POLITIKË /

“Çdo qytetar me kartë ID digitale brenda 2026 dhe investime në rrugë e hekurudha”, publikohet programi i qeverisë “Rama 4”

Programi qeverisës i PS përmban planin për furnizim 100% me ujë të pijshëm për zonat urbane dhe 80% për zonat rurale.

Shkruar nga Versus

“Çdo qytetar me kartë ID digitale brenda 2026 dhe investime

Nesër në një seancë plenare që pritet të jetë maratonë, do të prezantohet programi qeverisës i PS për mandatin e katërt radhazi. Më 11 shtator, kryeministri Edi Rama bëri publikë emrat që do të përbëjnë kabinetin e ri qeveritar duke folur përciptazi edhe për synimet e qeverisjes gjatë mandatit të ardhshëm.

Në programin prej disa faqesh të publikuar tashmë për mediat, synohet që Shqipëria brenda 2030-ës të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Ndërsa për ministren “vrituale” Diella, Rama pretendon që përveçse “prokurimeve publike” ajo të bëhet edhe ndihmësja më e mirë e çdo qytetari apo biznesi që kërkon një shërbim online.

Mes objektivave për infrastrukturën përmendet përfundimi i punimeve për zgjerimin e rrugës Durrës-Tiranë brenda mandatit të katërt, duke mos dhënë një afat të caktuar. Ndërsa gjithashtu premtohen investime në shkolla e laobratore, pavarësisht se vendi po vuan një krizë demografike dhe nxënësit në shkolla po pakësohen çdo vit e më shumë si pasojë e rënies së lindjeve dhe emigracionit masiv.

Në programin qeverisës të mandatit të katërt, Rama thotë se do të realizohet edhe furnizimi me ujë 100% në zonat urbane dhe 80% në zonat rurale duke e krahasuar situatën me gjendjen ku ishin ujësjellësit para se PS të merrte detyrën në 2013-ën.

Programi qeverisës i PS:

Katër vjet më parë, ne shpalosëm piketat kryesore të programit qeverisës të mandatit të tretë. Ishte një kohë tejet e vështirë, pas një tërmeti shkatërrimtar dhe në mesin e një pandemie që gjunjëzoi mbarë botën. Katër vjet më pare, Shqipëria ishte peng i dinamikave të brendshme të BE-së dhe fillimi negociatave, i cili rekomandohej çdo vit nga Komisioni Europian, kundërshtohej nga një a dy vende, që për arsyet e tyre refuzonin të jepnin konsensus.

Ju e dini historinë. Megjithatë, ne nuk u dorëzuam asnjë ditë dhe zhgënjimin nga refuzimet arbitrare tre herë rresht, të rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave, e kthyem për vite me radhë, në një forcë të shtuar për të punuar njësoj sikur t’i kishim hapur negociatat, e për të qenë gjithnjë gati, sapo të vinte dita jonë. Më anë tjetër, e ngritëm çdo vit e më lart, emrin e Shqipërisë, dhe e pozicionuam ndërkombëtarisht flamurin tonë kombëtar aty ku jo s’kishte qenë kurrë, po ku as imagjinohej, deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Po ashtu, ndërtuam kanale komunikimi të drejtëpërdrejta me partnerët tanë ndërkombëtarë, në kohë reale dhe në nivelet më të larta, duke arritur deri edhe të influencojmë politikën e BE-së ndaj rajonit tonë. Konkretisht, Plani i ri i Rritjes, i cili solli një mbështetje financiare ekstra për vendet e Ballkanit Perëndimor, nisi nga takimet tona bilaterale në Bruksel dhe këtu, në Tiranë, me aktorë kyç të politikës europiane. Ne luftuam, duruam dhe më në fund e fituam, me meritë të plotë ndeshjen e gjatë politike e diplomatike, për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Dhe sot jemi aty, ku nuk mund absolutisht të imagjinohej kur e morëm detyrën, e kur Shqipëria shihej në rastin më të mirë me keqardhje, në rastin më të zakonshëm me mosbesim të plotë, e në rastin më të keq, me përçmim.

Sot, ne, Shqipëria, kemi në tryezë një plan të dakordësuar me BE-në, për t’i mbyllur negiociatat për dy vitet e ardhshme dhe për herë të parë, kemi në dorë një mundësi historike, reale dhe aktuale, që të hyjmë në Bashkimin Europian - tani, jo në dekadat e ardhshme - si rezultat i rreshtimit të yjeve në favorin tonë. Po, e përsëris, yjet janë rreshtuar në favorin tonë, sepse herë të parë, nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë sa më parë në BE, po është edhe BE-ja që do të na marrë brenda saj sa më parë.

Prandaj edhe po negociojmë me një vrull të jashtëzakonshëm, të dyanshëm, për të mbyllur në një hark trevjeçar një proces që për të tjerët ka zgjatur shumë më tepër. Merreni pak me mend, Mali i Zi i ka nisur negociatat në 2012, kur ne nuk ishim ende as kandidatë. Serbia në 2014, ndërsa Maqedonia e Veriut, e cila ndërroi edhe emrin për t’u futur në BE, imagjinojeni, e ka marrë statusin e kandidatit në 2005-ës dhe akoma nuk i ka filluar negociatat.

Ne kemi shansin historik t’i mbyllim për tre vjet, 2024 - 2027, po për këtë na duhet të mos humbasim asnjë minutë, si edhe t’i çojmë BE-së një mesazh të fuqishëm nga populli i 11 majit, një mesazh përtej shumicës aritmetike, “Duam pashaportën e BE-së për Shqipërinë e për çdo shqiptar”! NJË PASHAPORTË EUROPIANE PËR ÇDO SHQIPTAR Sa herë zbresim prej tridhjetë e pesë vjetësh në një aeroport në Itali, Gjermani, Greqi apo kudo tjetër në BE, na tregojnë me gisht një korridor, ku duhet të shkojmë të futemi në radhë.

