
Dy ditë pasi u paraqit në SPAK, socialisti Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin e tij të deputetit duke lënë të dyshohet se ndaj tij ka një çështje ligjore të hapur. Por përkundër këtyre dyshimeve, në reagimin e bërë për mediat, Çyrbja është shprehur se dorëzimi i mandatit të tij nuk ka të bëjë me paraqitjen në SPAK por me probleme shëndetësore.
“Duhet të kryej një ndërhyrje shëndetësore që më pamundëson aktivizimin për 3 muaj. Nuk kam probleme ligjore, dorëheqja nuk lidhet me SPAK. Vendimi vjen pas vlerësimit të situatës personale ku gjendem”- ka thënë socialisti.
Në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, deputeti qëndroi për rreth 5 orë ndërsa para mediave refuzoi të komentonte mbi detajet e marrjes së tij në pyetje, teksa u mjaftua duke thënë se nuk është marrë i pandehur për kallëzimin që Edi Paloka kishte bërë ndaj tij në 2021-in kur ishte drejtor i hipotekës së Durrësit. Megjithatë shfaqja e problemeve shëndetësore pas paraqitjes në SPAK, lë vend për dyshim lidhur me arsyet e kësaj vendimmarrje nga ana e deputetit.
Mandatin e Çyrbjas në Kuvend pritet ta marrë Erjon Meka, pasardhësi i listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Durrësit në prill të vitit 2021. Versus.al








