
Flojera Davidhi është gjyqtarja që do të drejtojë procesin gjyqësor ndaj Sali Berishës dhe 4 të pandehurve të tjerë për aferën “Partizani”. Ish-gjyqtarja e Korçës u emërua pjesë e GJKKO-së në tetor të vitit 2022 me vendim të Këshillit Gjyqësor pasi kaloi me sukses Vettingun duke mos pasur probleme në pastërtinë e figurës apo të pasurisë.
Flojera Davidhi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014. Pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në tetor 2019, Davidhi u komandua për një periudhë 2-vjeçare si këshilltare ligjore pranë Njësisë Mbështetëse të komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në majin e vitit 2021 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në mënyrë unanime të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Korçës Flojera Davidhi.
Emri i gjyqtares po ashtu përmendet në një tjetër raste, atë të padisë së dorëzuar në SPAK në 2022-in nga avokati Idajet Beqiri i cili kërkonte hetimin e pasurisë së Ilir Metës dhe Sali Berishës duke i akuzuar këta të fundit si organizatorë dhe përfitues të vjedhjes së floririt të Krrabës. Fillimisht SPAK nuk e padinë e Beqirit por pasi ky i fundit e ankimoi në GJKKO, ishte gjyqtarja Davidhi ajo e cila kërkoi që SPAK të pranonte padinë me arsyetimin se nuk mund të dilet në konkluzione pa u kryer hetime. Versus.al








