
Kuvendi i Shqipërisë rifilloi punimet këtë të enjte, pas një pushimi dy mujor – ose siç quhet ndryshe në qarqet politike, sezoni i reflektimit elektoral. Seanca zgjati vetëm 15 minuta, por mjaftoi për të miratuar kalendarin e punës, si edhe për të rikujtuar kush mungon.
Një nga mungesat më simbolike, megjithëse aspak befasuese, ishte ajo e Lulzim Bashës, i cili me një lloj elegance nordike vendosi të mos jetë as fizikisht në një Kuvend ku nuk është më deputet. Basha ka zgjedhur heshtjen pas humbjes, por ngjan më shumë me zhdukjen politike.
As këtë të enjte ai nuk u bë “i gjallë” në sallë, duke dëshmuar se ndonjëherë mungesa është forma më e sinqertë e pranimit të realitetit. Mungesës së tij iu bashkua dhe ajo e Dashnor Sulës, i cili, pasi këmbënguli që Kuvendi duhet të rifillojë punën sipas ligjit, vendosi që vetë ta anashkalojë këtë fillim me shumë finesë.
Në galerinë e figurave të papranishme u shfaqën gjithashtu Ori Nebiaj, Dhurata Çupi, Flutura Açka e disa të tjerë që dikur dominonin kronikat, por që tashmë kanë lënë vendin bosh – një boshllëk që, për hir të së vërtetës, askush nuk është përpjekur ta mbushë me ndonjë emocion të veçantë.
Në përfundim, ndërsa Kuvendi “rifillon”, opozita duket se është ende në kërkim të vetvetes – disa në sallë, të tjerët jashtë saj dhe një pjesë që preferon të mos jetë as në kujtesë. Versus.al