Ndërkohë europianët kalojnë në korridorin e tyre, pa radhë, dhe dalin matanë sa hap e mbyll sytë. Ne vërtetë s’kemi viza për të lëvizur në Europë, po ama s’kemi as të drejtë për të qëndruar në një vend të Bashkimit Europian. Prandaj kur arrimë në kufijtë e BE-së, na fusin në radhë dhe na marrin në pyetje me policë, të cilët teksa na e kthejnë mbarë e mbrapsht pashaportën, pyesin ku po shkon, sa lekë ke, me kë je, kush të ka ftuar, kur do ikësh që këtu, e me radhë.

Ne mund ta mbyllim përfundimisht këtë histori poshtëruese dhe të mos na ndajë më askush nga tufa e bashkëudhëtarëve tanë europianëve. Të mos hyjmë më në radhë. Të mos i japim më llogari një polici në aeroport se pse po hyjmë në një vend të BE-së dhe sa do rrimë. Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptari e shqiptareje, pashaportën europiane të Shqipërisë 2030. Mesazhi ynë është i qartë: Për t’ju dhënë pashaportën e BE-së, na duhet jo thjesht një mandat i katërt, po një mandat më i fortë se të treja mandatet e derisotme.

Prandaj kush e do pashaportën e BE-së të votojë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, sepse askush tjetër nuk i pajis dot shqiptarët me pashaportën e BE-së brenda kësaj dekade. Pashaporta europiane e shqiptarëve nuk është vetëm liri hyrjeje në çdo kufi të BE-së nga korridori pa radhë në çdo aeroport, port apo doganë tokësore, po është edhe liri qëndrimi në çdo pikë brenda kufijve të Bashkimit Europian.

Me pashaportën e BE-së, Europa bëhet e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet e madhe sa Europa! Me pashaportën e BE-së, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë do të mund të studiojnë në çdo universitetet të Europës me tarifa të njëjta si studentë të barabartë europianë, dhe jo me tarifa ekstra si studentë ndërkombëtarë.

Me pashaportën e BE-së, çdo shqiptar dhe shqiptare do të mund të punojë pa leje pune kudoqoftë nga Stokholmi në Lisbonë, nga Madridi në Varshavë, duke gëzuar të njëjtat të drejta si suedezët në Suedi, portugezët në Portugali, spanjollët në Spanjë apo polakët në Poloni, si edhe duke përfituar kartën sociale të BE-së, për të përfituar nga sigurimet shoqërore e shëndetësore të shtetit ku punësohet brenda BE-së. Me pashaportën e BE-së do të bëhet shumë më e lehtë edhe hyrja pa viza në shumë vende jashtë BE-së apo punësimi në ato vende me procedura të thjeshtuara për leje qëndrimi dhe leje pune. Me pashaportën e BE-së, shqiptarët do të përfitojnë nga të njëjtat standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave individuale para çdo institucioni ose çdo gjykate të çdo vendi të Bashkimit Europian.

Me pashaportën e BE-së, çdo shqiptar e shqiptare do të fitojë të drejtën të votojë dhe të kandidojë në zgjedhjet lokale kudo ku jeton brenda BE-së dhe për Parlamentin Europian gjithashtu, ndërkohë që edhe Shqipëria do të jetë pjesë e zgjedhjeve europiane dhe do të ketë përfaqësuesin e saj në qeverinë e BE-së, Komisionin Europian, si edhe plot djem e vajza në administratën e Brukselit. Me pashaportën e BE-së, çdo ambasadë e BE-së të vjen në ndihmë kudo ku ndodhesh nëse nuk ke pranë një ambasadë shqiptare. Çfare është BE përveçse një pashaportë, një treg i përbashkët dhe një hapësirë bashkëjetese. BE është një perimetër vlerash dhe parimesh, ku liria individuale, barazia para ligjit dhe standartet demokratike, janë gurthemelet e bashkëjetesës.

FINANCAT

Kur morëm detyrën u përballëm me një gropë borxhesh të fshehura ndaj kompanive të angazhuara në investime publike, furnitorëve të kontraktuar për shërbimet publike, nga ilaçet tek shkumësat e shkollave, si edhe me një borxh publik kërcënues prej thuajse 80%.

Sot borxhin publik e kemi ulur në 55%, duke e sjellë në parametrat e një shteti normal e serioz në administrimin e financave të veta dhe nuk kemi asnjë borxh të fshehur ndaj askujt. Në raportin e fundit të SIGMA-s, Bashkimi Europian e ka cilësuar Shqipërinë vendin me administrimin më të mirë të financave publike në rajon. Kreditë e këqija i kemi ulur nga niveli i frikshëm i thuajse 25% kur morëm detyrën, në nivelin normal të më pak se 5%. Të ardhurat për frymë i kemi 3-fishuar.

Kur morëm detyrën ato ishin 3324 euro. Në vitin 2024 arritën në 10.342 euro. Ndërsa në Shqipërinë 2030 do të bëhen të paktën 15.000 euro, ose sa 5 fishi i të ardhurave për frymë të një dekade më parë. Paga mesatare në sektorin publik ishte 372 euro kur ne morëm detyrën. Viti 2024 u mbyll me një pagë mesatare 1000 euro, ndërsa në Shqipërinë 2030 paga mesatare në sektorin publik do të jetë të paktën 1200 euro. Pagën mesatare të përgjithshme e rritëm më shumë se 2 herë e gjysëm dhe do ta rrisim të paktën edhe 30% më shumë në mandatin e katërt. Në vitin 2013 ajo ishte 322 euro.

Në vitin 2024 arriti në 830 euro. Në Shqipërinë 2030 paga mesatare e përgjithshme do të kalojë kufirin e 1000 eurove. Në vitin 2013 paga minimale ishte 157 euro. Në vitin 2024 paga minimale u bë 400 euro. Duke filluar nga janari 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro. Për të mbështetur punonjësit që do të përfitojnë nga kjo rritje e shpejtë e pagës minimale, sipërmarrësit do ta rrisin pagën minimale me lehtësinë që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti nuk do të kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh. Qëkur morëm detyrëm ne e kemi rritur Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë mbi 2,5 herë. PBB ishte 9,6 miliardë euro në 2013 dhe arriti në thuajse 25 miliardë euro në 2024.

Shqipëria 2030 do të ketë një PBB domethënëse prej 35 miliardë eurosh. PUNËSIMI dhe PENSIONET Reduktuam me 40% shkallën e papunësisë, nga 17.5% në vitin 2014 në më poshtë se 9% në vitin 2024, duke arritur objektivin ambicioz të papunësisë njëshifrore.

Shqipëria 2030 do ta ketë papunësinë në nivelin mesatar të vendeve të Bashkimit Europian ose 6%. Kur morëm detyrën Shqipëria kishte 1.023.000 të punësuar. 1.327.000 ishte numri i të punësuarve në vitin 2024. Thënë ndryshe gjatë tre mandateve tona janë punësuar dhe siguruar qoftë për shëndetin, qoftë për pensionin, mbi 300 mijë vetë.

Pensioni mesatar kur morëm detyrën ishte vetëm 86 euro, ndërkohë që në 2024 pensioni mesatar arriti vlerën 175 euro. Ambicia jonë është që në Shqipërinë 2030 pensioni mesatar të jetë 400 euro për ata që kanë paguar sigurime të plota, ndërsa për pensionin minimal do të synojmë dyshemenë 200 euro. Nga marrja e detyrës, kemi nënshkruar 16 marrëveshje me vende të huaja për njohjen e ndërsjelltë të pensioneve, nga të cilat përfitojnë qindra mijëra bashkëatdhetarë. Qeveria e mëparshme kishte arritur të nënshkruante vetëm 2 marrëveshje pak të rëndësishme. Ne do të mbyllim edhe marrëveshjen me Greqinë.

SIPËRMARRJA

Kur morëm detyrën, Biznesi i Vogël vuante taksimin e dyfishtë dhe duke nisur nga një xhiro prej rreth 55 mijë eurosh ai paguante 10% taksë dhe 20% TVSH. Njësoj si Biznesi i Madh. Ne jo vetëm e zeruam taksën e Biznesit të Vogël, po dhe e rritëm në 140 mijë euro tavanin e xhiros vjetore deri ku llogaritesh si Biznes i Vogël, si edhe hoqëm edhe TVSH për Biznesin e Vogël deri në 100 mijë euro xhiro vjetore. Ky regjim do të mbetet i pandryshuar deri në 2029, ashtu siç e kemi premtuar dhe sot Shqipëria është jo vetëm i vetmi vendi me zero taksë për Biznesin e Vogël në rajon, po edhe vendi me nivelin më të ulët të taksave në rajon për të punësuarit, ku 93% e tyre paguajnë nga të ardhurat një taksë nën 10%.

I pandryshuar do të mbetet edhe regjimi i taksës 15% mbi Biznesin e Madh. Por mandati i katërt do të jetë mandati i një paqeje fiskale të negociuar me biznesin, një instrument i njohur qysh në kohëra të vjetra, të cilin latinët e quanin Pax Fiscalis Cum Negotiis. Ne do t’i propozojmë Biznesit qysh në qershor një marrëveshje paqeje të negociuar fiskale për një periudhe 3 vjeçare, ku 15%-shi i tatimit do të paguhet mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë të deklaruar mbi atë normë, biznesi do të tatohet vetëm 5%.

Kur morëm detyrën Shqipëria eksportonte 2.89 miliardë euro në total. Ne i çuam eksportet në 8.4 miliardë në 2024-ën ose tre herë më shumë. Në mbështetje të biznesit gjatë mandatit të katërt, ne do të mobilizojmë mbi 2 miliardë euro ekstra në formën e kredisë ose garancisë nga Banka e Shqipërisë dhe Banka e Zhvillimit, ndërkohë që 1 miliardë euro do të mobilizohen nga paketa Smart Albania.

Falë këtij mobilizimi financiar synojmë të gjenerojmë rreth 8 miliardë euro ekstra në ekonomi si dhe të krijojmë deri në 100 mijë vende pune të reja, po sidomos shumë ndër to të mirëpaguara. ARSIMI Paga mesatare e mësuesit është dyfishuar krahasuar me kohën kur morëm detyrën.

Nga 420 euro në vitin 2013 në 950 euro në vitin 2024. Zotimi ynë është ta bëjm pagën mesatare të mësuesit 1250 euro brenda mandatit të katërt. Kur ne morëm detyrën kishte 0 mbështetje për tekste falas. Të gjithë prindërit ishin të detyruar t’i blinin vet librat për fëmijët e tyre. Sot, 238 mijë nxënës i marrin librat falas.

Nga fillimi i detyrës janë ndërtuar 450 shkolla, nga të cilat kanë përfituar 200 mijë nxënës. Deri në fund të mandatit të ardhshëm këtij gjerdani do t’i shtohen edhe 200 shkolla të reja. Kur ne morëm detyrën nuk kishte laboratorë, po ca klasa me kompjutera që nuk ndizeshin më. Sot kemi laboratorë inteligjentë në 340 shkolla.

