POLITIKË /

Edi Rama firmos shkarkimin e Veliajt si kryebashkiak i Tiranës

Qeveria ka miratuar propozimin e miratuar nga këshilli bashkiak të martën.

Shkruar nga Versus
Edi Rama firmos shkarkimin e Veliajt si kryebashkiak i Tiranës
Edi Rama dhe Erion Veliaj

Këshilli i Ministrave ka firmosur sot vendimin e miratuar të martën nga këshilli bashkiak i Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut me arsyetimin e mosparaqitjes në punë për mbi 3 muaj.

Mbledhja e nisur në orën 12:00 u drejtua nga kryeministri Edi Rama i cili firmosi vendimin një ditë pasi prefekti i Tiranës i njoftoi për propozimin e miratuar me 50 vota në këshillin bashkiak të kryeqytetit.

Nga sot, Erion Veliaj zyrtarisht është ish-kryebashkiak i Tiranës. Vendimi mund të pezullohet në rast se Veliaj vendos të bëjë ankim në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i qeverisë Edi Rama mbajti dje një takim me ministrat dhe deputetët e Tiranës të cilëve u kërkoi të nisnin përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, ku socialistët dalin në terren me kandidaturën e Ogerta Manastirliut. Ndërsa sot u konfirmua se zv.kryeministrja Belinda Balluku do të jetë drejtuesja e fushatës zgjedhore në Tiranë.

Veliaj mbajti postin e kryebashkiakut të Tiranës nga qershori i vitit 2015 deri më 25 shtator të 2025-ës, plot 10 vite përgjatë të cilave u konfirmua në detyrë 2 herë, por arrestimi me urdhër të SPAK ia preu në mes mandatin e tretë në krye të Tiranës.

Ndaj Veliajt rëndojnë akuza për 5 vepra penale të kryera gjatë kohës që ka mbajtur postin e kryebashkiakut. Sipas SPAK, në bashkëpunim me gruan e tij Ajola Xoxa, Veliaj kishte ngritur një skemë nëpërmjet së cilës përvetësonte paratë publike nëpërmjet fondeve që bashkia jepte për organizatat jofitimprurëse të Xoxës, apo tenderave që jepeshin ndaj biznesmenëve të ndyshëm të cilët gjithashtu kontribuonin me fonde për organizatat e Ajola Xoxës. Së bashku me Xoxën dhe Veliajn, të pandehur janë marrë edhe 4 biznesmenë dhe ish-deputetja e PS, Klotilda Bushka. Versus.al

Poll