
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur sërish para mediave në dalje të Prokurorisë së Posaçme institucion për të cilin deklaroi se do të shpallet seksion krimi i kartelit Troplini.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo zyrë shteti që paguhet me rrogat më të larta në gadishullin e Ballkanit, paguhet me 7 mijë euro personin nga prokurorët për meritën e veçantë se komunikojnë dhe bëjnë pazare me kriminelët, do të shpallet seksion i kartelit Troplini. Do të shpallet seksion i kartelit më të fuqishëm të drogës në Europë, karteli i vetëm që administron portin kryesor të vendit, portin e Durrësit. Ndaj dhe në shënimin që i lashë Altin Troplinit, e informova se sot e tutje nga Dumani, do ta quajmë Altin Troplini”- deklaroi Berisha.
Më tej, ish-kryeministri lexoi edhe shënimin e lënë për kreun e SPAK, Altin Dumanin për të cilin tha se do të shpallet bashkëpunëtor i kartelit më të fuqishëm të drogës.
“Kjo për arsye të forta ligjore sepse ky bashkëpunëtor i kartelit më të rrezikshëm, më të fuqishëm të Europës, mbajti në zyrën e tij 22 ditë vendimin e gjykatës për arrestin e Xhevdet Troplinit, Elvis Doçit apo Pojës, sepse Poja quhet në fakt ky kartel droge. Dhe jo vetëm e mbajti 22 ditë, por e çoi për ekzekutim pasi Xhevdeti dhe Elvisi kishin mbërritur në destinacionet që kishin zgjedhur dhe të lirë sot, duke kontrolluar nga vendndodhjet e tyre përsëri në çdo metër katror portin e Durrësit dhe trarikun e kokainës.
Ndaj dhe unë i lashë këtë shënim: Me mbajtjen për 22 ditë të fletëarrestit të gjykatës për bosët e kartelit më të madh në Europë të drogës, kartelit Troplini, Altin Dumani do regjistrohet si bashkëpunëtor kryesor i këtij karteli dhe do ndryshojë mbiemrin e tij nga Dumani në Altin Troplini”- shtoi kreu i PD në dalje nga Prokuroria e Posaçme ku zbatoi masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për aferën ‘Partizani’. Versus.al







