POLITIKË /

“Duhet të mbyllim ikjen e mjekëve”, Sala: E palejueshme që të mos rimbursohen barnat e të sëmurëve me kancer

Shkruar nga Versus
“Duhet të mbyllim ikjen e mjekëve”, Sala: E palejueshme
Evis Sala, ministrja e re e Shëndetësisë

Në fjalimin e saj të parë si ministre e Shëndetësisë gjatë prezantimit në QSUT, Evis Sala vendosi disa objektiva që synon t’i arrijë përgjatë mandatit të saj. një prej tyre, është edhe rimbursimi i plotë i barnave për të sëmurët me kancer në spitalin Onkologjik. Këtë e konsideroi si sfidë personale duke qenë se edhe karrierën e saj e ka nisur në këtë spital.

“Mendoj që është shumë e rëndësishme zgjidhja sa më parë e rimbursimit të barnave onkologjike. Është e palejueshme për ne si vend europian dhe vend që do të futemi në BE që barnat onkologjike të mos jenë plotësisht të rimbursueshme për pacientë të kancerit. Kjo është diçka personale për mua, sfidë jo vetëm e detyrës sepse kam filluar këtu si mjeke në spitalin Onkologjik.

Shumë kyç është riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues sepse do shpëtojë shumë jetë dhe do ulë fluksin nëpër spitale. Nuk mundet që spitali të jetë i mbingarkuar. Diagnostika ka përparuar shumë, është fushë që unë e njoh mirë, fushë që bëri revolucionin e parë në mjekësi kaloi nga analogu në digjital dhe me Inteligjencën Artificiale mund të bëhet një hap shumë i madh”- tha Sala.

Sa i takon emigrimit të mjekëve, Sala u shpreh se duhet të krijohen të gjitha mundësitë që mjekët e rinj të ndihen të vlerësuar këtu dhe të mos zgjedhin të shërbejnë në vende të tjera para vendit të tyre.

“Nëse aftësia e mjekëve nuk është do t’i trajnojmë. Gjithashtu do të mbyllim rrjedhjen e mjekëve të rinj. Fakultetet e universitetit në Shqipëri nxjerrin mjekë shumë të mirë. Nuk ka përse të ikë në ato vende të tjera. Duhet të vlerësohet edhe këtu njësoj. Kam pasion të vecantë për mësimdhënien e brezit të ri”- shtoi ministrja e re. Versus.al

Poll