 

Brenda mandatit të katërt numri i laboratorëve inteligjentë do të jetë 1000 nuk do të kemi asnjë nxënës pa akses në mësimin e teknologjisë digjitale në Republikën e Shqipërisë. Brenda mandatit të katërt në çdo bashki qendër qarku do të ketë filluar programi i ushqimit në shkolla dhe do të nisi po ashtu një program i ri pas-shkollor (after school). Brenda vitit 2026 shkollat do të mbrohen me kamera inteligjente dhe ulja e bullizmit, mungesave apo kopjeve në klasë do të jetë drastike. Në mandatin e katërt do të ngremë shoqërinë publike e transportit shkollor, e cila do të kryejë transportin falas të nxënësve, nga shtëpia në shkollë e anasjelltas.

Gjatë mandatit të katërt do të dyfishohet numri i nxënësve në arsimin profesional. 60 milionë euro do të investohen në ndërtimin e shkollave profesionale dhe instalimin e laboratorëve teknikë. Objektivi ynë është që 35% e numrit të përgjithshëm të nxënësve të studiojnë në shkolla profesionale.

Në Shqipërinë 2030, të gjithë nxënësit e arsimit profesional do të kenë konvikte të standardeve europiane. Kur morëm detyrën, palestrat numëroheshin me gishtat e duarve. Sot kemi mbi 200 palestra të reja në shkolla. Lëvizja e re "Ekipet Sportive në Shkolla" ka përfshirë mbi 12,000 të rinj, duke rilindur frymën e sportit tek brezi më i ri dhe duke hedhur bazat e një zhvillimi të qëndrueshëm të sportit kombëtar.

Gjatë mandatit të katërt do të shtojmë numrin e disiplinave sportive në shkollë dhe synojmë ta çojmë në të paktën 20 mijë numrin e nxënësve të aktivizuar në një sport. Kur morëm detyrën Arsimi i Lartë financohej me vetëm 69 milionë euro. E rritëm trefishuam financimin për universitetet, duke e çuar në 200 milionë euro. Deri në fund të mandatit të katërt do të realizohen investimet e projekteve madhore të Universitetit të Tiranës, Kolegjit të Evropës si dhe do të thellohet ndërkombëtarizimi, përmes aleancave të universiteteve tona me ato të Bashkimit Europian, duke e bërë ofertën akademike edhe më tërheqëse, jo vetëm për studentët vendas por edhe të huaj.

STREHIMI

130 mijë shqiptarë përfituan ose u hapën 35 mijë dyer apartamentesh të reja, të rindërtuara apo të përmirësuara nga shteti. Gjatë mandatit të katërt do të investohen afro 300 milionë euro në strehim social, për 50 mijë çelësa, nga një anë për çiftet e reja, profesionistët e sidomos ata që kthehen nga emigrimi, e nga ana tjetër për kampuset universitare. SHËNDETËSIA Kur morëm detyrën buxheti i shëndetësisë ishte vetëm 250 milionë euro.

Sot ai është trefishi, 760 milionë euro. Duke përllogaritur edhe buxhetin për mbështetjen sociale, i cili u dyfishua nga 130 milionë euro në 2013 në 260 milionë euro në 2024, shëndetësia dhe mbrojtja sociale marrin sot 1 miliardë euro në vit nga buxheti i shtetit. Nga koha kur morëm detyrën janë rindërtuar nga e para 400 ambulanca dhe qendra shëndetësore. Në Shqipërinë 2030 që të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat do të jenë plotësisht të rindërtuara. Janë ndërtuar 53 spitale të reja, prej të cilëve 10 nuk egzistonin fare, ndërkohë që 43 janë shembur dhe rindërtuar nga e para.

Gjatë mandatit të katërt, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të transformohet në qendrën më të mirë spitalore universitare të rajonit, e cila do të funksionojë në sinergji me disa ndër qendrat më të mira të botës, duke filluar nga SHEEBA Hospital, e cila ka nisur me marrjen e drejtimit të Onkologjikut. Kjo qendër do t’i ulë drastikisht ikjet e shqiptarëve jashtë vendit për të marrë një shërbim spitalor, si edhe do të rrisë prestigjin e Shqipërisë edhe si një destinacion shërbimi shëndetësor.

Nga viti 2013 çmimet e barnave janë ulur me 30%. Ndërkohë, kemi dyfishuar fondin për barnat e rimbursueshme dhe shtuar 200 medikamente të reja në listën e barnave tërimbursueshme. Plot 210 mijë pensionistë përfitojnë sot 100% barna të rimbursueshme, ndërsa 600 mijë qytetarë të pasiguruar marrin shërbimin njësoj si të tjerët, edhe pse nuk kanë paguar ndër vite sigurimet e tyre shëndetësore.

Qëkur morëm detyrën, paga mesatare e mjekëve është rritur mbi tre herë: Nga 490 euro në vitin 2013 në 1670 euro në vitin 2024. Ndërkohë, në Shqipërinë 2030 ne duam që paga e mjekëve të prekë tavanin e 2000 eurove. Ndërkohë, paga mesatare e infermierëve është bërë trefish: Nga 280 euro në vitin 2013 në 850 euro në vitin 2024. Kur morëm detyrën urgjenca mjekësore ishte krejt e shpartalluar dhe nga 100 autoambulancat në inventarin e saj, një pjesë kishin vite pa lëvizur.

