
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale ku ka folur për procesin gjyqësor që ende zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së të cilët prej 5 vitesh mbahen të paraburgosur në Hagë.
Rama e cilësoi sërish të papranueshëm faktin se prej vitesh ish-liderët e UÇK-së mbahen të izoluar pa asnjë provë ndaj tyre. Ai u kërkoi vendeve që e sponsorizojnë gjykatën speciale që të reflektojnë mbi standartet e ulëta që janë ndjekur, ndërsa uroi që vitin e ardhshëm Thaçi dhe të tjerët të shpallen të pafajshëm.
“Ende pa u dënuar, një president i zgjedhur demokratikisht nga populli së bashku me 3 bashkëluftëtarë që kanë mbuluar detyrat nga më të rëndësishme në Kosovë, mbahen të izoluar. Tani që ka mbaruar parada e dëshmitarëve qesharakë, të sjellë në sallën e drejtësisë ndërkombëtare nga akuza si dhe kanë mbaruar dëshmitë serioze të dëshmitarëve të mbrojtjes, pritet vendimi. Uroj, shpresoj dhe lutem që viti i ardhshëm të jetë viti i mbylljes së perdes së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtare dhe i daljes nga izolimi brutal i Hashim Thaçit dhe bashkëudhëtarëve të tij. Uroj që vendet demokratike që sponsorizojnë këtë gjykatë të reflektojnë mbi standartet e ulëta, mbi nivelin shumë nën vijat e kuqe të një drejtësie demokratike të gjithë kësaj që prej vitesh po ndodh me njerëzit të cilët të vetmin faj kanë se u rebeluan ndaj një regjimi satrap. Të vetmin faj kanë se morën armët për të mbrojtur lirinë e tyre e për të jetuar si njerëz të barabartë të kësaj toke dhe jo si grup social i përdhunuar për shkak të etnisë së vetë.
Këtë të vërtetë nuk e tund dot askush e lëre më pastaj një çekiç absurd i një drejtësie ndërkombëtare që në këtë rast ka lënë kokrrën e namit siç i themi ne shqip fare. Shpresoj se në fund e drejta do të fitojë, është e drejta e bekuar përjetësisht në gjakun e heronjve, martirëve me dhimbjet e patregueshme të nënave e grave gjatë një periudhe nga më të zymtat në zemër të Europës”- u shpreh Rama. Versus.al

