor hipoteke me qëllim ndikimin në vullnetin e zgjedhësve. Por gjithashtu dyshohet se emri i deputetit përmendet në një prej dosjeve më të 'nxehta' të momentit.

Mandatin e Çyrbjas në Kuvend pritet ta marrë Erjon Meka, pasardhësi i listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Durrësit në prill të vitit 2021. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: