
Eurodeputetët e komisionit të Stabilizim Asocimit kanë zhvilluar sot një vizitë në Shqipëri ku janë takuar me kryeministrin Edi Rama. Mes 10 eurodeputetëve të cilët janë takuar me Ramën ka qenë edhe Fredi Beleri, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës i cili u dënua me 2 vite burg për blerje votash. Sipas mediave, Rama ka shkuar "MAK Hotel" ku ishin akomoduar eurodeputetët për të zhvilluar një takim informal me ta.
Mësohet se eurodeputetët do të zhvillojnë edhe një takim në kryesinë e Kuvendit me grupet parlamentare.
Para takimit me Ramën, Beleri zbuti tonet duke u shprehur “ai bën punën e vetë ndërsa unë timen”.
Parlamentarët shqiptarë të udhëhequr nga socialisti Toni Gogu dhe eurodeputetët e Parlamentit Europian të udhëhequr nga Tarkuinio do të ulen në tryezën e bisedimeve pasdite me këto tema kryesore për t’u diskutuar:
Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit;
Liria e medias dhe zgjedhjet;
Zhvillimi Ekonomik dhe Turizmi;
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal.
Ndërkohë, pavarësisht bojkotit parlamentar, deputetët demokratë do të marrin pjesë në këtë takim të përfaqësuar nga: Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, dhe Saimir Korreshi të cilët ditë më parë zhvilluan edhe një protestë para selisë së PE për të informuar zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian lidhur me situatën politike në Shqipëri. Versus.al