Gjatë kësaj periudhe jo vetëm kemi krijuar një flotë me 320 autoambulanca të reja e të mirëpajisuara me të gjitha mjetet e ndihmës së parë, por kemi ngritur një Urgjencë Kombëtare shembullore të standarteve europiane, duke e shkurtuar kohën e mbërritjes së autoambulancës në jo më shumë se 15 minuta nga marrja e njoftimit. Programi i check-up do të vazhdojë të ofrohet falas për të gjithë pensionistët, ndërkohë që do të rrisim kufirin e moshës për përfituesit.

MBROJTJA SOCIALE

Trefishuam buxhetin e ndihmës ekonomike. Katërfishuam buxhetin për shërbimet e përkujdesit shoqëror. Kur morëm detyrën, vetëm qytetet e mëdha ofronin programe të mbrojtjes sociale. Më shumë se gjysma e bashkive nuk kishin asnjë program në ndihmë të komunitetit. Sot kemi programe sociale në të gjithë territorin. Financuam 84 shërbime të reja sociale nëpërmjet Fondit Social, për rreth 44 mijë përfitues.

Sot, Fondi Social është një mekanizëm transformues, në të gjithë bashkitë e vendit, duke mbështetur një sërë shërbimesh sociale. Mes tyre, shërbime për personat dhe fëmijët me aftësi ndryshe, shërbime për të moshuarit, për viktimat e dhunës, grupet në nevojë, etj.

Brenda mandatit të ardhshëm do të zgjerojmë rrjetin e shërbimeve sociale me 40 shërbime të reja sipas hartës së nevojave territoriale. Do të rrisim aksesin në programe aktive të punësimit, duke krijuar 20 ndërmarrje të reja sociale në të cilat do të punësohen dhe mbështeten kategoritë në nevojë.

BUJQËSIA

Qëkur morëm detyrën janë mbështetur direkt nga qeveria dhe realizuar 1000 projekte, ku spikasin 400 pika të reja përpunimi dhe grumbullimi dhe 120 agroturizma. 1000 projekte të tjera do të realizojmë gjatë mandatit të katërt. Qëkur morëm detyrën sipërfaqja e tokës së ujitshme është rritur dy herë e gjysëm: Nga 120 mijë hektarë në 2013 në 300 mijë hektarë sot. Mbeten edhe 60 mijë hektarë për ta përmbyllur krejt projektin tonë të ujitjes së çdo pëllëmbe tokë të punueshme në Shqipëri.

Në vitin 2024 sipërfaqja e serave arriti në 2100 hektarë, ose trefish krahasuar me vitin 2013. Ekportet bujqësore në vitin 2024 kaluan gjysëm miliardë euro ose katërfishi i vitit 2013. Defiçiti tregtar ishte 1 me 9 në vitin 2013 dhe arriti në më pak se 1 me 3 në vitin 2024. Kur ne morëm detyrën kryheshin vetëm 6 analiza laboratorike të produkteve bujqësore, ndërsa sot kryhen 1909 teste të akredituara nga Bashkimi Europian. Gjatë mandatit të katërt do ta çojmë në afro 500 milionë euro vlerën totale të investimeve në bujqësi, duke synuar 1 miliardë euro eksporte.

PAKETA E MALEVE

Çdokush që ka në zotërim një tokë për një periudhe mbi 10 vite, apo një truall që e pretendon si tokën e të parëve të tij, nuk ka një dokumentacion të rregullt pronësie, por paraqet një vërtetim nga Këshilli Bashkiak si zotërues jo-pronar i asaj toke, mund të marrë leje për të investuar në ekonomi malore (agroturizëm, fermë, linjë përpunimi, etj) dhe mund ta hipotekojë atë pronë kur të ketë realizuar 100% investimin.

500 sipërmarrësit e parë përfitues të kësaj pakete tanimë të miratuar nga parlamenti, do të paguajnë taksa 0 dhe TVSH 0 për dhjetë vite. 250 mln Euro linja e financimit të BSH-së.

INFRASTRUKTURA

Shqipëria pas përpjekjeve disa vjeçare të qeverisë tonë, ia doli të bëhet zyrtarisht pjesë e rrjetit të autostradave europiane. Korridori 8 dhe Korridori Blu do të na lidhin pikërisht me atë rrjet, duke vendosur një tjetër gur themeli për Shqipërinë europiane. Qëkur morëm detyrën kemi ndërtuar rreth 1000 km rrugë kombëtare të parametrave europiane, me standarde të larta të sigurisë rrugore. 21.1 km ura dhe 12.4 km tunele të përfunduara, si edhe shumë të tjera janë në proces ndërtimi e dorëzimi në të katërta anët e vendit.

Tuneli i Llogarasë, Skërficës apo Murrizit nuk janë thjesht modelë të infrastrukturës moderne në vendin tonë. Ato janë instrumente të afrimit të rajoneve dhe nxitjes ekonomike në mbarë vendin. Gjatë mandatit të 4 do të çojmë përpara një sërë projektesh strategjike, që i kemi nisur tashmë, si segmentet e korridorit Blu: Milot-Balldren, Milot- Thumanë, Kashar- Lekaj dhe Lekaj-Fier, të cilat do të përfundojnë brenda mandatit të katërt.

Një pjesë e mirë e urave të vendit tonë do të rehabilitohen apo rindërtohen sipas modelit dhe planit të Bankës Botërore. Autostrada Tiranë – Durrës do të përfundojë sipas të gjithë parametrave dhe standarteve të dy loteve të para, brenda mandatit të katërt. Vepra të tjera si Kombinat - Ndroq - Plepa, Maqellarë – Peshkopi, Qukës - Qafë Plloçë, Berat – Ballaban përfundojnë brenda vitit 2025.

