
Tirana do të jetë sot mikpritëse e samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Kështu Shqipëria bëhet vendi i parë i Ballkanit Perëndimor ku zhvillohet një samit i tillë.
I gjithë organizimi për mbajtjen e samitit është bërë në sheshin ‘Skënderbej’ ku në strukturën dz katëshe të ngritur përkohësisht, do të jenë të pranishëm krerët e 47 vendeve të kontinentit evropian dhe disa prej drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme të Bashkimit Europian.
Dita do të nisë me një sërë takimesh dypalëshe mes kryeministrit Edi Rama dhe disa prej liderëve të tjerë të Evropës. Por fdillimisht do të takohet me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe më pas me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez për të vijuar edhe me 9 homologë të tjerë evropianë.
Për të garantuar sigurinë e perimetrit ku do të lëvizin liderët e vendeve evropiane, e gjithë Tirana është pothuajse e paralizuar dhe lejohet vetëm qarkullimi në këmbë.
Drejtimi i samitit do të bëhet nga kryeministri Edi Rama në bashkëpunim me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.
Një konferencë për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij daneze, Mette Frederiksen do të jetë përmbyllëse e samitit që do të mbahet në Danimarkë herën e ardhshme. Diskutimet e këtij samiti do të strukturohen në tryeza të larta tematike:
Tryeza e parë do të fokusohet në sigurinë e Evropës dhe qëndrueshmërinë demokratike, duke trajtuar çështje të rëndësishme si mbështetja për Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e institucioneve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe përforcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët evropiane.
Tryeza e dytë do të trajtojë forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, qëndrueshmërinë energjetike dhe autonominë strategjike për mbrojtjen e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe balancimin e objektivave klimatike me fuqinë industriale.
Sesioni i tretë do të fokusohet në dinamikat komplekse të migracionit, mobilitetit dhe fuqizimit të të rinjve, në një epokë të shënuar nga inteligjenca artificiale dhe përshpejtimi i ndryshimeve teknologjike.
Komuniteti Politik Evropian është një nismë e propozuar për herë të parë nga presidenti francez Emmanuel Macron me anë të një fjalimi në Parlamentin Europian më 9 maj të vitit 2022 me qëllim nxitjen e bashkëpunimit të të gjithë vendeve të kontinentit europian në fushën e mirëqenies, stabilitetit dhe forcimit të sigurisë.
Mbajtja e Samitit përfaqëson një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi. Samiti i Tiranës zhvillohet gjithashtu në një moment vendimtar për Evropën, teksa kontinenti përballet me tensione në rritje në nivel global. Kërcënimet hibride, vështirësitë ekonomike dhe fragmentimi teknologjik po vënë në provë qëndrueshmërinë demokratike dhe nënvizojnë nevojën urgjente për një përgjigje më të koordinuar dhe të bashkuar evropiane.
AXHENDA E PLOTË E SAMITIT
10:00 – Mbërritje
11:00 – Ceremonia e hapjes
11:30 – Foto familjare
11:45 – Seanca e parë plenare
13:00 – Dreka zyrtare
14:30 – Tryeza tematike
15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve
17:30 – Seanca plenare mbyllëse
18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministren e Danimarkës (pritesi i radhës)
Liderët dhe zyrtarët që do të marrin pjesë:
1. Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian
2. Robert Abela, kryeministri i Maltës
3. Albert II, princ i Monakos
4. Ilham Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit
5. Luca Beccari, Ministër i Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar dhe Telekomunikacionit të San Marinos
6. Alain Berset, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës
7. Ilie Bolojan, Presidenti i Përkohshëm i Rumanisë
8. Nikos Christodoulides, president i Qipros
9. Zeljka Cvijanovic, kryetare e presidencës së Boshnjes dhe Hercegovinës
10. Bart De ëever, Kryeministri i Belgjikës
11. Rexhep Tayip Erdogan, president i Turqisë
12. Xavier Espot Zamora, kryeministër i Andorës
13. Petr Fiala, kryeministër i Republikës Çeke
14. Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë
15. Mette Frederiksen, kryeministre e Danimarkës
16. Luc Frieden, kryeministri i Luksemburgut
17. Kristrún Mjöll Frostadóttir, kryeministre e Islandës
18. Jonas Gahr Støre, kryeministri i Norvegjisë
19. Robert Golob, kryeministri i Sllovenisë
20. Brigitte Haas , kryeministre e Lihtenshtajnit
21. Rosen Zhelyazkov, kryeministri i Bullgarisë
22. Kaja Kallas, Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian
23. Karin Keller-Sutter, Presidente e Konfederatës Zvicerane
24. Irakli Kobakhidze, kryeministri i Gjeorgjisë
25. Ulf Kristersson, kryeministri i Suedisë
26. Emmanuel Macron, presidenti i Francës
27. Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë
28. Friedrich Merz, kancelari i Gjermanisë
29. Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian
30. Kristen Michal, kryeministër i Estonisë
31. Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut
32. Jakov Milatoviç, president i Malit të Zi
33. Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë
34. Petteri Orpo, kryeministër i Finlandës
35. Vjosa Osmani, presidente e Kosovës
36. Gintautas Paluckas, kryeministër i Lituanisë
37. Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë
38. Andrej Plenković, kryeministër i Kroacisë
39. Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO
40. Maia Sandu, presidente e Moldavisë
41. Dick Schoof, kryeministër i Holandës
42. Evika Siliņa, kryeministre e Letonisë
43. Feridun Sinirlioglu, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së
44. Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar
45. Christian Stocker, kancelari i Austrisë
46. Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës
47. Konstantinos Tassoulas, president i Greqisë
48. Donald Tusk, kryeministër i Polonisë
49. Ursula Von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian
50. Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë
51. Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës Versus.al