Një nga projektet më të rëndësishme që konsolidon monitorimin e sigurisë rrugore në Republikën e Shqipërisë, por dhe shton kapacitetet e sigurisë kombëtare është Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut. Mandati i katërt do të shënojë gjithashtu ndërlidhjen rajonale të vendit tonë për të sjellë më afër zonat ekonomike dhe turistike, me projektet kryesore si: Rruga e Bregut (Dhërmi – Sarandë) Rruga e Vjosës (Ersekë – Përmet – Tepelenë) Rruga e maleve (Vau i Dejës – Pukë – Fushë Arrëz) Unaza e Çajupit (Gjirokastër – Libohovë – Zagori) Rruga e liqeneve (Rrëshen – Burrel) Berat – Skrapar – Gramsh Bypass-imi i qyteteve kryesore tashmë ka rezultuar i suksesshëm, si çlirues për trafikun dhe efiçent për kohën e përdoruesve të rrugës. Ndaj, dy projekte të rëndësishme parashikohen të nisin dhe të përfundojnë brenda mandatit të katërt: Bypassi i Sarandës dhe ai i Elbasanit.

Autostradat që po ndërtohen anëembanë vendit padyshim duhet të kenë sinergji me qytetet, ndaj Tirana do të ketë dy hyrje të reja të ndërlidhura me autostradën: hyrjen verilindore e cila lidhet me rrugen e Arbrit dhe hyrjen veriore e cila bypass-on Kamzën, duke lidhur autostradat e veriut drejtëpërdrejtë me unazën e re.

Shqipëria europiane është një vend i cili përshkohet nga hekurudhat në të katërt skajet e tij. Hekurudha Tiranë – Rinas – Durrës përfundon në vitin 2025 dhe plotësohet me të gjithë komponentët në 2026. Vorë – Han i Hotit përfundon në 2029 dhe Durrës – Rrogozhine në 2028. Ndërkohë, segmenti Rrogozhinë – Pogradec nis në 2028. Gjatë mandatit të katërt, transporti hekurudhor do të jetë një prioritet edhe për ndërlidhjen e nyjeve kritike (Porti i Durrësit, VIA, nyja logjistike e Rrogozhinës), si në rastin hekurudhave Vlorë – VIA, Sukth – Porto Romano dhe Rrogozhinë – Vlorë, te cilat do të nisin në vitin 2026.

Padyshim, një nga më të rëndësishmit ndër këto projekte është Hekurudha e Kombit dhe ajo Durrës – Prishtinë. Porti i ri tregtar i Porto Romanos, do të trefishojë kapacitetet përpunuese në Shqipëri dhe përmes hekurudhave do të mundësojë hapjen e dy porteve të thata, në Prishtinë dhe Shkup, duke e bërë Durrësin një pikë strategjike referimi në Mesdhe, jo vetëm për portin tregtar por edhe për bazën e re ushtarake të NATO-s. Kur morëm detyrën aksesi i qytetarëve shqiptarë në fluturimet ajrore ka qënë vetëm 6,7%. Sot është rritur në 32%, falë uljes domethënëse të çmimit të biletave dhe padyshim rritjes së numrit të destinacioneve nga Aeroporti i Tiranës drejt Europës. Për të tretin vit radhazi, TIA është renditur si aeroporti me rritjen më të madhe ndërkombëtarisht.

Nëse në vitin 2013 ai numëronte 1.7 milionë pasagjerë, në vitin 2024 aeroporti i Rinasit përpunoi 11 milionë pasagjerë. Një aeroport i ri do t’i shtohet gjerdanit të aviacionit civil. Vlora International Airport po përgatitet për fluturimin inagurues në ditët e para të majit. Gjatë mandatit të katërt, një aeroport i katërt do të përmbyllë vizionin kombëtar për aviacionin civil, i vendosur në jug të vendit (Gjirokastër).

ENERGJIA

Kur ne morëm detyrën humbjet në rrjetin e shpërndarjes ishin 50%. Sot janë 17.9% dhe do të ulen vit pas viti drejt normës europiane. Strategjia jonë e diversifikimit të burimeve gjeneruese ka ndryshuar panoramën energjitike të prodhimit që në 2013 bazohej 100% në burimet hidrike. 10% e prodhimit energjitik vendas sot vjen nga parqet fotovoltaike dhe brenda mandatit të katërt ky volum do të arrijë deri në 30%. Strategjia e diversifikimit të burimeve gjeneruese mbështetet tek inovacioni. Në vendin tonë do të nisin brenda mandatit të katërt dy nga projektet më të mëdha të gjenerimit inovator përmes “pump storage”. Mandati i katërt do të jetë mandati i sovranitetit energjitik.

Shqipëria do të bëhet vend eksportues neto i energjisë dhe do të jetë tëresisht e pavarur në plotësimin e nevojave të veta për energji. Kur morëm detyrën, fuqia e përgjithshme prodhuese e Republikës së Shqipërisë ishte vetëm 1768 megavatorë, sot është dyfishuar në 3298 megavatorë dhe synimi ynë gjatë mandatit të katërt është ta gjashtëfishojmë, duke e çuar në 10988 megavatorë.

Pavarësisht sfidave globale të njëpasnjëshme në fushën energjitike, ne ia dolëm që nga 1 shkurti i këtij viti, çmimi i energjisë elektrike për klientët familjarë sipas kategorive të konsumit, të ulet me 10.5%. 95% e klientëve familjarë ose rreth 1.070.000 abonentë përfitojnë nga kjo ulje. Falë kësaj ulje të çmimit të energjisë, një familje shqiptare kursen rreth 100 euro në vit vetëm nga fatura e energjise.

UJI

Kur morëm detyrën, furnizimi me ujë 24 orë ofrohej vetëm për 4 zona urbane dhe asnjë nga zonat rurale. 43 zona urbane dhe 98 zona rurale furnizohen sot me 24 orë ujë në ditë. Deri në fundin e mandatit të katërt do të ofrohet furnizimi me ujë 24 orë edhe në 16 zona të tjera urbane dhe 37 zona të tjera rurale, duke mbuluar kështu 100% të qyteteve dhe mbi 80% të zonave rurale. FSHZH Nga koha kur morrëm detyrën janë: Investuar 2 miliardë Euro në mbi 1.200 projekte në të gjithë territorin e vendit, nga qendrat e qyteteve, zonat urbane, periferike dhe rindërtimit, zonat bujqësore e deri në fshatrat më të thella malore.

Hapur 100 mijë vende të reja pune dhe mbi 5 mijë biznese të reja, falë investimeve në infrastrukturën urbane rajonale dhe vendore. Shtuar me 10 miliardë Euro vlera e banesave në 10 vitet e fundit. Kursyer 1,000 vite jetë kohë njerëzore çdo vit, si pasojë e uljes me 40% të kohës së lëvizjes për përdoruesit e mjeteve automobilitistike, falë rrugëve të reja apo rindërtuara.

Kursyer 30 milionë Euro çdo vit nga xhepat e përdoruesve të rrugëve si pasojë e uljes së kostos së udhëtimit për karburant dhe mirmbajtjes së mjeteve. Shpërndarë 6.700 çelsa banesash të reja falas në zonat e dëmtuara nga tërmeti (pa bashkinë Tirane) përgjatë viteve 2021-2025. Kursyer 10 milionë Euro çdo vit nga xhepat e qytetarëve nga ulja e konsumit të energjisë falë “Programit të Rigjenerimit të banesave” me sisteme kapot për godinat e vjetra dhe ato të rindërtimit. TURIZMI Kur morëm detyrën të tjerët qenë mësuar të mburreshin me 1 milionë turistë, të cilëve Shqipëria do u jetë gjithmonë mirënjohëse sepse ishin turistë patriotikë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi apo shqiptarë që ktheheshin për pushime.

Ne e rritëm dhjetëfish Shqipërinë Turistike dhe e bëmë trend europian, duke e mbyllur vitin 2024 me 12 milionë turistë. Ndërkoën viti 2025 ka nisur me 20% vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndonëse projeksionet tregojnë se Shqipëria 2030 mund të arrijë pa asnjë siklet 20 milionë turistë, strategjia jonë tanimë është të ngadalësojmë turizmin masiv në favor të turizmit elitar dhe ekologjik.

Kur e morëm detyrën turizmi kontribuonte më pak se 1 miliardë euro në ekonomi, kurse sot kemi thuajse 5 miliardë euro të ardhura nga turizmi. Kur ne morëm detyrën, 5 yjet për hotele jepeshin për investime partiake dhe emrat e hoteleve ishin kryesisht iniciale familjare. Sot kemi mbi 50 hotele me 4 dhe 5 yje që janë në radhë për t’u hapur pas disave që tanimë janë hapur. Në vitin 2024 plot 8 milionë banorë të Republikës së Shqipërisë dolën jashtë vendit për pushime apo biznes, shifër kjo 3 herë më e lartë se në vitin 2013.

Ndërsa brenda Shqipërisë vitin e shkuar lëvizën për turizëm 1 milionë shqiptarë, shifër kjo e pamendueshme kur ne morëm detyrën. MJEDISI Kur ne morëm detyrën, zonat e mbrojtura natyrore dhe kulturore ishin të mbushura me ngrehinat pa leje të kënetës. Ne jo vetem i çliruam ato, por zgjeruam hapësirën e zonave të mbrojtura në 22% të territorit, me institucione e legjislacion të ri europian.

Në Shqipërinë 2030, kur do të hyjmë edhe në Bashkimin Europian, mbledhja dhe riciklimi i mbetjeve do të jenë konform kuadrit të miratuar së bashku me BE-në. KADASTRA Digjitalizimi i kadastrës do të përfundojë brenda vitit 2026, çka do të mundësojë marrjen e shërbimeve brenda afateve të paracaktuara. Regjistrimi fillestar do të mbyllet brenda vitit 2028 dhe nga ai moment, përshpejtimi dhe transparenca e të gjitha shërbimeve ndaj qytetarit dhe biznesit, do të jenë si dita me natën. Kur morëm detyrën ishin kryer në total 21750 legalizime, të cilat ne i kemi më shumë se sa dhjetëfishuar me 270 mijë legalizime deri në 2024-ën. Brenda vitit 2028 do të mbyllen të gjitha legalizimet e mbetura.

KULTURA

Realizuam 650 operacione shpëtimi e restaurimi në objekte pasuri kulturore, duke zmbrapsur kërcënimin e rrënimit katastrofik që ndeshëm kur morëm detyrën. Qëkur morëm detyrën janë rindërtuar e bërë krejt të reja 10 salla teatri dhe 20 muzeume. Sot kemi thuajse 1 milionë e gjysëm vizitorë në sitet kulturore dhe muzetë, ose gati 10 herë më shumë se në vitin 2013. Brenda mandatit të katërt do të ngrejmë Qendrat Kulturore Shqiptare në Itali, Greqi, Francë, Gjermani, Angli, SHBA, duke nisur hapjen e dyerve të kërkuara me ngulm e me të drejtë nga diaspora shqiptare. MBROJTJA Kemi dhjetëfishuar investimet në fushën e mbrojtjes: Ishin 28 milionë euro në vitin 2013 dhe janë 280 milionë euro këtë vit.

Kemi pesëfishuar rekrutimet në forcat e armatosura. Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, me pagë mesatare më të lartë se gjithë vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor (1550 euro në muaj) dhe synojmë që brenda mandatit të katërt të arrimë pagën mesatare të ushtrive të NATO-s. Aty ku gjetëm ferra e rrënoja, kemi bazën një bazë ajrore taktike të NATO-s dhe aty ku gjetëm ushtrinë më të keqpaguar e më të keqpajisur të rajonit, kemi forca luftimi moderne, me fuqi zjarri, flotë helikopterësh, anije luftarake dhe dronë luftarakë. Gjatë mandatit të katërt do të ngremë një industri ushtarake për prodhimin e municioneve, armatimeve, dronëve luftarakë dhe mjeteve të blinduara “Made in Albania”.

Brenda mandatit të katërt do të rilindë shkolla e aviacionit në Vlorë dhe brenda vitit 2028 do të përfundojë kampusi modern i Akademisë së Forcave të Armatosura në Tiranë. Flota detare e Republikës së Shqipërisë do të ketë 3 anije luftarake të reja. Flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion të saj që këtë verë dy avionë zjarrëfikës, duke rritur gatishmërinë për përballimin e emergjencave civile.

PUNËT E BRENDSHME

Kur morëm detyrën aksidentet fatale rrugore ishin sa dyfishi i mesatares europiane, kurse sot jemi më mirë se Serbia e Mali i Zi dhe më mire se vende të rajonit anëtarë të BE (si Rumania dhe Bullgaria), e më afër mesatares së Bashkimit Europian. 13 vdekje për 100 mijë banorë kur morëm detyrën. 7 vdekje për 100 mijë banorë sot në Shqipëri. Ndonëse numri i automjeteve rrugore në qarkullim është më shumë se dyfishuar, duke shënuar njërritje me 115%, rrezikshmëria e vdekjes në njëaksident rrugor është ulur me 75%, çka fakton bindshëm rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. 66.1 vdekje për 100 mijë automjete në 2013. 18.2 vdekje për 100 mijë automjete në 2024. Numri i viktimave si pasojë vrasjet me dashje është ulur me dy herë e gjysëm qëkur morëm detyrën. 3.8 të vrarë për 100 mijë banorë kur ne morëm detyrën. 1.4 të vrarë për 100 mijë banorë sot në Shqipëri.

Brenda vitit 2026 çdo shtetas shqiptar do të pajiset me kartën e identitetit digjital, e cila do të ofrojë më shumë shërbime e siguri, përkundrejt një kostoje ndjeshëm më të lirë. Brenda vitit 2026, 12 qytetet qendër qarku do të jenë të monitoruara me kamera inteligjente, të cilat do të mundësojnë ngritjen e një rrjeti të integruar sigurie, duke rritur si asnjëherë më parë parandalimin e krimeve, kohën e reagimit ndaj keqbërësve, si edhe identifikimin e tyre. DREJTËSIA Angazhohemi të kemi nga viti i ardhshëm një amnisti periodike për gratë dhe të miturit. Brenda vitit 2026 do të jetë funksional Insituti i të Miturve në konflikt me ligjin.

Jo më vetëm burg për të miturit, por një model i riavancuar, që bazohet në edukim dhe riintegrim, duke e vendosur Shqipërinë në vendin e dytë pas Francës me një nismë të tillë. Brenda mandatit të ardhshëm përfundon digjitalizimi i plotë i sistemit të drejtësisë. Këshillimi ligjor falas do të shtrihet në çdo bashki brenda mandatit të katërt. POLITIKA E JASHTME Kur morëm detyrën për shtetasit shqiptarë që jetonin jashtë ofroheshin 0 shërbime online. Sot janë 52 shërbime online për shtetasit tanë jashtë kufijve, duke ulur ndjeshëm si kostot financiare ashtu edhe ato në kohë. Shtetasit shqiptarë udhëtojnë sot në 126 vende pa vizë.

Deri më tani janë nënshkruar 11 marrëveshje për njohjen dhe konvertimin e patentës shqiptare. AKSHI Nga 15 shërbime online kur morëm detyrën, sot ofrojmë 1252 shërbime. Vetëm vitin e fundit, përmes EAlbania janë ofruar 15,2 milionë shërbime online, ose 5 herë më shumë se në vitin 2019. Falë digjitalizimit të shërbimeve janë kursyer 620 milionë euro, prej të te cilave 33 milionë euro janë kursyer nga emigrantët. Koha e kursyer nga digjitalizimi i shërbimeve përllogaritet sa 25 mijë rrotullime rreth tokës.

Ndërkohë janë kursyer gjithashtu 75,5 millionë fletë letre. BE Kur morëm detyrën në vitin 2013 investimet e huaja direkte me vendet e Bashkimit Europian ishin në vlerën 284 milionë euro. Sot ato janë 920 milionë euro në vit. Stoku investimeve të BE në 2013 ka qenë rreth 2.9 miliard euro, ndërkohë sot përllogaritet në 7.3 miliardë euro dhe objektivi ynë është ta çojmë në 10 miliardë deri në fund të mandatit të katërt. Eksportet shqiptare ndaj vendeve të Bashkimit Europian ishin 1.2 miliardë euro kur morëm detyrën, ndërkohë që sot janë në vlerën 2.7 miliardë euro, më shumë se dyfishuar. Gjatë periudhës 2014-2020 fondet e Bashkimit Europian të përfituara nga Shqipëria ishin 1 miliardë euro, dhe gjatë periudhës 2021-2027 u bënë 2.6 miliardë euro. Pas anëtarësimit në BE, Shqipëria pritet të përfitojë direkt mbi 6.3 miliardë euro vetëm për bujqësinë dhe kohezionin, si dhe të përfitojë shumë herë më tepër nga aplikimet në programet e tjera brenda buxhetit të BE. Versus.al

Poll